Kërko

Tutti i santi, manoscritto Tutti i santi, manoscritto

Shenjtorët e Javës 29 maj – 5 qershor

E diel më 29 maj, Kisha katolike kremton solemnitetin e tё Ngjiturit tё Krishtit nё Qiell – tё Shёlbuemit, siç quhet tek katolikët shqiptarë. Gjithnjë më 29 maj, kalendari kishtar përkujton edhe shenjtorët martirë anauniezë, tre murgj me origjinë nga Kapadokia – Sizini, Martiri dhe Aleksandri – që u dërguan të ungjillëzonin luginat e Trentinos në Itali nga shën Ambrozi. U martirizuan, por nderimi i tyre edhe sot bashkon Kishën e Lindjes me atë të Perëndimit.

R.SH. – Vatikan

E diel më 29 maj, Kisha katolike kremton solemnitetin e tё Ngjiturit tё Krishtit nё Qiell – tё Shёlbuemit, siç quhet tek katolikët shqiptarë. Gjithnjë më 29 maj, kalendari kishtar përkujton edhe shenjtorët martirë anauniezë, tre murgj me origjinë nga Kapadokia – Sizini, Martiri dhe Aleksandri – që u dërguan të ungjillëzonin luginat e Trentinos në Itali nga shën Ambrozi. U martirizuan, por nderimi i tyre edhe sot bashkon Kishën e Lindjes me atë të Perëndimit.

Festa e të Shëlbuemit na shkëput nga jeta e përditshme, për të na sjell në kundrimin e misterit të Krishtit të vdekur e të Ngjallur. Ky mister i fesë së krishterë e ka plotësimin e vet në të Ngjiturit “në qiell” të Jezu Krishtit, cili “ngjitet” duke bekuar dishepujt e premtuar dhuratën e Shpirtit Shenjtë. Kjo festё na kujton se edhe sot, si në kohët e largëta, jemi të ftuar të hapim mendjen e zemrën, për t’i bërë vend Fjalës Hyjnore që shëlbon. Këtë, pra, na kujton festa e të Shëlbuemit.

Të hënën më 30 maj, kalendari kishtar përkujton shën Ferdinandin, mbret i Kastiljes e shën Zhanën d’Ark, virgjër. Liturgjia e ditës na kujton se në bisedën që bëjnë saducejtë e farisenjtë me Jezusin, gjejmë gjithnjë të vërteta të mëdha e sot, të vërtetën se Zoti është përherë i pranishëm në jetën tonë jo si gjykatës, as si padron, por si Atë që kujdeset gjithnjë për të bijtë.

Të martën 31 maj, kalendari Kishtar kremton festën e Pasisë së Zojës së Bekuar, me të cilën Kisha katolike e mbyll muajin maj kushtuar nderimit të Virgjërës Mari. Zoja e Bekuar shkon të vizitojë Elizabetën. Liturgjia e ditës na kujton se Maria nuk shkon për të kaluar kohën. Ajo bën një udhëtim të vërtetë apostolik, gjatë të cilit kumton Fjalën që i tha Engjëlli i Tënzot dhe këndon mrekullitë e Zotit në jetën e saj. Është dita e fundit e majit, kushtuar Zojës së Bekuar, që kremtohet në të gjitha Kishat katolike të botës, e në këtë ditë, në të cilën kremtohet festa e Pasisë së Zojës, liturgjia shpjegoi se Virgjëra Mari është ikonë mahnitëse e Kishës, me rininë e saj të përhershme, që buron nga Shpirti Shenjt Zot, e Kishës, misionare e Fjalës së Hyjit të Mishëruar.

Të mërkurën më 1 qershor, kalendari kishtar përkujton shën Justinin, filozof e martir. Liturgjia e ditës na kujton se Zoti e do popullin e vet, se i prin drejt së vërtetës, drejt takimit me Hyjin Atë. Zoti zgjedh në histori figura të veçanta për t’i dhënë mesazhe të fuqishme popullit të vet.

Të enjten më 2 qershor, kalendari kishtar përkujton shën Marçelinin meshtar, shën Pjetrin ekzorcist e martir dhe shën Eugjenin, papë. Liturgjia e ditës na kujton se edhe sot, si në kohët e largëta, ftohemi t’i hapim mend e zemër, për t’i bërë vend fjalës që shëlbon.

Të premten më 3 qershor, kalendari Kishtar përkujton shën Karl Lvangën me shokët, martirë të Ugandës e shën Klotildën, mbretëreshë e frankëve. Liturgjia e ditёs na kujton që Jezusi kumton Pashkët e tij, por dishepujt duket se nuk kujtohen fare për këtë: arsyetojnë me logjikën njerëzore të pushtetit. E edhe ne si ata. Logjika e Kryqit mund të fitohet vetëm me shpirtin e shërbimit.

Të shtunën më 4 qershor, kalendari kishtar përkujton shën Françeskun Karaçiolo, meshtar, themelues i Klerikëve të Vegjël Rregulltarë dhe shën Kuirinin, martir. Liturgjia e ditës na kujtojnë se njeriu i drejtë i jep lumni Hyjit me bindjen se feja nuk është prona jonë. Na u dorëzua që të kujdesemi për të, ashtu si vreshti vreshtarëve. Kemi përgjegjësi për lulëzimin e vreshtit, por nuk jemi i zoti.

Të dielën e ardhshme më 5 qershor, Kisha katolike do të kremtojë solemnitetin e Rrëshajëve. Gjithnjë më 5 qershor, kalendari përkujton edhe shën Bonifacin, ipeshkëv e martir, apostull i Gjermanisë. 

Këtë të diele, pra, bie festa e ditëlindjes së Kishës, sepse kremtimi i Rrëshajëve, 50 ditë pas festës së Pashkëve. E kujtojmë se festimi i Zbritjes së Shpirtit Shenjt Zot mbi Apostujt e mbledhur në Cenakull, së bashku me Marinë, shënon plotësimin e premtimeve të Krishtit, do të thotë dërgimin e Shpirtit Shenjt, për t’i ngushëlluar e ndihmuar dishepujt e vet në misionin, veprimtarinë, lodhjen e frikën e tyre. Jezusi u tha: “Do të ju dërgojë Shpirtin Shenjt. Ai do të ju japë forcë, guxim e entuziazëm”! Në zemër të Krishtit është burimi i asaj dashurie që Shpirti Shenjt e derdhi në zemrat tona duke na bërë të aftë ta duam Atin Qiellor, sikur e deshi Krishti, e duke na nxitur ti duam edhe vëllezërit e çdo njeri, siç na ka dashur Ai ne. Me ndihmën e Shpirtit Shenjt Zot, ecim plot shpresë në kërkimin e së vërtetës së plotë, që gjendet në Jezusin e në Atin Qiellor, lumturia e të cilit shkëlqen në mbarë universin

29 maj 2022, 07:51