Kërko

UKRAINE-RUSSIA-CONFLICT UKRAINE-RUSSIA-CONFLICT

Shtëpia ime nuk është më kështjella ime!

Histori lufte. Kur ukrainasit kthehen nga strehimet e nuk i gjejnë më shtëpitë në këmbë

R.SH. - Vatikan

Viktoria kthehej nga strehimi i lagësht, në shtëpi, mbasi sirenat kishin dhënë sinjalin e fundit të bomabardimit. Një natë në strehim. Një natë e tmerrshme, kur pritej të shembej vetë jeta, nga bombardimi i rrebtë rus.

Po pikërisht ai strehim ia mbrojti jetën asaj e të sajve.

Gjithsesi kishte dëshirë të zjarrtë të rikthehej në shtëpi.

Shtëpia ishte vendi ku jetonte prej kohe: nuk ishte vilë, aq më pak pallat. Po ishte shtëpia e saj. Ishte vendi ku jetonte. Ku duhej e donte.

Nën çatinë e saj ndjehej e dashur, e mbrojtur. Ndjehej e qetë dhe e sigurt. Mund të gjesh lehtë një vend për të banuar, por jo një, që mund ta quash me gjithë shpirt “shtëpia ime”. “Shtëpia ime është e vogël - mendonte- po dritaret e saj hapen mbi botën pa fund. Shtëpia ime është kështjella ime…!

E ndërsa mendonte kështu, kishte arritur te shtëpia e saj.

Tmerr!

Shtëpia e saj nuk ishte më shtëpia e saj. Xhamat ishin të thyer. Të gjithë. Bombat kishin hapur gropa në të katër anët. Dyshemetë qenë khyer në pluhur. Në hapësirën e rrënuar mbretëronte heshtja e vdekjes. Djali i saj i vogël lëshoi një klithmë të mprehtë, si të donte të niste gjëmën mbi shtëpinë e vdekur e të pavarrosur.

Jeta e saj ndryshoi plotësisht. Në një çast të vetëm. Ishte dita e katërt e luftës. Po mjaftoi për t’ia ndryshuar faqen një jete të tërë. I vetmi mendim që i erdhi  në atë çast në kokë ishte: “Mos e lidh zemrën me asnjë banesë, sepse do të vuash, si po vuan kur do të ta rrënojnë”.

Rëndësi ka ta ndërtosh shtëpinë në zemër. Një vend ku jo vetëm ha e fle, por edhe ëndërron. Ku  rrit familjen me dashuri. Ku nuk ke frikë se vjen tjetri e të gjuan me bomba. Këtë duhet të ëndërrosh. E për të edhe të luftosh….

Kjo është shtëpia e vërtetë: vend i paqes, gurrë e gëzimit, strehë që të mbron nga frika, dyshimi, padrejtësia. Vend i paqes!

Shtëpia ime duhet të jetë kështjella ime - mendoi gruaja - e, si ua la foshnjën amanet familjarëve, u nis të luftonte “për shtëpinë e saj të re”. 

03 mars 2022, 09:39