Ish-kryeministri japonez Shinzo Abe vritet në një atentat
R.SH. – Vatikan
Shinzo Abe, ish-kryeministri japonez, vdiq sot në spitalin e Nara-s, pasi u qëllua me armë ndërsa ndodhej në një tubim për të promovuar partinë e tij të konservatorëve, në fushatën zgjedhore aktuale të vendit.
Abe ka qenë politikani më me ndikim në Japoni, gjatë dekadës së fundit. Përveçse kryeministri më jetëgjatë në historinë e vendit - me një mandat të parë ndërmjet viteve 2006 dhe 2007 dhe me një të dytë në periudhën 2012-2020 - Abe ka qenë arkitekti i rilindjes së Japonisë pas aksidentit bërthamor në Fukushima. Me politikat ekonomike, të cilat morën deri emrin e tij, ai u përqendrua në reformat e sigurisë, në aktivizmin ndërkombëtar, duke u përpjekur ta shkundë një vend në rrugën e plakjes dhe në krizë të thellë shoqërore. Gjatë karrierës së tij, ka qenë një nga politikanët, që e polarizoi më shumë opinionin publik. Pavarësisht nga një problem shëndetësor, që e detyroi të largohej nga udhëheqja e qeverisë në shtator 2020, Abe mbeti aktiv në partinë e tij.
Vitin e kaluar, gjatë konsultimeve për zgjedhjen e kryeministrit të ri, ishte një nga protagonistët e ngjitjes në pushtet të kryeministrit aktual Fumio Kishida. Që atëherë, Abe ka qenë mbështetësi, por edhe rivali kryesor i Kishidës, me të cilin ka pasur debate të ashpra. Roli i Shinzo Abes në skenarin politik ka qenë ai i flamurtarit të reformës së politikave për mbrojtjen dhe sigurinë e vendit. Ai punoi për t’i çuar shpenzimet ushtarake në 2% dhe për të reformuar kushtetutën pacifiste të Japonisë. Tani për tani, sipas një rregulli të pashkruar të politikës japoneze, qeveria nuk duhet të shpenzojë më shumë se 1% për mbrojtjen, por sipas Abes dhe mbështetësve të tij, në skenarin aktual të pasigurisë, shuma duhet të dyfishohet. Gjithashtu, vendi duhet t’u përshtatet parametrave të NATO-s.
Kujtojmë se Japonia, me Kushtetutë, është vend që ka hequr dorë nga potenciali i saj ushtarak. Gjithsesi, mban ushtrinë, forcat detare dhe aviacionin ushtarak, nën emrin “Forca të vetëmbrojtjes”. Propozimi i Abes ishte të shtohej një paragraf në Kushtetutë për t’i ligjëruar ato. Atentatori, që shtiu kundër tij, - 41 vjeçari, Tetsuya Yamagami – është ish-anëtar i forcave detare japoneze. Mendohet se gjesti i tij ka lidhje me politikën e Shinzo Abes, por, tani për tani, nuk ka ndonjë njoftim për këtë. Yamagami u arrestua menjëherë pas atentatit.