Kërko

Evakuimi i ushtarëve ukrainas nga Azovstal Evakuimi i ushtarëve ukrainas nga Azovstal 

Ukrainë, evakuohen ushtarët e plagosur nga uzina e çelikut

Ndër luftëtarët e bllokuar në kompleksin industrial Azovstal, më se 250 mundën të largoheshin nga strehimet e tyre nëntokësore, për t’u trajtuar nga pikpamja shëndetësore. Suedia paraqet kërkesën për hyrje në NATO, ndërsa Turqia vijon të shprehë dyshimet e kundërshtimet e saj

R.SH. – Vatikan

Dita e 83-të e luftës në Ukrainë. Më se 250 luftëtarë u evakuan sot nga uzina e çelikut Azovstal, në Mariupol, për t’u çuar në zonat e kontrolluara nga pro-rusët. Ministria e Mbrojtjes së Kievit deklaroi se 50 ushtarë të plagosur rëndë u dërguan në qytetin Novoazovsk, ndërsa më se 200 të tjerë, në Olenivka. Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë së Ukrainës nënvizoi se po bëhen përpjekje për të shpëtuar të mbeturit në Azovstal. “Heronjtë na duhen të gjallë”, pohoi presidenti ukrainas Zelensky.

Telefonatë Zelensky-Scholz

Ndërkaq, qeveria e Kievit konfirmoi se procesi i bisedimeve për paqen ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës është ndërprerë. Nëse do të rifillojë, deklaroi kreu i delegacionit ukrainas, Mikhaylo Podolyak, “moderatori mund të jetë presidenti Zelensky”. Ky i fundit pati sot një telefonatë me kancelarin gjerman, Olaf Scholz. “Zgjidhja diplomatike e konfliktit – njofton Berlini – nënkupton tërheqjen e trupave ruse”.

Suedia nënshkroi kërkesën për hyrjen në NATO

Nga ana tjetër, Suedia nënshkroi sot kërkesën për hyrjen në NATO. Presidenti turk Erdogan njoftoi se Turqia nuk ka ndërmend të miratojë kërkesën suedeze e finalndeze për integrimin në Paktin e Atlantikut, pasi këto vende strehojnë njerëz, kryesisht kurdë, që Ankaraja i konsideron terroristë. Ndërkohë, presidenti rus Putin pohoi dje se hyrja e të dyja vendeve në NATO nuk përbën kërcënim të drejtpërdrejtë për Rusinë, e cila, gjithsesi, do të reagojë nëse Pakti zhvendos armë në to. Në Estoni e Letoni, këto ditë, janë zhvilluar stërvitje ushtarake, ndër më masivet e NATO-s, në vendet balltike.

17 maj 2022, 13:44