Kërko

Dita Botërore e lirisë së shtypit

Dita Botërore e lirisë së shtypi na kujton rёndёsinё qё ka liria e informacionit: e drejta për t’u informuar dhe pёr tё ditur. Objektivi kryesor është të kujtohen pikёrisht parimet themelore, nga të cilat rrjedh e drejta e informacionit, duke u bërë homazhe edhe të gjithë gazetarëve, që kanë humbur jetën në krye të detyrës

R.SH. - Vatikan

Sot bie Dita Botërore e lirisë së shtypit. Edhe ky vit na kujton rёndёsinё qё ka liria e informacionit: e drejta për t’u informuar e pёr tё ditur. Objektivi kryesor është të kujtohen pikёrisht parimet themelore, nga të cilat rrjedh e drejta e informacionit, duke u bërë homazhe edhe të gjithë gazetarëve, që kanë humbur jetën në krye të detyrës.

Në vitin 1993, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, bazuar edhe në nenin 19 të “Deklaratës së të Drejtave të Njeriut” mbi lirinë e shprehjes, shpalli 3 Majin si Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit. Kjo ditë shënohet çdo vit në mbarë botën.

3 maji, sipas Kombeve të Bashkuara, shërben për të nënvizuar parimet themelore të lirisë së shtypit si dhe për të vlerësuar këtë liri në mbarë botën. Gjithashtu në këtë ditë theksohet rëndësia e mbrojtjes së mediave nga sulmet ndaj lirisë së tyre dhe nderohen gazetarët që kanë humbur jetën në krye të detyrës.

Çmimi 2022 Shoqatës sё Gazetarëve të Bjellorusisë

Në vitin 2022, çmimi i shkon Shoqatës së Gazetarëve të Bjellorusisë (AJB). E themeluar në vitin 1995 si një shoqatë joqeveritare e punonjësve të mediave, organizata bashkon më shumë se 1300 gazetarë dhe është anëtare e Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve (IFJ) dhe e Federatës Evropiane të Gazetarëve (EFJ). Në gusht 2021, pas një kontrolli policor në zyrat e saj, Gjykata e Lartë e Bjellorusisë, me kërkesë të Ministrisë së Drejtësisë, urdhëroi shpërbërjen e grupit.

"Për njëzet e pesë vjet, çmimi i UNESCO / Guillermo Cano ka tërhequr vëmendjen e botës ndaj guximit tё gazetarëve që kanë treguar vetëflijim në kërkimin e tyre për të vërtetën dhe transparencën. Edhe një herë shembulli i tyre na frymëzon dhe na kujton rëndësinë qё u duhet  siguruar gazetarëve, kudo që janë, qё të mund të punojnë lirshëm e të sigurt”, tha drejtoresha e përgjithshme e UNESCO-s, Audrey Azoulay. Çmimi do të jepet gjatë një ceremonie në Punta Del Este, Uruguaj, ku po zhvillohet Konferenca Botërore për Lirinë e Shtypit.

Mungesa e lirisë së shtypit ndikon mbi të gjitha liritë themelore

Mund të themi se mungesa e lirisë së shtypit ndikon mbi të gjitha liritë tjera themelore. Kjo është njëra nga liritë e para shoqёrore e politike, pasi formimi i një opinioni publik të ndërgjegjshëm, si shtyllë e vetë demokracisë, mbahet vetëm nëse qarkullon informacioni i lirë dhe i ndershëm. Në të gjitha regjimet që dhunojnë lirinë – totalitarë apo plebishitarë – gjëja e parë që bëhet është prerja e krahëve lirisë së informacionit.

Shtypi i Lirë konsiderohet si dritarja që shërben për të zbuluar abuzimet e të drejtave themelore të njeriut, ai përbën lirinë e shprehjes. Në kuadër të kësaj lirie, mediat dhe gazetarët kanë rëndësinë dhe përgjegjësitë e tyre.

Të lutemi për të gjithë ata që punojnë në mjetet e komunikimit

Dita botërore kushtuar lirisë së shtypit, është një mёnyrё dhe njё nga mjetet për të zbuluar problemet e për të rifituar besimin e opinionit publik kur qeveritë i shtypin popujt, duke iu larguar çdo lloj kontrolli. Prandaj, në këtë Ditë Botërore të lirisë së shtypit të lutemi për të gjithë ata, të cilët punojnë në mjetet e komunikimit, që ta respektojnë gjithnjë të vërtetën, solidaritetin dhe dinjitetin e çdo njeriu e populli.

03 maj 2022, 13:27