Kërko

Gesù con discepoli - amatevi gli uni gli altri Gesù con discepoli - amatevi gli uni gli altri

Shenjtorёt e javёs 22 - 29 maj

E diel 22 maj, Kisha katolike kremton tё Dielёn e 6-tё tё Pashkёve e gjithnjë më 22 maj, kalendari përkujton edhe shën Ritën nga Kasha, rregulltare agostiniane dhe shën Julien, virgjër e martire. Jezusi nё Ungjillin e kёsaj sё diele nga Gjoni na flet për dhuratën e premtuar nga Jezusi, para se të largohej nga dishepujt e tij: paqja. Çka nuk vjen nga bota, por nga Shpirti Shenjt, është e thellë, mbetet edhe gjatë sprovave, madje, na jep guxim për të ecur përpara, duke i bërë zemrat të gëzohen.

R.SH. – Vatikan

E diel 22 maj, Kisha katolike kremton tё Dielёn e 6-tё tё Pashkёve e gjithnjë më 22 maj, kalendari përkujton edhe shën Ritën nga Kasha, rregulltare agostiniane, pajtore e njerëzve të pashpresë, së cilës Zoti i dhuroi dijen e forcën e Kryqit dhe e shën Julien, virgjër e martire.

Jezusi nё Ungjillin e kёsaj sё  diele nga Gjoni na flet për dhuratën e premtuar nga Jezusi, para se të largohej nga dishepujt e tij: paqja. Çka nuk vjen nga bota, por nga Shpirti Shenjt, është e thellë, mbetet edhe gjatë sprovave, madje, na jep guxim për të ecur përpara, duke i bërë zemrat të gëzohen. Pra, Jezusi është duke përfunduar misionin që Ati i ka besuar e po kthehet tek Ai, por nuk na lë të vetëm. Ai na premton dhuratën e Shpirtit

Të hënën më 23 maj, kalendari përkujton shën Gjon Baptist de Rosi, meshtar dhe shën Efebio-n Deziderio. Liturgjia e ditës na fton mësojnë në shkollën e Jezusit të duam deri në flijimin e vetvetes e provojmë përqafimin e përmallshëm të dashurisë së Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt Zot.

Të martën më 24 maj, Kisha katolike kremton festën e Zojës Ndihmëtare. Asaj i drejtohen besimtarët me lutje e përgjërime, që të ndërhyjë pranë Atit Qiellor për hallet e dertet e secilit. Kjo Zojë e Bekuar nderohet në shumë treva shqiptare, ku Nënës së Krishtit i janë kushtuar kisha të lashta e të reja. Po në këtë ditë, përkujtohet edhe shën Vinçenc Lerini.

Të mërkurën më 25 maj, kalendari përkujton shën Bedën, meshtar benedektin e Doktor i Kishës, shën Marinë Madalenë de Paci, virgjër dhe shën Gregorin VII, papë. Liturgjia e ditës u tërheq vëmendjen të krishterëve të mos shkëputen nga Krishti, sepse pa Të nuk janë më të zotë për asgjë. Nëse qëndrojmë të bashkuar me Krishtin, edhe sprovat më të rënda të jetës japin fryte të mrekullueshme.

Të enjten më 26 maj, kalendari kishtar përkujton Shën Filip Nerin, meshtar. Shenjti i oratoreve të Kishës, ku gjithnjë janë mbledhur fëmijët për të mësuar e për t’u argëtuar, na jep shembullin e jetës për çdo meshtar, që ka për detyrë punën delikate të edukimit të brezit të ri të krishterë. Po këtë ditë, përkujtohen shën Eleuteri, papë, shën Lamberti i Vençes dhe shën Simetri, martir.

Të premten më 27 maj, kalendari kishtar përkujton shën Agustinin, kryeipeshkëv i Kanterburit, e shën Brunon Restituto. Liturgjia e ditës na fton të mos e humbasim identitetin e krishterë, e të kujtojmë urdhërimin e Jezusit: duajeni njëri-tjetrin, ashtu siç ju kam dashur unë ju, deri në flijimin e jetës.

Të shtunën më 28 maj, kalendari kishtar përkujton shën Gjermanin, ipeshkëv i Parisit, shën Emilianin apo Vilin e të Lumen Maria Bartolomea Banjezi. Kur shohim shenjtorët, që shpesh martirizohen, nuk mund të mos pyesim: “A është e mundur, që ata, të cilët mbartin mesazhin ungjillor të dashurisë, të urrehen e të persekutohen? Është shumë e mundur madje! Mjafton të kujtojmë Krishtin. Atij i përkasim e jo botës.

Të dielën e ardhshme më 29 maj, Kisha katolike do të solemnitetin e Shëlbuemit. Festa e të Shëlbuemit na kujton se trishtimi për kthimin e Krishtit tek Ati Qiellor, shndërrohet në gëzim, sepse Zoti na premton Ngushëlluesin. E është pikërisht Shpirti Shenjt që do t’i bindë ata që nuk besojnë, për lumninë përfundimtare të Krishtit e për dënimin e tij të padrejtë me vdekje. Prandaj, me ndihmën e Shpirtit Shenjt ecim plot shpresë në kërkim të së vërtetës së plotë, që gjendet në Jezusin e në Atin Qiellor, lumturia e të cilit shkëlqen në mbarë universin, siç dëshmon kjo festë e  të Shëlbuemit që Kisha kremton të dielën e ardhshme.

Gjithnjë  më 29 maj, kalendari përkujton edhe shenjtorët martirë anauniezë, tre murgj me origjinë nga Kapadokia – Sizini, Martiri dhe Aleksandri – që u dërguan të ungjillëzonin luginat e Trentinos në Itali nga shën Ambrozi. U martirizuan, por nderimi i tyre edhe sot bashkon Kishën e Lindjes me atë të Perëndimit.

22 maj 2022, 09:04