Kërko

Mozambik Mozambik 

Save the Children: në gjithë botën vuajnë nga uria 276 milion njerëz

Numri i të uriturve në botë është dyfishuar gjatë 2 viteve të pandemisë. Sipas “Save the Children”, nevojitet një përgjigje globale e përbashkët. Vetë organizata ndërkombëtare ka destinuar 28,5 milion dollarë për 19 vendet më të varfra, ku familjet po përjetojnë krizën më të vështirë ushqimore të dhjetëvjeçarëve të fundit

R.SH. – Vatikan

Gjendja e urisë në botë keqësohet. Alarmin e jep organizata ndërkombëtare “Save the Children”, e cila, që prej 100 vitesh, lufton për të shpëtuar fëmijët e për t’u garantuar të ardhmen. Në situatën aktuale globale, fëmijët dhe familjet e tyre po përballojnë krizën më të vështirë të urisë së dhjetëvjeçarëve të fundit, që i ka çuar deri në dëshpërim. Për të mbijetuar, detyrohen të pinë ujë nga ai i përdorur për kafshët, të hanë mish të qelbur e të luftojnë kundër kafshëve të egra që të sigurojnë ushqimin.

Numri i njerëzve, që vuajnë nga uria, është dyfishuar

Nga të dhënat e këtyre kohëve, del në pah se numri i njerëzve, që vuajnë nga uria, është dyfishuar, duke kaluar nga 135 milion në 276 milion, gjatë dy viteve të fundit. Aktualisht, 750 mijë vetë jetojnë në uri në pesë vende – Etiopi, Jemen, Sudan i Jugut, Afganistan e Somali – për shkak të thatësirës, e cila u shtohet pasojave të pandemisë së Covid-19. “Save the Children” ka destinuar 28,5 milion dollarë për të përballuar emergjencën në 19 shtete.

Lufta në Ukrainë ka rritur çmimet

Lufta në Ukrainë ndikon tejet negativisht në sistemin global të ushqimit, duke shkaktuar rritjen e çmimit të grurit dhe të vajit të lulediellit e, për rrjedhojë, duke e keqësuar krizën serioze ushqimore në vende si Afganistani, Jemeni, rajoni i Sahelit në Afrikën Perëndimore, ku personeli i “Save the Children” vëren gjithnjë e më shumë fëmijë të ushqyer keq, me rrezik për jetën.

Gjendje e vështirë, sidomos në Afrikë

Thatësira e ka vështirësuar jetën në Bririn e Afrikës, ku për katër stinë me radhë, nuk ka rënë shi. “Save the Children” kujton krizën e vitit 2011, që solli 260 mijë vdekje në Somali, me gjysmën e viktimave nën 5 vjeç, duke uruar që një situatë e tillë të mos përsëritet më. Në Kenia, mungon uji; në Etiopinë lindore, kafshët e egra sulmojnë gratë e fëmijët, duke menduar se transportojnë ushqim e ujë; në Somali vlerësohet se deri në fund të vitit, 1,5 milion fëmijë nuk do të mund të hanë si duhet; në Sudanin e Jugut, ku duhej të shkonte pikërisht në këtë periudhë Papa Françesku - i pamundur për shkak të dhimbjes në gju – 63% e popullsisë (7,7 milion vetë) lufton kundër pasigurisë ushqimore, në vitin e tretë të përmbytjeve të mëdha; në Afganistan, 9,6 milion fëmijë vuajnë nga uria, për shkak të një kombinimi fatkeq të krizës ekonomike me ndikimin e luftës në Ukrainë dhe me thatësirën, që vijon.

Askush nuk duhet të detyrohet të zgjedhë ndërmjet ujit e antibiotikëve

 Sipas organizatës ndërkombëtare, kriza aktuale ushqimore është më e rënda e dhjetëvjeçarëve të fundit. Edhe sëmundjet janë të lidhura me urinë e me etjen, nënvizon nutricionistja e “Save the Children” në Kenia, Mthulisi Dube. “Është gjithnjë e më e vështirë të trajtohen fëmijët e sëmurë, sepse familjet janë gjithmonë në lëvizje – shton ajo. - Ne i kemi zhvendosur qendrat tona shëndetësore në pikat më të largëta, larg qyteteve të mëdha, ku bashkësitë e barinjve, normalisht, dinë ku të na gjejnë, por - gjithmonë duke lëvizur në kërkim të ushqimit dhe ujit - ata janë pesë hapa përpara nesh. Të zgjedhësh ndërmjet një gote uji dhe antibiotikëve: kjo nuk është jetë. Askush nuk duhet të ndodhet në këtë gjendje. Nuk është dinjitoze, nuk është e sigurt, është e gabuar, prandaj, vendimmarrësit dhe donatorët duhet të veprojnë tani e shpejt për të parandaluar përkeqësimin e situatës”, bën thirrje Mthulisi Dube.

06 korrik 2022, 12:44