Kërko

 Il 20 maggio si celebra la Giornata mondiale delle api per sensibilizzare l'opinione pubblica sull'importanza di questi insetti e di altri impollinatori. Il 20 maggio si celebra la Giornata mondiale delle api per sensibilizzare l'opinione pubblica sull'importanza di questi insetti e di altri impollinatori.

Bletët, roje të zellshme, që të mësojnë si të jetosh në paqe

Kremtohet sot, 20 maj, Dita Botërore e Bletës, këtij insekti të vogël, që fluturon lule më lule e duket sikur sillet kot gjithë ditën e lume, si shumë njerëz në këtë botë të madhe. Po sa rëndësi ka prania e bletëve në jetën tonë. Sa shumë duhet vlerësuar puna e tyre

R.SH. - Vatikan

Kremtohet sot, 20 maj, Dita Botërore e Bletës, këtij insekti të vogël, që flutron lule më lule e duket sikur sillet kot gjithë ditën e lume. Po sa rëndësi ka prania e saj në jetën tonë.

Jo vetëm për mjaltin, natyrisht. Bletët pjalmuese, duke fluturuar lule më lule, i shërbejnë njeriut për të mbajtur gjallë blerimin e botës. Ndaj festa e sotme kushtuar bletës së vogël, është festë e madhe. Festohet për të thelluar ndërgjegjësimin e publikut lidhur me rëndësinë e këtyre insekteve dhe të pjalmuesve të tjerë. Na kujton edhe disa shprehje nga Enciklika “Laudato si’ e Papës Françesku si dhe fjalët e drejtuara nga Piu XII më 1947 një grupi bletërritësish.

Zhdukja e bletëve rrezikon sigurinë ushqimore

Zhdukja e bletëve do të rrezikonte sigurinë ushqimore dhe vetë të ardhmen e njerëzimit. Fjalë të mëdha - për një insekt kaq të vogël! Por plotësisht të merituara! Pak i shërbejnë vetes, e shumë  njerëzve, bimëve dhe mjedisit. Duke e mbartur polenin lule më lule, ato krijojnë mundësitë për prodhimin e begatë të frutave, e përmirësojnë edhe cilësinë e tyre. Së bashku me pjalmuesit e tjerë - përfshirë edhe lakuriqët e natës, brumbujt dhe kolibrat - bletët luajnë një rol të rëndësishëm në ruajtjen e biodiversitetit, sigurojnë mbijetesën dhe riprodhimin e shumë bimëve, mbështesin rigjenerimin e pyjeve e përmirësojnë sasinë dhe cilësinë e prodhimit bujqësor.  

Bletët punëtore janë vetëm femra: ato i mbysin menjëherë meshkujt përtacë, që duan vetëm ta hanë mjaltin, po jo ta mledhin lule më lule, menjëherë pasi luajnë rolin e tyre për përtëritjen e zgjoit dhe lindjen e mbretëreshës. Bletaria, veprimtari e përhapur në mbarë botën, ushtrohet nga miliona bletarë, jeta e të cilëve varet nga bletët!

Dita botërore

Dita Botërore e Bletës nisi të kremtohet me dëshirën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara më 20 maj, në ditën e lindjes së pionierit slloven të teknikave të bletarisë Anton Janša (1734-1773). Sivjet kremtohet me temën: “Festojmë biodiversitetin e bletëve dhe sistemet e bletarisë”. E meritojnë bletët e vogla, që fluturojnë pa puishim lule më lule, kremtimin e ditëlindjes, me vetëdijën se pa ta jeta do të kishte më pak lule, më pak blerim, më pak ëmbëlsi!

20 maj 2022, 12:38