Kërko

Presidenti ukrainas Zelensky në Bucha Presidenti ukrainas Zelensky në Bucha

Ukrainë, goditet spitali pediatrik në Mykolaiv. Zelensky në OKB

Presidenti ukrainas Volodymir Zelensky flet sot në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për masakrën e Bucha-s, ndërsa në Mykolaiv, bombat goditën një spital pediatrik. Shumë vende evropiane po dëbojnë diplomatë rusë nga territori i tyre, ndërsa bëhet urgjent ashpërsimi i sanksioneve

R.SH. – Vatikan

Dita e 41-të e luftës në Ukrainë. Ndërsa Moska vijon të mohojë përgjegjësinë për masakrën e Bucha-s, gazeta amerikane “Neë York Times” kontrollon me satelit vërtetësinë e fotografive, që tronditën botën. Sipas saj, kufomat e lëna nëpër rrugë shiheshin me satelit që prej javësh, pra, para tërheqjes së trupave ruse.

Zelensky flet sot para Këshillit të Sigurimit të OKB-së

Ndërkaq, presidenti ukrainas Volodymir Zelensky flet sot para Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Dje, vizitoi qytetin e Bucha-s, duke i quajtur ushtarët rusë “kasapë” e duke paralajmëruar se do të ketë pamje të tjera të ngjashme me atë masakër civilësh edhe në fshatrat e tjera, të pushtuara nga rusët. Pikërisht në perëndim të Kievit janë gjetur pesë civilë të masakruar. Ndër ta, edhe kryetarja e bashkisë së fshatit, së bashku me familjen, të gjithë të ekzekutuar me duar të lidhura pas shpine. Kremlini, nga ana e tij, deklaron se masakra e Bucha-s është inskenim dhe se provat për këtë do të paraqiten në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Biden: Vladimir Putin të hidhet në gjyq për krime lufte

Në planin ndërkombëtar, presidenti amerikan Joe Biden kërkoi që presidenti rus Vladimir Putin të hidhet në gjyq për krime lufte. Natyrisht, Moska i quajti “të papranueshme” deklaratat e tij. Nga ana tjetër, shumë vende të Evropës, si Franca, Gjermania, Italia, Spanja e të tjera po dëbojnë diplomatë rusë, shpallur të padëshiruar. Edhe në këtë rast, Moska njoftoi se do të përgjigjet ashpër. Bashkimi Evropian, siç pohoi Përfaqësuesi i lartë për Politikën e Jashtme, Josip Borrell, “do të paraqesë me urgjencë sanksione të reja kundër Rusisë”. Vetë Borrell, së bashku me kryetaren e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të shkojë brenda javës në Kiev. Të shtunën, në Varshavë të Polonisë, do të mbahet Konferenca e donatorëve për Ukrainën.

Në Mykolaiv goditet një spital pediatrik

Ndërkaq, në terren vijojnë të dëgjohen sirenat e alarmit. Sipas ukrainasve, rusët po përdorin bomba copëtuese, ndaluar nga konventat ndërkombëtare. Në Mykolaiv është goditur edhe një spital pediatrik, duke shkaktuar viktima ndër pacientët e vegjël. Mbeten ende të rrethuar qyteti i Kharkiv-it, pak kilometra larg kufirit rus, dhe Mariupol, ku bombardimi me artileri shkatërron banesa civile e infrastruktura.

05 prill 2022, 14:16