Kërko

Ukrainë: Krishti largohet nga katedralja, strehohet në një bunker

Krishti largohet nga Katedralja Armene e Leopolit e vendoset, për t’u mbrojtur, në një bunker. Një gjë e tillë nuk kishte ndodhur që nga Lufta II Botërore

R.SH. - Vatikan

Shtatorja prej druri e Jezu Krishtit, e vendosur në Katedralen armene të Leopolit, u largua nga ndërtesa kishtare, për t’u strehuar në një bunker.  Vendimi u mor për të siguruar ruajtjen e Kryqit, duke parë se konflikti ndërmjet Rusisë e Ukrainës po thellohet më tej. Lajmi u dha në këto orë dramatike në rrjet, i shoqëruar me fotot e fazave të lëvizjes. Është hera e parë që Krishti i kryqëzuar del nga “streha” e vet, që nga koha e Luftës II Botërore.

Krishti prej druri i Katedrales është një nga simbolet më të nderuara jo vetëm për Kishën armene, por për gjithë qytetin e Leopolit (Lviv, në gjuhën ukrainase) e bën pjesë në thesaret që ruhen në këtë katedrale.  Edhe vetë katedralja, e themeluar në shekullin XIV si kishë armene apostolike, është një nga vendet më të dashura e më të nderuara të qytetit e, njëkohësisht, edhe dëshmitare e ngjarjeve fetare e politike në vend.

Në gjysmën e viteve ’40, rregulltarët e pranishëm, ndërmjet të cilëve edhe famullitari Dionizy Kajetanowicz, u internuan në një gulag, në Siberi, ku edhe u pushkatuan. Katedralja u përdor për shumë vjet si magazinë. Më 18 maj 2003 u shugurua rishtas. Ishte ngushëllim i madh për besimtarët: mundën të gjunjëzohen përsëri para afreskeve e veprave të tjera të artit kishtar, që i frymëzonin aq shumë për një jetë të vërtetë shpirtërore.

“Edhe një herë Krishti zbriti nga froni i tij i përhershëm, Kryqi, zbriti nga altari e vendosi të banojë me popullin e vet, nën dhe. Nga zemra e  qyteteve të mëdha, në shkretërirë, në skajet më të largëta, e sot, në një bunker kundër raketave. Nuk ka vend, që nuk zgjidhet nga Krishti për të banuar, për të ndenjur me  të tijtë, për t’i dashur e për t’i shpëtuar, deri në fund të fundit!”.

07 mars 2022, 11:38