Kërko

Parada e presidentit rus Vladimir Putin Parada e presidentit rus Vladimir Putin 

9 maji, Ukraina, Putin: Evropa duhet të mbrojë sërish paqen

Lufta, mbrojtja e përbashkët, zëri i qytetarëve: kremtimi i përvjetorit të Deklaratës Schuman të 9 majit 1950, këtë vit, merr tone dramatike, për shkak të krizës ukrainase e të vendosmërisë së presidentit rus Putin për të vijuar luftën. 77 vite pas fitores mbi nazizmin, kremtuar sot me paradën e shumëpritur në Moskë, mbi Evropë sillet sërish fantazma e konfliktit, që shtron mbi tryezën e Brukselit çështje të rëndësishme si mbrojtja e përbashkët

R.SH. – Vatikan

Në një kohë ende nën pandeminë e koronavirusit, pushtimi rus i Ukrainës dëshmon edhe një herë sa thelbësore janë solidariteti, bashkëpunimi dhe uniteti, vlera, që së bashku me demokracinë, të drejtat dhe paqen, përbëjnë shtyllat e Evropës, ashtu siç e ëndërruan etërit e saj themelues. E megjithatë, këto kohë, ajo paraqitet pak e bashkuar, siç tregon fakti i mosmiratimit të paketës së gjashtë të sanksioneve kundër presidentit rus Putin, votuar nga ambasadorët e shteteve të BE-së dje paradite në Bruksel, në prag të festës së Evropës.

Deklarata Schuman

Sot, më 9 maj, popujt evropianë kujtojnë Deklaratën e njërit prej Etërve të Evropës, Robert Schuman, i cili, në vitin 1950, propozonte krijimin e Komunitetit Evropian të Karbonit e të Çelikut, anëtarët e të cilit të punonin së bashku pikërisht për prodhimin e karbonit e të çelikut. CECA – themeluesit e së cilës ishin Franca, Gjermania perëndimore, Italia, Vendet e Ulta, Belgjika dhe Luksemburgu – u bë kështu, e para nga një sërë institucionesh mbikombëtare, që sollën deri në Bashkimin Evropian në vitin 1992. Më 1950, kombet evropiane, përpiqeshin ende të rimëkëmbeshin nga pasojat shkatërrimtare të Luftës II Botërore, përfunduar gati 5 vite më parë. Të vendosur për të mos lejuar përsëritjen e një konflikti të tillë të tmerrshëm, qeveritë evropiane besuan e vazhdojnë të besojnë se lufta – siç pati thënë Schuman – do të ishte “jo vetëm e pamendueshme, por materialisht e pamundur”. Nisma çoi në më se 70 vite paqeje, kërcënuar sot, për ironi të fatit, pikërisht nga ata që më 9 maj, në ditën e Evropës, kremtojnë fitoren mbi nazizmin.

Putin: “Perëndimi përgatitej të na pushtonte. Yni, operacion parandalues”

Sot paradite, gjatë paradës së shumëpritur ushtarake për Ditën e Fitores, në Sheshin e Kuq të Moskës, presidenti rus Putin deklaroi: “Në fund të vitit të kaluar, Perëndimi po përgatiste haptazi një sulm në Donbas dhe në Krime”, në Kiev kishte kërkesa për armë bërthamore, që përbënin “një kërcënim të papranueshëm në kufirin tonë”. “Perëndimi po përgatiste pushtimin e territoreve tona”, pohoi Putin, për të cilin ofensiva kundër Ukrainës është “operacion parandalues, i nevojshëm dhe i drejtë”. Presidenti rus kujtoi më pas se u ka kërkuar vendeve të NATO-s një marrëveshje, që t’i japë garanci për sigurinë e Rusisë, por, u ankua kreu i Kremlinit, “nuk na kanë dëgjuar kurrë”.

Asnjë shpallje e rëndësishme

Presidenti rus lavdëroi më pas ushtarët, duke nënvizuar se po luftojnë “për sigurinë e atdheut”. “Tmerri i një lufte globale nuk duhet të përsëritet”, nënvizoi ai, duke vënë në dukje edhe kontributin e aleatëve perëndimorë në fundin e Luftës II Botërore e duke denoncuar se veteranë amerikanë nuk janë lejuar të marrin pjesë në paradën moskovite. Vdekja e çdo ushtari e oficeri, iu kthye ai luftës në Ukrainë, është “humbje e pashlyeshme”, prandaj, “qeveria do të bëjë gjithçka për të ndihmuar familjet e tyre”. Gjatë fjalimit, Putin nuk bëri asnjë shpallje me rëndësi, pavarësisht se analistë të ndryshëm kishin parashikuar që në retorikën e carit të Moskës, konflikti në Ukrainë mund të kthehej nga “operacion ushtarak parandalues” në “luftë” të vërtetë.

Patriku Kirill mori pjesë në paradë

Në paradë mori pjesë edhe Patriku Kirill, autoriteti më i lartë i Kishës Ortodokse të Moskës. Pamjet televizive e vunë në dukje pranë zv.presidentit të Këshillit rus të Sigurimit, Dmitri Medvedev. Ndërkaq, nuk u pa gjenerali Valery Gerasimov, shefi i shtabit të forcave të armatosura ruse. Parakaluan 11 mijë ushtarë dhe 131 automjete, përfshirë ushtarë nga Donbasi. Fluturimet ajrore u anuluan “për shkak të motit të keq”.

NATO mbështet Ukrainën

E ndërsa një bombë kundër një shkolle ukrainase, në rajonin e Luganskut, shkakton 60 viktima civile, Rusia rreshton 6 anije me më se 50 raketa, si edhe 2 nëndetëse, në Detin e Zi, para brigjeve të Ukrainës. Në Mariupol u evakuan 170 vetë, në ditën kur G7-a e akuzoi Kremlinin për dhunimin e Kartës së OKB-së. NATO-ja vazhdon të mbështesë Kievin, siç dëshmoi vizita e djeshme e “first lady” amerikane, Jill Biden, në kryeqytet, ndërsa kryeministri kanadez, Justin Trudeau, shkoi në Irpin, qytezë në periferi të Kievit, shkatërruar nga bombardimet.

Mbrojtja e Evropës

Përveç NATO-s, edhe Bashkimi Evropian mund të pajiset me mjete për mbrojtjen e vendeve anëtare. Siç vërejnë ekspertët, në këtë ditë kushtuar pikërisht Evropës, ekziston Traktati CED, dashur me forcë nga De Gasperi e Spinelli, në vitet 1952-1954 e nënshkruar pikërisht 70 vite më parë, më 27 maj 1952. Traktati, fatkeqësisht, u hodh poshtë nga parlamenti francez, për arsye të tjera, që s’kishin të bënin me tekstin, por ai mund të rimerret sërish në dorë, në kuadrin aktual, duke pasur parasysh se dialogu në këtë drejtim nuk është ndërprerë kurrë e se mbrojtja e Evropës konsiderohet një nga shtyllat, edhe për veprimtarinë e NATO-s.

09 maj 2022, 12:26