BE-ja fillon negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut
R.SH. - Vatikan
Bashkimi Evropian filloi sot (19 korrik) procesin e gjatë të zgjerimit, që synon anëtarësimin e Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut. Çdo integrim përtej 27 shteteve anëtare të BE-së ka mundësi të vijojë për vite të tëra, pavarësisht se të dyja kombet janë marrë parasysh si kandidate që 19 vite më parë. Pavarësisht nga bllokimi i kohëve të fundit, me veton e Bullgarisë, vendet e Ballkanit Perëndimor ngulën këmbë në ambicien e tyre për t’u bërë pjesë e bllokut më të rëndësishëm tregtar në botë. “Sot, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut fillojnë negociatat e pranimit në BE. Ky çast historik është suksesi juaj. Rezultat i punës suaj të palodhur”, i tha kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe atij të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen. “Ky nuk është fillimi i fundit, është vetëm fundi i fillimit”, deklaroi Rama, duke paralajmëruar se koha për anëtarësimin e plotë do të jetë e gjatë e, ndoshta, edhe me pengesa. Çdo anëtarësim i ri duhet të pranohet unanimisht nga vendet anëtarë të BE-së.
Zyrtarisht, procesi ka nisur me paraqitjen e kornizës për negociatat, që do t’i lejojë BE-së të kontrollojë nëse kombet kandidate janë të përgatitura për të zbatuar të gjitha kushtet, normat dhe rregulloret e bllokut. Vendimi, pas të cilit nisi sot konferenca e parë ndërqeveritare me BE-në, erdhi në një çast vendimtar për Brukselin, që sapo i shtriu dorën Ukrainës së shkatërruar nga lufta, për t’i ofruar perspektivën e anëtarësimit, duke shkaktuar polemika me vendet e Ballkanit, që janë mbajtur në pritje për një kohë mjaft të gjatë. E, me veton e Bullgarisë, u desh të kapërcehej një vështirësi tjetër për integrimin e Maqedonisë së Veriut, e cila tërhoqi pas vetes edhe Shqipërinë. Vërtet, javën e kaluar, parlamenti maqedonas bëri hapat e duhura për të kënaqur kërkesat e Bullgarisë, vend-anëtar në BE, që e akuzonte qeverinë e Shkupit për mosrespektimin e kulturës së përbashkët, të lidhjeve gjuhësore dhe historike me bullgarët, të cilët janë pakicë etnike në vend, tashmë, e njohur me Kushtetutë, siç dëshironte Sofia.
Jo më larg se mbrëmë, 27 shtetet e BE-së miratuan hapjen e negociatave për dy shtetet ballkanike. Njoftimin e dha me një tweet kryeministri çek, Petr Fiala, vendi i të cilit ka presidencën e turnit. “Bëmë një hap tjetër të rëndësishëm për ta afruar Ballkanin Perëndimor me BE-në”, shtoi ai pas votës së ambasadorëve të shteteve në Bruksel. Në Pallatin Berlaymont, seli e Komisionit Evropian, tashmë, valëviten edhe flamujt e Shqipërisë e të Maqedonisë së Veriut, krah atyre të 27 shteteve anëtare.