Kërko

Spital fushor në Lviv, Ukrainë Spital fushor në Lviv, Ukrainë

Lufta në Ukrainë, goditet edhe Lvivi

Kryetari i bashkisë së Lvivit, vetëm pak kilometra larg Polonisë, njofton se është goditur një strukturë, ku riparoheshin avionët, por “nuk ka viktima”, pasi veprimtaritë ishin ndërprerë që gjatë ditëve të kaluara

R.SH. - Vatikan

         Telefonata e presidentit amerikan Joe Biden me homologun kinez Xi Jinping, ajo e Puntin me homologun francez Macron, menjëherë pasi Moska hodhi poshtë kërkesën e Gjykatës së Hagës për të ndalur operacionin ushtarak në Ukrainë, karakterizojnë ditën e sotme, të 23-tën e luftës në Ukrainë. Vijon ofensiva ruse në qytete të ndryshme të vendit me pasoja shtimin e numrit të refugjatëve – që e kanë kapërcyer 3 milonëshin – si edhe të numrit të viktimave civile, përfshirë fëmijët. U godit Lvivi, në pjesën perëndimore, 90 kilometra larg kufirit me Poloninë. Avionët rusë bombarduan gjatë natës, edhe Luganskun e tregun e Kharkiv, një nga më të mëdhenjtë e Evropës Lindore. Lufta nuk kurseu as Kievin, ku bombat ranë në veri të kryeqytetit. Sipas ministrit ukrainas të mbrojtjes, qyteti i Volnovakha-s nuk ekziston më, ndërsa në Mariupol janë shkatërruar 80% e ndërtesave të banimit. Nga ana e saj, Organizata Botërore e Shëndetësisë bën të ditur se që nga fillimi i luftës, forcat ruse kanë sulmuar 43 struktura shëndetësore.

Fronti diplomatik

“Nga bllokimi i Detit të Zi vjen rreziku i një krize ushqimore globale”, njofton Kievi, duke kujtuar se Rusia dhe Ukraina prodhojnë 30% të drithërave botërore. Ndërkaq, bisedimet ruso-ukrainase vazhdojnë. Pala ukrainase mendon se do të arrihet një marrëveshje brenda pak ditësh, maksimumi një javë e gjysmë. Garant për të do të jenë disa shtete, ndër të cilat SHBA-të, Gjermania e Turqia.

18 mars 2022, 13:04