Kërko

Popujt e "First Nations” (Pikturë e Paul Kane) Popujt e "First Nations” (Pikturë e Paul Kane) 

Popujt indigjenë të Kanadasë, një kaleidoskop gjuhësh e kulturash

Bashkësitë aborigjene, që banojnë në territorin kanadez që prej mijëra vitesh, janë të shumëllojshme, kanë tradita e zakone të ndryshme. Udhëtimi apostolik i Papës Françesku, i cili do të qëndrojë në Kanada deri më 30 korrik, karakterizohet nga takimi me këta popuj

R.SH. – Vatikan

First Nations, Inuit dhe Métis. Këto janë popullsitë që Papa Françesku takon në Edmonton, më 25 korrik, gjatë udhëtimit të tij të 37-të apostolik. “Shtegtim pendestar”, siç tha Ati i Shenjtë në Engjëllin e Tënzot të 17 korrikut, “për të kontribuar në rrugën e shërimit dhe të pajtimit të filluar tashmë”.

Në historinë e popujve aborigjenë të këtij vendi ka plagë të thella. Gjatë takimit me delegacionet e popujve indigjenë të Kanadasë, më 1 prill, në Vatikan, Ati i Shenjtë pranoi: “Ndjej turp, dhimbje dhe turp, për rolin që kanë luajtur katolikë të ndryshëm, veçanërisht ata me përgjegjësi edukative, në gjithçka që ju ka lënduar, në abuzimet dhe në mungesën e respektit për identitetin, kulturën e, madje, edhe për vlerat tuaja shpirtërore. E gjithë kjo është në kundërshtim me Ungjillin e Jezu Krishtit. Për qëndrimin e mjerueshëm të atyre anëtarëve të Kishës Katolike i kërkoj Zotit falje dhe dua t’ju them me gjithë zemër: jam tepër i pikëlluar”. Më se 1,67 milion njerëz në Kanada (4,9% e popullsisë kanadeze) janë indigjenë. Popujt, që u përkasin atyre janë tejet të larmishëm.

Përfaqësues indigjenë në Vatikan, për takimin me Papën Françesku
Përfaqësues indigjenë në Vatikan, për takimin me Papën Françesku

First Nations

Termi “First Nations (Kombet e para)” përdoret për t’iu referuar popujve indigjenë të Kanadasë, që nuk janë Métis, ose Inuit. Ata janë banorët e atyre territoreve që para ardhjes së evropianëve. Sipas regjistrave kanadezë, në vitin 2016, indianët lëkurëkuq arrinin në 820.120, 49% e popullsisë indigjene. Ndërkaq, sipas regjistrave indiane, administruar nga Indigenous Services Canada, numri i tyre ishte 970.562, ndërsa nga 30 dhjetori 2019, ata arritën në 1.008.955 vetë. Bashkësitë e First Nations në Kanada janë 634 e përfaqësojnë më se 50 kombe e 50 gjuhë. Përqendrohen kryesisht në Ontario dhe në rajonin e Kolumbisë Britanike, por janë të pranishme në të gjitha provincat kanadeze. Gjithnjë sipas statistikave të vitit 2016, rreth 40% jetojnë nëpër rezervate, 45% në zona urbane, 14% në zona rurale. Një raport i vitit 2019, i hartuar nga Asambleja e First Nations dhe nga Qendra Kanadeze për Politikat Alternative dëshmon se 47% e më se 254.000 fëmijëve të Kombeve të Para në Kanada jetojnë në varfëri. Promovimi i aspiratave kolektive të individëve dhe të bashkësive të kësaj popullsie autoktone për çështjet me interes kombëtar, ose ndërkombëtar, i është besuar Asamblesë së First Nations.

Karficë e popujve First Nations
Karficë e popujve First Nations

Inuit

Inuitët janë popullsi indigjene, që banon kryesisht në rajonet veriore të Kanadasë. Grupet Sivullirmiut dhe Thule, më se 8500 vjet më parë, ishin baza, mbi të cilën u ngrit kultura Inuit. Në vitin 2016, sipas statistikave të Kanadasë, popullsia Inuit përbëhej nga mbi 64.000 njerëz. Ata përfaqësojnë 4% të popullsisë totale indigjene të Kanadasë. Inuitët e quajnë atdheun e tyre Nunangat, fjalë që i referohet tokës, ujit dhe akullit. Shumica e Inuitëve jetojnë në 51 bashkësi, të përhapura në gjithë rajonin Inuit Nunangat, zonë që përbën rreth 35% të sipërfaqes tokësore të Kanadasë dhe 50% të vijës bregdetare të saj. Inuit Tapiriit Kanatami, që më parë quhej Inuit Tapirisat i Kanadasë, është organizatë e themeluar gjatë një takimi në Toronto, në shkurt 1971, nga shtatë drejtues të bashkësisë Inuit. Shtysa për të formuar këtë organizëm rodhi nga shqetësimi i krerëve inuit për tokën dhe burimet e Nunangatit.

Inuitë
Inuitë

Métis

Termi Métis përdoret për të përshkruar bashkësitë me origjinë të përzier evropiane dhe indigjene. Këto bashkësi janë të pranishme në gjithë Kanadanë, veçanërisht në rajonet fushore, në pjesën perëndimore. Metisët e parë ishin fëmijët e grave indigjene dhe të tregtarëve evropianë të gëzofit, në zonën ku ndodhet sot provinca e Manitoba-s. Sipas regjistrimit të vitit 2016, të tillë janë më se 537.000 vetë në gjithë Kanadanë. Të drejtat e popujve aborigjenë u njohën me Ligjin 35 të Kushtetutës së 1982-shit, ku sanksionohet se Métis është një nga tre popujt aborigjenë në Kanada. Që nga viti 1983, kjo popullsi përfaqësohet në nivelin kombëtar e ndërkombëtar nga Këshilli Kombëtar Métis, i cili punon për garantimin e të drejtave të saj. Në vitin 2022, Asambleja e Përgjithshme e Këshillit Kombëtar Métis miratoi këtë përkufizim: “Métis është një person, që e identifikon veten si të tillë, i dallueshëm nga popujt e tjerë aborigjenë, me prejardhje historike nga Kombi Metis”. Gjuha e folur nga një pjesë e popullsisë Métis është Michif, që rrjedh nga gjuha cree dhe frëngjishtja.

25 korrik 2022, 13:28