Kërko

Refugjatët ukrainas në kufirin me Moldavinë Refugjatët ukrainas në kufirin me Moldavinë

Ukrainë: mijëra në ikje nga lufta, porta të hapura në Moldavi

Fluks i pandërprerë refugjatësh, që shtyhen në kufi, pasojë e luftës në Ukrainë. Orë të tëra në radhë, para se të kalojnë kufijtë e Republikës së vogël Moldave dhe të mbërrijnë në kampet e mikpritjes, ku organizmat e Kishës dhe Ojq-të japin një kontribut themelor. Të dërguarit e Radio Vatikanit – Vatican News tregojnë historinë e eksodit të ukrainasve

R.SH. - Vatikan

Alessandro Guarasci – Chisinau

Motër Iuliana, atë natë kur Rusia filloi të bombardonte Odesën, mendoi se po dëgjonte bubullimat e ndonjë stuhie. Murgesha jeton në Chisinau, kryeqytet i Moldavisë, rreth 100 kilometra larg nga qyteti ukrainas. Bombat shungullonin kaq fort sa ishte e pamundur të mos i dëgjoje. Tani, së bashku me motrat e saj, ajo strehon familje refugjatësh dhe dëshmon vuajtjet, që bartin ata, të cilët u detyruan të lënë shtëpitë në Ukrainë.

Motër Rosetta Benedetti, misionare e Provanisë Hyjnore, jeton në Chisinau që nga viti 2009. Dëshmia e saj vjen nga zemra, kur tregon se këta njerëz mbërrijnë “të rraskapitur, jo vetëm fizikisht, por edhe shpirtërisht. Na erdhi një grua pa dokumente, e pashë të dëshpëruar. Por mjaftoi një përqafim për t’i dhënë zemër. Këto gra e këta burra kanë ankth përbrenda e rrallëherë e nxjerrin jashtë”.

Fluks i vazhdueshëm në kufi

Në postën kufitare të Palanca-s, ndërmjet Moldavisë dhe Rumanisë, mbërrijnë çdo ditë mijëra vetë e kalimi i kufirit mund të zgjasë deri në dhjetë orë. Pasi mbërrijnë në anën tjetër, i hipin në mikrobusë dhe i çojnë në kampet e mikpritjes, ose në ndërtesa të administruara nga organizata të ndryshme. Disa kanë ide të qarta: do të qëndrojnë në Moldavi për tre-katër ditë dhe më pas do të bashkohen me të afërmit në anë të tjera të Evropës. Ndërkaq, të tjerë nuk dinë ku të shkojnë, cila do të jetë e ardhmja e tyre e nëse një ditë, do të mund të kthehen në Ukrainë. Një grua 44-vjeçare shoqëron nënën e saj 61-vjeçare dhe e hedh vështrimin pa cak, sikur të kërkonte diçka. “Nuk e dimë cili do të jetë destinacioni ynë - na thotë - duhet ta fillojmë jetën nga e para dhe është e vështirë kur nuk ke dikë që të strehon. E si do t’ia bëjmë për trajtimin mjekësor? Të dyja jemi të sëmura”.

Kisha: kujdes nga trafikimi i qënieve njerëzore

Kisha është shumë aktive në Chisinau, ku ka vënë në dispozicion të gjitha forcat e saj, me urdhër të ipeshkvit vendas, imzot Anton Cosa. Deri tani, organizatat katolike kanë 390 shtretër për të ardhurit nga Ukraina, përveç shërbimeve si mensa lëvizëse a të qëndrueshme, mikpritje për njerëzit me kufizime fizike, shoqërim për ata që nisen, asistencë ligjore, informacione të ndryshme. Të gjitha nevojat e refugjatëve ukrainas mund të shfrytëzohen nga trafikantët e njerëzve, paralajmërojnë vullnetarët e Kishës, që vënë në dukje se një grua ukrainase, në udhëtim me fëmijë, është tejet e brishtë, prandaj duhet mbrojtur e i duhet siguruar një rrugë pa probleme.

Për Intersos-in duhet ndërhyrë edhe në planin psikologjik

Vullnetarët dhe Ojq-të luajnë një rol të rëndësishëm në kufirin Moldavi-Rumani. Ndër to, edhe Intersos, organizatë humanitare jo qeveritare italiane e pranishme në 19 vende të botës. Alessandro Perona, përgjegjësi për trajtimin mjekësor, thekson se gjendja nuk është nga më të mirat. “Jemi në një vend me një milion e gjysmë banorë dhe pritet një fluks refugjatësh prej një milion vetësh deri në gusht të këtij viti. Imagjinoni presionin mbi çdo lloj shërbimi. Kemi të bëjmë me njerëz që ikin nga lufta, me trauma të rënda psikologjike. Fëmijët përbëjnë rreth 25% të refugjatëve, ndërsa gratë rreth 65%. Në kufirin e Tudora-s, vetëm 10 ditët e fundit, kanë kaluar rreth 36.000 vetë. Jemi operativë si në Moldavi, ashtu edhe në Poloni e po shohim të njëjtin skenar: sidomos fëmijët, shpesh, nuk flasin për traumat që kanë pësuar”.

08 mars 2022, 17:13