Evropë, a janë të persekutuar myslimanët, që ndërrojnë fenë?
R.SH. - Vatikan
Nuk ka Sheriat në Evropë, ndaj nuk mund të bëhet fjalë as për krimin e apostazisë. Megjithatë, myslimanët që ndërrojnë fenë, dënohen edhe nga familjet e tyre, nga të cilat ose përjashtohen, ose sulmohen në mënyra nga më çnjerëzoret, megjithëse shumë më rrallë.
Mbi këtë problem hodhi dritë një raport i Qendrës Evropiane për Ligjin dhe Drejtësinë (ECLJ) në Strasburg, organizatë joqeveritare, tashmë protagoniste e studimeve të rëndësishme. Kohët e fundit tërhoqi vëmendjen e botës me Raportin e saj prej 23 faqesh gjatë mbledhjes së ministrave për çështjen e “Lirisë së Fesë dhe Besimit”, që u mbajt në Londër, nga 5 deri më 6 korrik.
Raporti u paraqit në takimin për apostazinë dhe blasfeminë, gjatë të cilit u dëgjua Ulrika Sundberg, e dërguara e posaçme për dialogun ndërfetar; Ahmed Shaheed, raportues special i Kombeve të Bashkuara për Lirinë e Fesë dhe Besimit, dhe dëshmi të ndryshme, që u ndaluan tek efektet e ligjit të blasfemisë në Jemen, Pakistan, Iran, Sudan dhe vende të tjera.
Raporti i ECLJ ka në qendër të vëmendjes një fenomen shumë pak të njohur dhe të studiuar. Nuk ka të dhëna të sakta as për të kthyerit dhe as për ata, që kanë dhënë dëshmi për raportin. Dëshmitë janë anonime, pa emër e mbiemër, sepse të kthyerit kanë frikë ta tregojnë! Kujtojmë se në Francë, sipas të dhënave të Konferencës Ipeshkvnore, rreth 300 njerëz me origjinë islame, marrin çdo vit Pagëzimin dhe hyjnë në Kishën Katolike.
“Sot në Francë - thuhet në raport - për një mysliman është e vështirë dhe përgjithësisht e rrezikshme të braktisë besimin e tij. Shumica dërrmuese e njerëzve që largohen nga Islami për t’u bërë të krishterë, persekutohen nga familja dhe nga bashkësia, duke nisur nga përbuzja, për të vijuar me dhunën”.
Por jo vetëm në Francë. Raporti mbledh edhe dëshmitë e ish-myslimanëve, që jetojnë në Belgjikë, Angli, Austri dhe vende të tjera. Njëri prej tyre, Nissar Hussain, shtetas britanik me origjinë pakistaneze, pasi u kthye në krishterim, vuajti për vite me radhë. Më 2017, teksa po shkonte drejt makinës, Hussain u sulmua mizorisht nga dy myslimanë me shkopa bejsbolli, të cilët e rrahën gjatë. Skena u regjistrua nga një kamera survejimi e videoja u paraqit në Takimin e Londrës. Sipas raportit, persekutimi nis fillimisht në familje, për të vijuar më pas në bashkësi, por ka edhe persekutim anonim, në çdo kohë, sepse shumë islamikë i gjurmojnë dhe i kërkojnë të kthyemit në fenë e krishterë e, kur i zbulojnë, i kërcënojnë. Për të kaluar, më pas, nga kërcënimi, në ndëshkim!
Në Evropë, Sheriati nuk ka vlerë ligjore, por mund të zbatohet në praktikë. Për shembull, nëse i kthyeri vjen nga një vend i Afrikës së Veriut ku zbatohet Sheriati, mund ta humbasë një pjesë të trashëgimisë. Aspekti i bashkësisë është themelor në Islam, dhe për këtë arsye shumica e myslimanëve reagojnë, duke i dënuar të kthyerit me “vdekje shoqërore”, ndërsa më rrallë synojnë “ta lajnë me gjak” shkandullin e shkaktuar nga i kthyeri.
Raporti vë në dukje se ndërrimi i fesë është edhe më i vështirë për gratë, që mund të persekutohen më lehtë se burrat”, e kjo, për shkak se një grua që e ka ndërruar fenë e të parëve me një fe tjetër, konsiderohet “e pandershme”.
Vjen, pastaj, një problem që nuk duhet anashkaluar. Është ai i persekutimit të dyfishtë të atyre që ndërrojnë fenë në vendlindje, largohen nga vendi dhe jetojnë në mes të emigrantëve të tjerë, të cilët nuk e tolerojnë kthesën e tyre. Reagimi - nënvizon raporti - sjell dëme edhe në vendet e krishtera, në një situatë që tani përsëritet në Evropë: sipas OSBE-së, në vitin 2019 u regjistruan 500 sulme kundër zonave të krishtera.
Së fundi, duhet pasur parasysh se si ndihen të sapopagëzuarit, shpesh të përjashtuar nga bashkësitë e tyre. Edhe kjo, temë për t’u studiuar. Me pak fjalë, kemi në dorë një raport, që duhet lexuar, për të kuptuar edhe se si mund të zhvillohet dialogu, përballë këtyre realiteteve.