Kërko

Himni europian

Himni europian, melodia, që e shoqëron çdo çast të ëmbël a të hidhur të Bashkimit Evropian, është marrë nga Simfonia e Nëntë, e kompozuar në 1823 nga Ludwig van Beethoven.

R.SH. - Vatikan

Melodia, që e shoqëron çdo çast të ëmbël a të hidhur të Bashkimit Evropian, është marrë nga Simfonia e Nëntë, e kompozuar në 1823 nga Ludwig van Beethoven. Gjeniu i muzikës botërore muzikoi kështu “Himn për Gëzimin” - “Hymn to Joy”, duke u frymëzuar nga poezia me të njëjtin titull, shkruar nga Friedrich von Schiller, më 1785.

Himni evropian

Tingujt betovianë nuk simbolizojnë vetëm Bashkimin Evropian, por mbarë  Evropën. Kontinetin, që në rrjedhë shekujsh rrezatoi shumë fe, shumë etje për liri, shumë dritë e shumë dije mbi gjithë botën! Ndaj meritonte t’i këndohej një Himn. E Himni i Gëzimit shpreh edhe idealin e Shilerit për krijimin e një  lidhjeje vëllazërore ndërmjet njerëzve, ndjenjë e fisme, që frymëzoi muzikën e Beethovenit të pavdekshëm, si vetë Evropa, së cilës i këndoi!

Në vitin 1972 Këshilli i Evropës miratoi temën e “Odës së Gëzimit” kompozuar nga Beethoven, si himn të saj. Në vitin 1985 u miratua nga krerët e shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare si himn zyrtar i Bashkimit Evropian. Himni nuk ka tekst. Eshtë vetëm muzikë, ndonëse  tingujt betovianë i flasin më tingëllueshëm se fjalët evropianëve. Me gjuhën universale të muzikës, ky himn shpreh idealet e lirisë, të paqes dhe solidaritetit, idealet e vetë Evropës.

Himni evropian nuk synon të zëvendësojë himnet kombëtare të vendeve anëtare, por më tepër të kremtojë vlerat e tyre të përbashkëta. Interpretohet në ceremonitë zyrtare, me pjesëmarrjen e Bashkimit Evropian dhe në përgjithësi, në të gjitha ngjarjet e mëdha evropiane. Si e sotmja!

09 maj 2022, 11:52