Kërko

Banorët e Odesës përgatiten ta mbrojnë qytetin nga sulmet ruse Banorët e Odesës përgatiten ta mbrojnë qytetin nga sulmet ruse

Lufta në Ukrainë, anijet ruse bombardojnë Odesën dhe Mariupolin

Dita e 21-të e luftës në Ukrainë. Bombat vijojnë të bien mbi territor, sidomos në Odesë e Mariupol, por edhe në Kiev e veçanërisht, në pjesën juglindore të vendit. Ditë të ndërlikuara në frontin diplomatik

R.SH. – Vatikan

         Saktësisht, tri javë. Kanë kaluar njëzet e një ditë nga fillimi i luftës në Ukrainë, të cilën presidenti rus Vladimir Putin - që agjentë të sigurimit ndërkombëtar e konsiderojnë të sëmurë e jashtë kontrollit - e ka quajtur dhe vazhdon ta quajë “operacion ushtarak special”. Por, për të gjithë, duket qartë se nuk është më fjala për një “blitzkrieg” (luftë të rrufeshme), por për një masakër të vërtetë. Konflikti, që po zgjat përtej parashikimeve të rusëve, shkakton viktima dhe shkatërrime në gjithë Ukrainën e alarmon botën.

         Gjatë natës së kaluar, terrori erdhi nga deti. Anijet ruse në Detin e Zi hodhën raketa mbi Odesën dhe Mariupolin. Nga ky qytet i fundit u larguan edhe 20 mijë vetë të tjerë, por 300 mijë, sidomos të moshuar, mbeten në kurth. Gjatë natës, u godit edhe stacioni i trenave në Zaporizhzhia, ku ndodhet centrali bërthamor më i madh i Evropës, tashmë, nën kontrollin e rusëve. Pala ukrainase njofton se lufta u ka marrë jetën 103 fëmijëve e shumë të tjerë kanë mbetur të plagosur. Janë bombarduar 400 shkolla, ndër të cilat 59 janë shkatërruar krejtësisht.

Gazetarët e vrarë

         Ndërkaq, dy gazetarë të tjerë humbën jetën: kameramani i Fox News, Pierre Zakrzewski dhe prodhuesja ukrainase Alexandra Kuvshinova, ndoshta, vrarë nga një granatë në Gorenki, afër Kievit. Ndërkaq, korrespondenti i televizionit amerikan Benjamin Hall mbeti i plagosur rëndë e u detyruan t’i prisnin këmbën. Numri i viktimave të informacionit në këtë luftë arrin kështu në pesë vetë, pas regjisorit amerikan dhe dy gazetarëve ukrainas, që humbën jetën ditët e fundit në Kiev dhe në Mykolayiv. Gjatë këtyre javëve konflikti, janë plagosur së paku 35 gazetarë. Presidenti ukrainas Zelensky nënshkroi sot një urdhër, sipas të cilit çdo ditë, në orën 9 të mëngjesit, do të nderohen të rënët e viktimat e luftës.

Puna e diplomacisë

         Nga ana tjetër, dipolomacia vijon punën për paqen, në përpjekjen për të kapërcyer ndërlikimet. “E kemi kuptuar se Ukraina nuk do të bëhet anëtare e NATO-s”, deklaroi Zelensky, ndërsa sot njofton se vendi nuk do të pranojë asnjë lloj neutraliteti të tipit suedez, ose austriak. Për këtë po vazhdojnë bisedimet ndërmjet delegacioneve ruse dhe ukrainase e ministri i jashtëm rus Lavrov, pavarësisht se pranoi vështirësitë e debatit, pohoi se ka shpresa për gjetjen e një gjuhe të përbashkët. Sot, u kthyen në vendet e tyre edhe kryeministrat e Sllovenisë, Polonisë dhe Çekisë, që dje i ripohuan Kievit mbështetjen e Bashkimit Evropian, duke kërkuar që Ukrainës t’i jepet statusi i kandidatit. Brukseli vendosi ta përjashtojë Rusinë nga Këshilli i Evropës, ndërsa s’pati asnjë rezultat biseda e djeshme telefonike ndërmjet presidentit rus Putin dhe homologut të tij në Këshillin e Bashkimit Evropian, Michel. Ndërkaq, ministri i jashtëm i Turqisë ndodhet që mbrëmë në Moskë e nesër do të shkojë në Kiev.

Deklarata e kryeipeshkvit latin të Lvivit, Mieczysław Mokrzycki

Në këtë periudhë të vështirë lufte, ipeshkvijtë ukrainas të ritit latin i shkruan një letër Papës Françesku, duke i kërkuar kushtimin e Rusisë Zojës së Fatimës. Këtë kërkesë ia përsëritën edhe delegatit të tij, kardinalit Konrad Krajewski. Sot, ata shprehin kënaqësinë për përgjigjen e Atit të Shenjtë, i cili më 25 mars, do të kremtojë pikërisht aktin e kushtimit të Rusisë Zemrës së Papërlyer të Marisë. “Zoja e Fatimës, në vitin 1917, theksoi se për të ndalur luftën, për të ndalur persekutimin e Kishës, duhet të lutemi dhe t’ia kushtojmë Rusinë Zemrës së saj. Gjithashtu, duhet të marrim Kungimin në të shtunat e para të muajit (pesë) – shkruajnë ipeshkvijtë ukrainas. - Nëse këto kërkesa të Zojës do të plotësohen, Rusia do të bëjë kthesë e do të kemi paqe”. Nesër, ipeshkvijtë i kanë ftuar besimtarët të fillojnë Nëntëditëshen e lutjes (deri më 25 mars), me shpresën se ky akt do të sjellë paqe.

Deklarata e Konferencës Ipeshkvnore Polake

         Edhe ipeshkvijtë polakë, që sapo përfunduan asamblenë e tyre të 391-të të përgjithshme, në Varshavë, mbajnë qëndrim ndaj “agresionit të pajustifikuar të Rusisë kundër Ukrainës së pavarur e sovrane, qeverisur nga parime demokratike”. “Të prekur thellë nga tragjedia e luftës, - shkruajnë ata - dënojmë fuqimisht sulmet kundër popullsisë civile, që kanë shkaktuar viktima të shumta, veçanërisht ndër gra e fëmijë. U bëjmë thirrje përgjegjësve të këtij sulmi kundër shtetit dhe popullit ukrainas t’i japin fund konfliktit dhe të bëjnë çdo përpjekje për të arritur paqen e drejtë. Njëkohësisht, ftojmë të gjithë besimtarët të luten me zjarr për paqen në Ukrainë e, kur është e mundur, të agjërojnë”. Së fundi, ipeshkvijtë polakë falënderojnë Karitasin e vendit dhe Karitaset dioqezane, që mirëpresin refugjatët dhe ndihmojnë ata, që kanë mbetur në Ukrainë.

16 mars 2022, 13:21