Dita e 26-të e luftës në Ukrainë: dorëzimi i Mariupol, i papranueshëm
R.SH. – Vatikan
Dita e 26-të e luftës në Ukrainë. Rifilluan online bisedimet ndërmjet Rusisë e Ukrainës, ndërsa gjatë natës vijuan bombardimet, të cilat goditën një qendër tregtare në Kiev, duke shkaktuar të vdekur e të plagosur ndër civilët. Marrëveshja është afër, sipas Turqisë. “Nëse dështojmë, do të fillojë Lufta III Botërore”, pohoi presidenti ukrainas Zelensky. Por, presidenti rus Putin i përgjigjet negativisht kërkesës së tij për t’u ulur së bashku në tryezën e bisedimeve. “Akoma nuk janë pjekur kushtet për këtë” deklaroi zëdhënësi i Kremlinit, Dmytro Peskov. Sot, telefonatë ndërmjet krerëve të disa vendeve, Biden, Draghi, Macron, Scholz e Johnson. Sllovenia njofton se do të dërgojë sërish një delegacion në Kiev, ndërsa presidenti amerikan Biden do të shkojë në Poloni të premten, pas takimit me aleatët e NATO-s, të enjten, në Bruksel.
Kiev: 115 fëmijë të vrarë nga fillimi i sulmit rus
Gjatë natës, sirenat e alarmit u dëgjuan në zona të ndryshme të Ukrainës. Bomba mbi Kiev, Lviv e Sumy. U hodh poshtë kërkesa e Rusisë për t’i dorëzuar Mariupolin. Ukrainasit bëjnë të ditur se janë marrë vesh me rusët për hapjen e 8 korridoreve humanitare, por Mariupol nuk bën pjesë në to. Rusët patën vënë si kusht për ndalimin e operacioneve ushtarake në qytet, dorëzimin e luftëtarëve ukrainas brenda orës 5 të mëngjesit të sotëm. Kjo do t’i jepte mundësinë Moskës të kontrollojë krejt Detin Azov.
Në Kiev është shpallur shtetrrethimi nga mbrëmja e sotme deri të mërkurën në mëngjes. Moska, nga ana e saj, pretendon se godet qendra, ku strehohen mercenarë e nacionalistë. Dy anije ruse, nga Deti i Zi, qëllojnë me raketa Odesën. Ndërkaq, Prokura e Përgjithshme e Kievit njofton se nga fillimi i luftës janë vrarë 115 fëmijë e 148 të tjerë janë plagosur. Numri më i madh i tyre shënohet në rajonin e Kievit (58), ndjekur nga ai i Kharkiv (38), Cernihiv (31) dhe Donetsk (29). Sipas OKB-së, 10 milion ukrainas janë detyruar të lënë shtëpitë.
Borrell: sot, paketa e dytë me ndihma ushtarake për Kievin
Në planin ndërkombëtar, Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikën e Jashtme, Josep Borrell, paraqet sot paketën e dytë të ndihmave ushtarake për Ukrainën, nga Fondi evropian për paqen. Fondi i ri, i cili duhet të jetë 500 milion euro, do të miratohet vetëm pasi të votojë Bundestagu gjerman, që do të mblidhet të mërkurën. Po sot, ministrat e jashtëm e të mbrojtjes të Bashkimit Evropian miratojnë të ashtuquajturën “Busull strategjike”, për të cilën po punojnë prej dy vitesh. Ndodh në një çast tejet të vështirë, ndërsa vijon lufta Rusi-Ukrainë, por edhe për këtë arsye, është e nevojshme që Evropa të rrisë aftësinë e saj mbrojtëse.
Bisedimet: Turqia e Zvicra, ndërmjetësuese
Pas Turqisë, edhe Zvicra propozohet si ndërmjetësuese në bisedimet ruso-ukrainase, duke deklaruar se është gati të ofrojë territorin e saj si vend për takimet ndërmjet palëve, pavarësisht se ka miratuar të njëjtat sanksione kundër Rusisë si Bashkimi Evropian. Kërkesat e Moskës mbeten po ato, siç njofton Ankaraja: “Neutraliteti i Ukrainës, mosanëtarësimi në NATO, çarmatosja, denazistifikimi dhe heqja e pengesave për përdorimin e gjuhës ruse në vend”.