Kërko

 Santuario della Santa Dormizione - Ucraina - Sviatohirsk Santuario della Santa Dormizione - Ucraina - Sviatohirsk

Ukrainë: u shkatërrua manastiri historik ortodoks i “Përgjumjes së Marisë”

Lavra, në Donetsk, u godit më 30 maj nga forcat ruse, në qytetin Svyatogorsk. Vdiq arkimandriti, dy murgjër dhe një murgeshë. Nuk dihet numri i laikëve të vdekur dhe të plagosur

R.SH. - Vatikan

Manastiri historik ortodoks i "Fjetjes së Marisë” (Zojës së Madhe) në qytetin Svyatogorsk, në rajonin e Donetskut, u shkatërrua, më 30 maj, nga bombat ruse. Lajmi u përhap nga kanali i informacionit i Patriarkanës së Moskës, i cili botoi  deklaratën e Mitropolitit Hilarion të Donetskut dhe Mariupolit: “Me dhimbje të thellë ju njoftoj se më 30 maj, gjatë përleshjeve, ndërtesa e Fjetjes së Shenjtë Svyatogorsk u dëmtua”.

Vriten katër vetë

Gjatë sulmit - lexojmë - “u vranë dekani i Lavrës, arkimandriti Galaktion, murgu Aristoklij dhe murgesha Varvara. Hieromurgjërit Joasaph dhe Amfilochius, si dhe Hierodeacon Alipiy, u plagosën. Në këto çaste nuk dihet ende numri i laikëve të vdekur dhe të plagosur”. Mitropoliti kërkon “lutje të shenjta për pushimin e të vdekurve dhe për shërimin e shpejtë të të plagosurve”.

Origjina e shekullit të trembëdhjetë

Sviatohirsk "Lavra e Fjetjes së Shenjtë të Nënës së Zotit" (apo “Mali i Shenjtë”) është manastir i rëndësishëm historik që  rihyn nën juridiksionin e Kishës Ortodokse të Ukrainës nën Patriarkanën e Moskës. Burimet historike e datojnë në mënyra të ndryshme datën e themelimit të manastirit. Sipas disave, zanafilla e manastirit daton në shekullin e 13-të, kur murgjit e Lavrës së Shpellave të Kievit, të arratisur për shkak të pushtimit mongol, gjetën strehim në rajonin, ku vendosën themelet e jetës murgare.

Vend strehimi

Në këto gati njëqind ditë lufte - kujton agjencia e lajmeve SIR - civilët e zhvendosur gjetën strehim në manastir, pavarësisht nga fakti se kompleksi ishte goditur disa herë. Më 12 mars 2022, ai u dëmtua nga një sulm ajror rus në Urën e Donetit aty pranë, në një kohë kur rreth 520 refugjatë ishin të pranishëm në objekt. Shpërthimi dëmtoi xhamat dhe dyert e ndërtesave të manastirit, ndërsa disa persona mbetën të plagosur nga copëzat e qelqeve të thyera. Më 4 maj, bombardimet e përsëritura plagosën shtatë persona të tjerë.

02 qershor 2022, 16:53