Kërko

 Prof. Dr. Peter Bartl Prof. Dr. Peter Bartl 

Prof. Ardian Ndreca: Prof. Dr. Peter Bartl studiues e mësues i historisё shqiptare

Prof. Dr. Peter Bartl qe bashkëpunëtor i prof Ernest Koliqit tek Shejzat, profesor nё Universitetin e Mynihut, bashkёpunoi me “Albanische Forschungen”, zbuloi e studioi dokumente tejet tё rёndёsishme mbi historinё e shqiptarëve siç dёshmojnё shumё vepra si “Myslimanёt shqiptarё nё lёvizjen pёr pamvarёsi kombёtare”, pesё vёllimet e “Albania Sacra” etj

R.SH. - Vatikan

Ndërroi jetё mё 29 mars 2022, në moshën 84-vjeçare, Prof. Peter Bartl,  studiues i shquar i historisë shqiptare. Bota e kulturës e veçanërisht albanologjia e historia humbën hulumtuesin e jashtëzakonshëm, qё diti tё zbulojё dhe të interpretojё dokumentet burimore tё historiografisë sё shqiptarëve e jo vetёm.

Mbi figurёn e kёtij studiuesi tё madh, tё dёgjojmё Prof. Ardian Ndrecën, pedagog në Universitetin Papnor Urbanian:

Prof. Ardian Ndreca mbi Prof. Peter Bartl

Peter Bartl e gjejmë mё 1968 si bashkëpunëtor i prof Ernest Koliqit tek revista Shejzat, qe redaktor pёr pjesën gjermanishte tё kësaj reviste, por përgatiti recensione e artikuj shkencorë, deri nё numrin përkujtimor mbas vdekjes sё themeluesit tё saj.

Punoi gjatё si Profesor nё Universitetin e Mynihut, ku, mes tjerash, mbajti gjallё, nëpërmjet  bashkëpunimit me revistën “Albanische Forschungen” edicionin e sё cilës e drejtoi gjatё dhe  shtëpinë botuese Harrassowitz-Verlag, studimet historike si dhe botimin e burimeve studimore rreth Shqipёrisё e trevave shqiptare. Nё Universitetin e Mynihut drejtoi edhe Institutin e Shqipërisë, qendër studimore me bibliotekë të pasur, që i kushtohej Shqipërisë e trevave shqiptare.

Së bashku me Martin Camajn, Gerhard Grimmin etj., Peter Bartl është një ndër frymëzuesit e përkrahësit e serisë Albanische Forschungen, pa dyshim më e mira seri albanologjike deri në ditët tona, ku janë botuar, ndër të tjera, monografitë për Hahnin (1964) e Ippenin (1967), “Fjalëformimi i shqipes“ i Camajt, dy vëllimet për ndikimin e turqishtes në shqipe të N. Boretzkyt, triologjia e Arshi Pipës për vargëzimin popullor shqiptar, De Rada e të tjerё.

Ndёr monografitë e tij kujtojmë atё me titull “Myslimanёt shqiptarё nё lёvizjen pёr pamvarёsi kombёtare” (Die albanischen Muslime zur Zeit der nationalen Unabhängigkeitsbewegung (1878-1912). Wiesbaden 1968); “Shqipёria. Nga mesjeta deri nё ditё tona” (Albanien. Vom Mittelalter bis zur Gegenwart. Regensburg 1995); “Ballkani perëndimor midis monarkisë spanjolle e perandorisë osmane”(Der Westbalkan zwischen spanischer Monarchie und osmanischem Reich. Zur Türkenkriegsproblematik an der Wende vom 16. zum 17. Jahrhundert. Wiesbaden 1974) e shumё tё tjera.

Njё rёndёsi tejet tё veçantё pёr pasurimin e burimeve parёsore pёr historigrafinё shqiptare kanё vёllimet me titull ““Albania Sacra”, qё përmbledhin vizitat baritore nё dioqezat kishtare tё Lezhёs, Durrёsit, Sapёs, Pultit dhe Shkodrёs, prej shekullit XVII deri nё shekullin XX. Punёn kolosale pёr zbulimin, zbardhjen dhe pajisjen me aparat kritik tё tё dhënave historike, Peter Bartl e kreu nё vitet tetëdhjeta nё hulumtimet e tij tё gjata pranë arkivit tё Kongregatës sё Selisё sё Shenjtё ‘Propaganda Fide’.

Prof. Dr. Peter Barl ёshtё njё historian tipik, sepse përpiqet me metodologjitë e mirëfillta shkencore, t'i mbledhë dokumentet dhe t'i paraqesë faktet, duke i ndenjur larg tundimit tё atyre qё kёrkojnё "scoop" dhe qё interpretojnë nё mёnyrё subjektive historinё e njё populli.

Me vdekjen e Peter Bartl, mjerisht, mbyllet vazhda e lavdishme e historianëve gjermanë, që merreshin me trevat shqiptare, por sot, fatmirësisht, pohon Prof. Ardian Ndreca, shqiptarёt kanё kushtet e duhura, qё, tё çliruar prej vargonjve tё ideologjisë  sё djeshme e madje tё deritanishme marksiste, tё ecin nё gjurmët e tij pёr t’u thelluar nё hulumtimin e historisë sё popullit të tyre. Duke plotësuar kështu, testamentin e rёndёsishёm të profesorit Peter Bartl.

02 prill 2022, 11:26