Kërko

Situata në Ukrainë Situata në Ukrainë 

Njëqind ditë luftë për t'i thënë “jo” të gjitha luftërave

Pushtimi rus i Ukrainës mbushi 100 ditë, por nuk po ndalet: ditë vdekjeje dhe shkatërrimi, ndërsa frika për zgjerimin e konfliktit rritet. Tani është shumë e lehtë të flitet për luftë të mundshme bërthamore. Por popujt kanë nevojë për gjeste të guximshme paqeje!

R. SH. - Vatikan

Pushtimi rus i Ukrainës mbushi 100 ditë, por nuk po ndalet: ditë vdekjeje dhe shkatërrimi, ndërsa frika për zgjerimin e konfliktit rritet. Tani është shumë e lehtë të flitet për luftë të mundshme bërthamore. Por popujt kanë nevojë për gjeste të guximshme paqeje!

Njëqind ditë luftë për t'i thënë “jo” të gjitha luftërave

Tashmë kanë kaluar 100 ditë që nga fillimi i kësaj lufte të çmendur: po në horizont nuk i duket fundi. Shqetësimet për zgjerimin e konfliktit po rriten dhe tashmë nuk mund të përjashtohet as një luftë botërore bërthamore. Për të flitet gjithnjë e më shumë. Në TV thuhet se do të mjaftonin vetëm disa sekonda për t’i shkatërruar qytetet e mëdha. E ne po mësohemi me këtë gjuhë. Që na kujton çka do të ishte vetëvrasja e njerëzimit!

Historia na mëson se kur fillon një luftë të vogël, nuk e përfytyron dot sesa e madhe mund të bëhet. E sheh më vonë. Kur një udhëheqës vendos të fillojë luftën, mendon për fitoren e tij të mundshme: por historia na tregon fundin e palavdishëm të një mori prej këtyre liderëve. Historia na mëson se shpesh nuk mëson asgjë nga historia. Dhe gabimet përsëriten. Gabime, të cilat janë vdekjeprurëse për atë që i kryen, e dramatike për njerëzit, që i pësojnë.

Luftërat janë kundër fëmijëve

Ndërkohë, pushtimi rus i Putinit po shkakton vdekje dhe shkatërrim në Ukrainë: Perëndimi ka përgjegjësitë e tij për shkallëzimin e tensionit në zonë, por sulmi rus nuk ka asnjë përligjje. Fëmijët vdesin, civilët vdesin, ndërtesat e banimit, spitalet, shtëpitë, shkollat, kishat, rrënohen. Familjet ndahen, refugjatët dhe personat e zhvendosur numërohen me miliona. Kaq shumë jetë të trandura dhe të shkatërruara në Ukrainë! Një vend i shkatërruar është krim kundër njerëzimit. Edhe në Rusi nënat qajnë bijtë, që nisen për të vdekur, pa e ditur aspak se pse! E në botë sulmohet edhe ekonomia, e cila sapo nisi ta marrë vetem nga goditjet e pandemisë. E tashti u shtuan edhe lufta e gazit, e naftës, lufta e grurit: të varfërit varfërohen edhe më shumë, të urituri kanë më shumë uri. Pa kujtuar këtu urrejtjen që rritet, ndjenjat e inatit, të dhunës dhe të hakmarrjes, që thellohen dhe përgatisin më shumë dhunë, më shumë pakënaqësi, më shumë morte!

Ne duam paqe!

Lufta është çmenduri, ka thënë disa herë Papa Françesku. Është  aventurë pa kthim, pati thënë Gjon Pali II. Ne kemi nevojë për një fjalë paqeje, një profeci që mund t’i thotë me forcë “mjaft” kësaj lufte dhe të gjitha luftërave të harruara në botë: Siria, Jemeni, Etiopia, Somalia, Mianmari... Ne kemi nevojë për guxim, që të gjejmë rrugëdaljen. Ne duhet të guxojmë të rebelohemi kundër luftërave të komanduara nga disa të fuqishëm, që i dërgojnë të tjerët të vdesin. Sa vdekje të tjera do të duhen për të qenë në gjendje të thuash “mjaft”? Kur do të zgjohen popujt për të thënë se duan të jetojnë në paqe?

03 qershor 2022, 13:15