Vëllazërimi njerëzor, Al-Tayyib: kemi nevojë të madhe për miqësi e solidaritet
R.SH. - Vatikan
“Kjo festë nënkupton kërkimin e një bote më të mirë, në të cilën mbizotëron fryma e tolerancës, vëllazërimit, solidaritetit dhe bashkëpunimit”. Kështu pohon profesor Ahmad Al-Tayyib, Imami i madh i Al-Azharit, kryetar i Këshillit Mysliman të të Urtëve, në një videomesazh të publikuar sot, në Ditën Ndërkombëtare të Vëllazërimit Njerëzor. Një përkujtim - shpjegon ai – që “dëshmon edhe shpresën për të siguruar mjete të frytshme lidhur me përballimin e krizave dhe të sfidave të njerëzimit”, duke u kujdesur veçanërisht për të pambrojturit - jetimët, të varfërit, të shpërngulurit, ata që vuajnë nga vështirësitë e jetës, por edhe ata, që e kanë zemrën gur nga pasuria, përmes së cilës ushtrojnë autoritet dhe pushtet.
Përtej paragjykimeve
Al-Tayyib flet për të pambrojturit si “viktima të materializmit modern e gjithë egoizmit të tij të tepruar” e vë në dukje rrezikun e idhujtarisë së njeriut dhe të “prirjeve të tij individualiste”. Më pas, përshëndetja e Imamit të Madh “për vëllanë tim të dashur Françeskun”, të cilin ai e cilëson si “shok gjithnjë guximtar në udhën e vëllazërimit dhe të paqes”. Kreu i Al-Azharit shpreh vlerësim të thellë për shehun Mohammed Bin Zayed, “i cili ndjek gjurmët e të atit të tij bamirës”, ngre lart impenjimin e tij për të promovuar Dokumentin mbi Vëllazërimin Njerëzor dhe “për të mbështetur vërtet e sinqerisht nismat për përhapjen e tij” në botë. Kujton se teksti është rezultat i bindjes së përbashkët për rëndësinë e mirëkuptimit të ndërsjellë ndërmjet ndjekësve të feve të ndryshme, pa përjashtuar jobesimtarët, si edhe thekson qëllimin për të cilin u shkrua: “Për të hedhur poshtë paragjykimet dhe konfliktet, që shpesh çojnë në gjakderdhje e luftë ndërmjet njerëzve”. “Është si ëndërr e parealizueshme, që bëhet e vërtetë”, thekson Al-Tayyib, duke kujtuar se “të gjitha qeniet njerëzore janë vëllezër dhe motra”, siç thotë Profeti Muhamet në lutjet e tij.
Frika nga pandemia t’i zgjojë ndërgjegjet e sopitura
Imami i Madh nënvizon edhe se kjo Ditë Ndërkombëtare po kremtohet në një botë të përshkuar nga pandemia e shpreson që frika, pezull mbi njerëzimin, të shërbejë për të zgjuar “ndërgjegjet e sopitura dhe shpirtrat arrogantë” e për t’i inkurajuar liderët e sinqertë dhe të urtë drejt solidaritetit, drejt përpjekjeve për ta çliruar njerëzimin nga krizat.
“Jam i sigurt - pohon ai - se bota, me të gjitha racat dhe besimet e saj, sidomos ata, që duhet të marrin vendime në nivel ndërkombëtar, figurat fetare dhe intelektualët, do të jenë në gjendje - dashtë Zoti - t’i kapërcejnë këto kriza të vështira dhe t’i lehtësojnë vuajtjet, vetëm nëse do të jenë në lartësinë e përgjegjësive të tyre”. Pastaj, Imami i Madh përshëndet anëtarët e Komitetit të Lartë të Vëllazërimit Njerëzor, “që vazhdojnë të punojnë natë e ditë për të zbatuar objektivat e atij dokumenti fisnik, me nisma të shumta”, të cilat shkojnë përtej dallimeve, kufizimeve dhe veçorive të secilit. Imami i Madh i inkurajon të vazhdojnë bashkëpunimin me të gjithë, për arritjen e këtij “qëllimi fisnik” e shpreson që ata të jenë gjithnjë “rreze shprese dhe burim frymëzimi për këdo ecën në këtë rrugë plot pengesa”.
Impenjimi kundër urrejtjes dhe konflikteve
“E kemi nisur këtë udhëtim me shpresën e një bote të re, pa luftëra dhe konflikte, ku të pambrojturit dhe të varfërit sigurohen e mbështeten, të brishtët mbrohen dhe drejtësia zbatohet”, vazhdon Al-Tayyib në videomesazhin e tij. “Megjithëse jemi të sigurt se objektivat tona ende nuk janë arritur në këtë botë të përshkuar nga konflikte pa fund e duke pasur parasysh se këto objektiva janë të papranueshme për luftënxitësit, – deklaron Imami i Al-Azharit – jemi të vetëdijshëm se për ata, që besojnë në Zot, ekziston vetëm udha e paqes”. Nuk ka rëndësi, argumenton ai, sa të mëdha mund të jenë pengesat. Al-Tayyib përsërit se impenjohet personalisht për të mos lejuar qarkullimin e nxitjeve për urrejtje, konflikte e luftra. “Kemi vërtet shumë nevojë për miqësi, bashkëpunim dhe solidaritet, për t’u bërë ballë sfidave, që kërcënojnë njerëzimin dhe vënë në rrezik qëndrueshmërinë e tij”.