Kërko

Bombardime mbi Dnipro, Ukrainë Bombardime mbi Dnipro, Ukrainë

Ukrainë: bombardime edhe në perëndim, 150 km larg Lvivit. Diplomacia, e bllokuar

Bombardimet ruse zhvendosen drejt perëndimit, 150 kilometra larg Lvivit. Gjatë natës së kaluar u godit aeroporti i Lutsk-ut. Bomba edhe mbi Dnipro e sulm mbi reaktorin bërthamor eksperimental të Kharkivit. Pas dështimit të takimit ndërmjet ministrit të jashtëm rus e atij ukrainas në Antalia të Turqisë, sekretari i NATO-s, Stoltenberg shkon të bisedojë me presidentin turk Erdogan, i cili vijon përpjekjet për ndërmjetësim. Ndërkaq, Ukraina e Rusia e akuzojnë njëra-tjetrën për armë kimike

R.SH. – Vatikan

         Dita e gjashtëmbëdhjetë e luftës në Ukrainë. Gjatë natës së kaluar, avionët rusë bombarduan zonën perëndimore të vendit e trupat tokësore u ripozicionuan rreth Kievit. Sirenat e alarmit ranë pa pushim në kryeqytetin ukrainas, ndërsa bashkia i ftoi qytetarët të fshihen nëpër strehime. Pritet ofensiva. Numri i refugjatëve ka arritur në 2 milionë e gjysmë.

Putin deklaron se ka hapa përpara në bisedimet ruso-ukrainase

         Diplomacia vijon punën e saj, por pa rezultate. Në takimin me presidentin bjellorus Lukashenko, Putin deklaron se ka hapa përpara në bisedimet ruso-ukrainase. Sipas tij, ekonomia e Moskës është sulmuar keqas nga Perëndimi, por Kremlini nënvizon se ajo nuk do të shkojë drejt falimentimit. Përsa i përket negociatave, agjencia e lajmeve ruse Tass thekson se “askush nuk e përjashton” një takim Putin-Zelensky, që “duhet të mbahet për të arritur ndonjë rezultat”.

Moska thërret 16 mijë “vullnetarë” nga Lindja e Mesme

         Më se 16 mijë “vullnetarë” nga Lindja e Mesme, sipas Ministrisë së Mbrojtjes ruse, duan të kthehen për të luftuar në Donbas, së bashku me separatistët. Pas goditjes së aeroportit të Lutsk-ut, qëllohet me top e raketa edhe kundër Ivano-Frankivsk, rreth 100 kilometra në jug të Lvivit. Tre shpërthime në Dnipro, ku u goditën një fabrikë këpucësh, një kopsht fëmijësh dhe një pallat. Në Mariupol, hiqen nga rrugët më se 1200 kufoma. Hapen varre të përbashkëta si në këtë qytet, ashtu edhe në Bucha, në verilindje të Kievit.

Zelensky i zhgënjyer nga Evropa

         Krerët e Bashkimit Evropian, mbledhur në Versajë, konfirmuan mbështetjen e tyre për Ukrainën, pa i dhënë asaj udhë preferenciale për integrim. Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, njoftoi se është nisur paketa fillestare prej 300 milion eurosh për përballimin e emergjencës dhe për ndihmën makro-financiare në favor të Ukrainës. Është e para e një shume prej 1.2 miliardë eurosh. E, Evropa vazhdon ta furnizojë vendin me armë. Por, presidenti ukrainas Zelensky është i pakënaqur nga takimi i Versajës. “Dimë çfarë u tha, kush ndërhyu, kush na mbështeti, kush ndenji në heshtje e kush u përpoq ta bëjë formulimin e deklaratës të pamjaftueshme për Ukrainën: kemi nevojë për më tepër forcë – pohoi ai. – Nuk është kjo që presim. Vendimet e politikanëve duhet të përkojnë me ndjesitë e popujve të tyre, që na mbështesin shumë: së paku 60% e evropianëve është në favorin tonë. BE-ja duhet të bëjë më shumë për ne”.

Stoltenberg: NATO nuk do luftë me Rusinë

         Prononcohet sërish edhe Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Stoltenberg, i cili deklaroi se NATO-ja nuk do luftë me Rusinë dhe as zgjerimin e konfliktit përtej Ukrainës. Pikërisht sot, Patriku i Moskës e të gjithë Rusive, Kirill, kritikoi ashpër Aleancën e Atlantikut në një letër për Këshillin Botëror të Kishave. Pasi Rusisë iu premtua siguri dhe respekt, shkruan ai, “shtetet e NATO-s e përforcuan praninë e tyre ushtarake, duke injoruar shqetësimet e Rusisë”.

Ukraina e Rusia akuzojnë njëra-tjetrën për armë kimike

         Moska akuzon SHBA-të se po zhvillon “veprimtari biologjike ushtarake në Ukrainë” dhe kërkon mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Presidenti ukrainas Zelensky përgjigjet, duke vënë në dukje se pikërisht në Rusi ka fabrika për prodhimin e armëve kimike. “Nëse do të dish planet e Rusisë – nënvizon – shiko se për çfarë i akuzon Rusia të tjerët”. Kievi denoncon bombat mbi institutin e fizikës e të teknologjisë në Kharkiv, seli i një reaktori bërthamor eksperimental.

Selia e Shenjtë: të gjithë të ndihmojnë refugjatët ukrainas

         Në tri ndërhyrje në OKB-në e Gjenevës, përfaqësuesit e Selisë së Shenjtë theksuan rëndësinë e mikpritjes për refugjatët e Ukrainës. Gjithashtu, denoncuan rreziqet, me të cilat përballen më se 7 milion fëmijë ukrainas. Dialogu, pohon Vatikani, është akoma i mundur, por duhet bërë shpejt.

11 mars 2022, 14:12