Shenjtorët e javës 5 – 12 qershor
R.SH. – Vatikan
E diel 5 qershor, Kisha katolike kremton të solemnitetin e Rrëshajëve. Sot, pra bie festa e ditëlindjes së Kishës, sepse kremtimi i Rrëshajëve, festa e Zbritjes së Shpirtit Shenjt Zot mbi Apostujt në Çenakull së bashku me Marinë, shënon plotësimin e premtimeve të Krishtit: dërgimin e Shpirtit Shenjtë për t’i ndihmuar dishepujt e vet në misionin dhe veprimtarinë e tyre të përhapjes së Lajmit të Mirë, Ungjillit. Jezus u tha: “Do të ju dërgojë Shpirtin Shenjt. Ai do të ju japë forcë, guxim dhe entuziazëm”! Në Zemër të Krishtit është burimi i asaj dashurie që Shpirti Shenjt Zot e derdhi në zemra tona duke na bërë të aftë ta duam Atin sikur e deshti Krishti e duke na nxitur t’i duam vëllezërit dhe çdo njeri, ashtu sikur Ai na ka dashur ne.
Gjithnjë më 5 qershor, kalendari përkujton edhe shën Bonifacin, ipeshkëv e martir, apostull i Gjermanisë e shën Pjetrin e fshatit Korishë afër Prizrenit, oshënar nga Kosova.
Të hënën më 6 qershor, kalendari kishtar përkujton shën Norbertin, ipeshkëv i Magdenburgut, themelues i kanonikëve Rregulltarë Premostratens; shenjtorët Artemin e Paolinen, martirë dhe shën Klaudion, abat e ipeshkëv. Liturgjia e ditës na na kujton se ligji i Zotit është burim i paqes!
Të martën më 7 qershor, kalendari kishtar përkujton shën Anton Maria Gjanelin, ipeshkëv i Bobios, themelues i Bijave të Marisë. Liturgjia e fditës na nxit të reflektojmë mbi rëndësinë që ka jo sasia, por cilësia e dhuratave që u bëjmë të tjerëve me dashuri. E kjo e fundit varet nga zemra.
Të mërkurën më 8 qershor, kalendari kishtar përkujton shën Medardin, ipeshkëv i Nojonit. Liturgjia e ditës na kujton se feja dhe tradita janë dy çelësat, pa të cilët nuk mund ta hapim e ta lexojmë mesazhin ungjillor. Jezusi është njeri i ri, por që ecën në gjurmët e traditës së hebrenjve, bijve të besëlidhjes së parë.
Të enjten më 9 qershor, kalendari kishtar përkujton shën Efremin, diakon e doktor i Kishës, shën Primo-n (Prelën) dhe shën Feliçianin, martirë.
Liturgjia e ditës na kujton se në se dhurojmë me gjithë zemër atë që i duhet tjetrit, të afërmit tonë, atëherë jeta jonë fiton vërtetë kuptim të ri.
Të premten më 10 qershor, kalendari kishtar përkujton shën Landerikun e shën Cenzurin. Liturgjia e ditёs na drejton ftesën e Jezusit që thotë: Ejani tek unë, ju që jeni të lodhur e të shtypur, unë do t’ju ushqej, thotë Zoti. Mësoni prej meje që jam i butë e me zemër të përvujtë.
Të shtunën më 11 qershor, kalendari kishtar përkujton shën Barnabën, apostull. Liturgjia e ditës na kujton se secili nga ne ka nevojë të gjejë rrugën e vet në jetë: Jezusi na fton të ecim pas tij, si grigja pas bariut, drejt gurrave të jetës. E jo vetëm në këtë botë, por në amshim. Ne jemi populli i Zotit, këndon Psalmi i sotëm, grigja që Ai udhëheq.
Të dielën e ardhshme më 12 qershor, Kisha katolike do të kremtojë solemnitetin e Trinisë Shenjte. Gjithnjë më 12 qershor kalendari përkujton edhe shën Onofrin.
Festa e Trinisë Shenjte na thërret jemi bashkësi dashurie e jete sepse Zoti nuk është vetmi e pafund, por bashkim drite e dashurie: këtë na kujton misteri i Njënisë dhe e Trinisë së Tënzot. Hyji është jetë e dhuruar dhe e marrë në një dialog të amshuar ndërmjet Atit e Birit, në Shpirtin Shenjt – i Dashuruar, i Dashur e Dashuri, siç shprehet Shën Agostini. Të kremtosh festën e të Shenjtënueshmes Trini për besimtarin domethënë t’i përgjigjesh dëshirës për ta njohur Zotin gjithnjë më tepër, por edhe të jesh i gatshëm ndaj manifestimit, shfaqjes së Tij Hyjnore: Ai i pari e dëftoi veten porsi Urti, porsi Fjalë dëftuese, porsi Dashuri jetike.