Nata e festës së Shëna Ndout. Kremtim i madh në Laç e Gjakovë
R.SH. - Vatikan
Nata e festës së Shëna Ndout të Padovës, rregulltar françeskan e doktor i Kishës. Kremtim i madh në Padovё, Laç e Gjakovë më 13 qershor. Nderimi ndaj shën Antonit të Padovës i kalon qarqet e Kishës katolike e shkon shumë më gjerë. Shenjti mrekullibërës që lindi në Lisbonë e vdiq në Padovë, nderohet e festohet nga besimtarët e mbarë botës, e po kështu, edhe sivjet nё kohёn e koronavirusit,nё respektimin e masave pёr ruajtjen nga kovid-19, kremtohet e nderohet edhe nga besimtarët shqiptarë kudo.
Shëna Ndout të Padovës, në trevat shqiptare, i kushtohen shumë Kisha e Shenjtërore, ndër to po përmendim dy: atë në Laç të Shqipërisë dhe në Gjakovë të Kosovës, ku sonte e nesër besimtarë nga të gjitha viset shqiptare ngarendin për të marrë pjesë në kremtimet e Meshëve të Shenjte e në lutjet drejtuar Zotit përmes ndërmjetësimit të Shëna Ndout, për nevoja shpirtërore e trupore.
Figura e vepra e Shëna Ndout të Padovës kanë zgjuar interesim përpos tek katolikët edhe ndër ortodoks, budistë e mysliman. Prandaj me të drejtë quhet shenjt universal – shenjti i botës. Shën Antoni apo shëna Ndou i Padovës ishte njeri i palodhshëm në vreshtin e Zotit. Jeta e tij ishte shërbim ndaj vëllait njeri pa dallim, prandaj ishte i pranuar dhe i dashur nga Zoti e nga të gjithë pa dallim.
Shëna Ndout të Padovës
O i lumi e i mrekullueshmi shenjti shëna Ndue,
ndër këmbë të tua po bimë,
e me gjithë fuqi të zemrës sonë
po të lutemi të na nxjerrësh prej Tënzot
hir e forcë që të ndjekim në përvujtëri shenjtë,
ça është aq e këndshme para Zotit,
e aq e dobishme për shpirt.
O shenjti i bardhë,
ti që je i mëshirshëm e dorëdhënë me gjithkënd,
dëgjo lutjen tonë e na plotëso dëshirën e zemrave tona.
Bën o Hyj, që e kremtja e kushtuar shëna Ndout,
Dëshmitarit tënd e Dijetarit,
të gëzojë Kishën tënde,
kështu që kjo, e forcuar prej hirit tënd shpirtëror,
të meritojë e të kapet në gëzime të pambaruara. Amen
Shën Antonit të Padovës
O Zot ki mëshirë!
O Krisht, ki mëshirë!
O Zot, ki mëshirë!
O Krisht ndjena ne!
O Krisht, dëgjona ne!
O Hyj Atë në Qiell, ki mëshirë për ne!
Hyj Bir, Shëlbuesi i botës,
Hyj Shpirt Shenjt,
Trini e Shenjtë, një Hyj i vetëm.
ose
Ati prej qiellit Zot, ki mëshirë për ne!
Biri, shpërblyesi i botës, Zot,
Shpirti Shenjt, Zot,
Shenjta Trini, një i vetmi Zot.
Shën Antoni i Padovës, lutu për ne!
Ti nxënës besnik i shën Françeskut,
Ti stoli e Rendit të vëllezërve të Vegjël,
Ti dritë dhe shtyllë e Kishës,
Ti i fejuari i shenjt i varfërisë,
Ti shëmbëlltyrë e përvujtërisë,
Ti shembull i durimit,
Ti shëmbëlltyrë e dëgjesës,
Ti lilaku më i bukur i paprishur i çiltërisë,
Ti që u denjove të bartësh Jezusin Fëmijë
në duart e tua të shenjta,
Ti që Hyjin tënd me krejt zemër e deshe,
Ti pasqyrë e shenjtërisë së lartë,
Ti shembull i përshpirtërisë së vërtetë,
Ti që më hirin e Hyjit qe mbushur,
Ti kumtuesi i zellshëm i Ungjillit të shenjtë,
Ti mësues dashuriplotë i fesë,
Ti udhëzues i saktë i të lajthiturve,
Ti kundërshtar i forte i gabimeve dhe mëkateve,
Ti ngushëllim i të mjeruarve,
Ti streha e të braktisurve,
Ti ndihmëtari i nevojtarëve,
Ti rigjetësi i sendeve të humbura,
Ti mrekullibërësi i forte,
Ti ndërmjetës lavdishumë i Padovës.
Jezu Krisht, ki mëshirë!
Përmes meritave të shërbëtorit tënd të shenjtë, ki mëshire për ne!
Përmes durimit dhe mirësisë së tij,
Përmes varfërisë së tij të vetëzgjedhur,
Përmes pendesës dhe rojës së tij,
Përmes vetëmohimit të tij të madh,
Përmes punës së tij të madhe për nderin Tënd,
Përmes predikimeve të tij apostolike dhe mësimeve,
Përmes zellit të flaktë të përshpirtërisë së tij,
Përmes dashurisë së tij të madhe kundrejt të afërmit,
Përmes bashkëdhimbjes dhe mëshirës së tij,
Përmes gjakimit për kurorën e martirizimit,
Përmes të gjitha vështirësive që duroj për shkakun Tënd,
Përmes të gjitha shërbimeve të tij kushtuar Ty,
Përmes dashurisë fëmijërore të tij ndaj teje,
Përmes dashurisë, me të cilën Ti e ke pranuar në qiell.
Ne mëkatarët e shkretë, po të lutemi na dëgjo!
Që të na mëshirosh,
Që përmes meritave të Shën Antonit prej çdo njolle të na ruash,
Që në vuajtjet tona të na japësh qëndresën,
Që të denjohesh që në mjerimet tona ndihmën e Shën Antonit ta sprovojmë,
Që sipas dëshirës së tij nga vdekja të na mbrosh,
Që në Mbretërinë tënde të amshuar të na pranosh.
Shpagues hyjnor, pot ë lutem na dëgjo!
O Qengji i Hyjit, që shlyen mëkatet e botës, na fal ne o Zot.
O Qengji i Hyjit, që shlyen mëkatet e botës, dëgjona ne o Zot.
O Qengji i Hyjit, që shlyen mëkatet e botës, ki mëshirë për ne.
O Krisht, ndjena ne!
O Krisht, dëgjona ne!
V. Lutu për ne o Shën Anton,
R. që të bëhemi të denjë për premtimet e Jezu Krishtit.
Të lutem!
O Hyj, Ti që shërbëtorin tënd, Shën Antonin, e zgjodhe për shërimin e botës, dhe përmes shembullit të shenjtë të tij dhe predikimeve të zellshme, të cilat i hoqën dresh dhunës së Djallit shpirtrat, bëj që përmes lutjeve të forta të tij dhe shikimit tënd kah shërbëtori yt të fitojmë hirin hyjnor dhe të kemi pjesë në gëzimin e amshuar. Nëpër Krishtin, Zotin tone. Amen.