Kërko

Vëllazërimi, Abdelsalam: “Jemi të gjithë një familje e vetme: Expo, shembull”

Në Dubai, në përfundim të kremtimeve për Ditën II Botërore të Vëllazërimit Njerëzor, sekretari i përgjithshëm i Komitetit të Lartë për këtë Vëllazërim kujton angazhimin e anëtarëve të organizmit, “njerëz të feve e të shkollave të ndryshme të mendimit”, për një ardhmëri me “solidaritet, bashkëjetesë e respekt reciprok”. Dëgjohen zërat e rabinit Lustin, Çmimit Nobel Leymah Gbowe e të zëvendësit të Imamit të Madh Al Duwaini

R.SH. - Vatikan 

“Vëllazërimi njerëzor nuk është shkop magjik, me të cilin mund ta ndryshosh botën në një natë të vetme!”. Është “kulturë e ndarë me të tjerët e vlerë themelore e njeriut, që për fat të keq harrohet shpesh për shkak të konflikteve”. Në Komitetin e lartë për Vëllazërimin Njerëzor, burra të feve e shkolla të ndryshme të mendimit punojnë së bashku për t’u kujtuar të gjithë banorëve të tokës instinktin e natyrshëm të vëllazërimit. Për t’u kujtuar se jemi një familje e vetme. E se e vetmja mënyrë për të ndërtuar një botë më të mirë për breznitë e ardhshme, është praktikimi i solidaritetit, bashkëjetesa dhe respekti reciprok.

Expo-ja e Dubait “Fanar i bashkëjetesës dhe i mirëkuptimit reciprok”

 Duke bërë bilancin e Ditës II Botërore të Vëllazërimit Njerëzor, themeluar nga Kombet e Bashkuara me propozimin e Komitetit të Lartë, sipas dëshirës së Papës Françesku dhe Imamit të Al Azhar për vënien në jetë  të parimeve të Dokumentit nënshkruar tri vjet më parë në Abu Dabi, sekretari i përgjithshëm i Komitetit, gjykatësi egjiptian Mohamed Abdelsalam, nënvizon, në Vatican News, atë që vë në lëvizje angazhimin e gjithë shokëve të tij për udhë. E quan Expo 2022 e Dubait, ku  ndodhi ngjarja e madhe e 4 shkurtit, “Fanar bashkëjesese e mirëkuptimi reciprok” e edhe “shembull praktik për mënyrën si mund të jetohen vlerat e vëllazërimit njerëzor”, mbasi në pavijonet e më se 190 vendeve të botës jetohet shkëmbimi pasurues “i ideve, kulturave e edhe interesave ekonomike e tregtare”.

Myslimani i parë komendator i Urdhërit Piano

Sekretari i përgjithshëm i Komitetit të Lartë për Vëllazërimin Njerëzor është gjykatës i Këshillit të Shtetit të Egjiptit dhe ish-këshilltar i Imamit  Al-Tayyeb. Ka qenë për tetë vjet kreu i Muslim Council of Elders dhe ka paraqitur Al Azhar-in  në asamblenë e ngarkuar të hartojë kushtetutën e re egjiptiane ndërmjte viteve 2012 e 2013. Ka dhënë ndihmesën e tij edhe në  hartimin e Dokumentit për Vëllazërimin Njerëzor. Për impenjimin në favor të dialogut ndërfetar, mori nga Papa “Commenda con Placca” të Urdhërit Piano. Është egjiptiani, arabi e myslimani i parë, që e mori këtë titull.

Abdelsalam: vëllazërimi njerëzor nuk është shkop magjik

Në këtë intervistë Abdelsalam pohon se zonat kryesore të angazhimit të Komitetit të Lartë, janë “edukimi e zhvillimi i të rinjve dhe i grave si dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut”.  I drejtuam pyetjen:

Cili është bilanci juaj për Ditën II Botërore të Vëllazërimit Njerëzor, që u kremtua më 4 shkurt në të gjithë botën, por posaçërisht në Dubai?

“Po, u kremtua në mënyrë krejt të veçantë këtu, në Expo2022, në Dubai, sepse ky vend  u bë fanar i bashkëjetesës, i mirëkuptimit të anasjelltë si dhe shembull praktik, që tregon si mund të jetohen vlerat e kësaj kulture. Por Expo është edhe një cak, ku më se 190 vende nga e gjithë bota bashkohen me frymë reciprociteti e shkëmbimi idesh, kulturash e edhe interesash ekonomike. Me ngjarjen e 4 shkurtit në Expo, deshëm të transmetojmë këtë mesazh e ta përhapim ndërmjet njerëzve të të gjitha klasave e shtresave: të bashkohesh ka shumë rëndësi, sepse jemi një familje e vetme  e mënyra e vetme për të siguruar një ardhmëri të ndritshme e paqësore,  është ajo e solidaritetit dhe e respektit reciprok”.

Disa nga njerëzit, që japin ndihmesën për transmetimin e këtij mesazhi, janë anëtarë të Komitetit të Lartë për Vëllazërimin Njerëzor. Cila është puna juaj, e cilat nismat që propozoni për ta bërë vëllazërimin koncept konkret?

“Para së gjithash komiteti ynë është nismë për të aktualizuar vlerat dhe parimet e Dokumentit mbi Vëllazërimin Njerëzor. Anëtarët e  tij  vijnë nga udhë të ndryshme jete, janë specialistë në fusha të ndryshme e përfaqësues të shkollave të ndryshme të mendimit. Por të gjithë janë një mendjeje  lidhur me rëndësinë e mesazhit të vëllazërimit njerëzor e faktin se kjo është udhë e sigurt në ndërtimin e një bote më të mirë për breznitë e ardhshme. Vëllazërimi njerëzor nuk është shkop magjik me të cilën mund t’ia ndryshojmë faqen një bote të tërë. Brenda një nate të vetme. Është tërësi kulturash e vlerash, që synojmë t’i përhapim, duke inkurajuar njerëzit me prejardhje të ndryshme t’i jetojnë në jetën e tyre të përditshme.

Synimi ynë është krijimi i një mjedisi tolerant, me bashkëjetesë paqësore, me kulturë të përbashkët, me aftësinë për t’i ndarë bashkë gëzime e hidhërime,  e edhe interesat e jetës së përditshme! Ja pse po vëmë në jetë një sërë nismash për t’i bërë fjalët vepra në shoqëritë e ndryshme. Me synimin që në të gjitha shoqëritë të përhapet vlera e madhe e respektit për dinjitetin e njeriut, të grave, të të rinjve, të të gjithë njerëzve. Vetëm kështu mund të kemi një botë më paqësore për breznitë e ardhshme”.

10 shkurt 2022, 09:36