Kërko

2019.02.25 vetrate Chiesa 2019.02.25 vetrate Chiesa

Shenjtorët e Javës 27 shkurt – 6 mars

R.SH. - Vatikan

E diel 27 shkurtKisha kremton të dielën e 8-të gjatë vitit kishtar, ciklit tё tretё ‘C’, e po sot mё 27 shkurt, kalendari kishtar pёrkujton shën Gabrieli i Zojës së Dhimbshme. Në Ungjillin e së dieles nga Luka (Lk 6, 39-45), Jezusi i qorton ata, që shikojnë lëmishten në syrin e vëllait e nuk kujtohen fare për traun, që kanë në sy të vet. Ungjilli i Lukës flet për ata, që shikojnë lëmishten në sy të tjetrit, por jo traun, në sy të vet. Prej këndej njeriu, që gjykon tjetrin, gabohet, pështjellohet e pëson disfatë, sepse rreket të zërë vendin e Zotit, të vetmit gjykatës. Epiteti ‘hipokritë’, që Jezusi e përdor disa herë kundër doktorëve të ligjit, në të vërtetë i drejtohet cilitdo prej nesh. Edhe pse, kush gjykon, e bën pa menduar dy herë, ndërsa Zoti pret shumë, para se të gjykojë.

Të hënën më 28 shkurt, kalendari përkujton shën Romanin, abat. Liturgjia e ditës na kujton se banorët e Ninives, pasi dëgjuan predikimin e Jonës, u penduan; edhe Mbretëresha e Sabës e dëgjoi me vëmendje dijen e Salomonit. Ndërsa kush i kundërvihet Jezusit, s’bën tjetër veçse të tregojë masën e arrogancës e të mbrapshtisë së vet.

Të martën më 1 mars,  kalendari kishtar përkujton shën Feliçin, papë e shën Albinin, ipeshkëv i Anzh. Në liturgjinë e ditës jehon fuqimisht britma e mëkatarit të penduar drejtuar Zotit: “Dëgjoje, o Zot, të varfrin që të lutet!”.

Të mërkurën me 2 mars,  bie e Mërkura e Përhime me të cilën fillon periudha e Kreshmëve, një udhë shpirtërore drejt Zotit e të afërmit. Pra me liturgjinë e ritit të sё Mërkurës së Përhime, për Kishën katolike fillon periudha e lutjes, kundrimit të Fjalës së Zotit, agjërimit dhe pendesës. Me të Mërkurën e Përhime hyjmë në periudhën e Kreshmëve, njё periudhën e një përgatitjeje të fortë shpirtërore për kremtimin e festës më të rëndësishme e kryesore të fesë së krishterë, Pashkët.

Të enjten me 3 mars, kalendarit liturgjik përkujton shën Kunegonden, bashkëshorte e Enrikut II perandor. Liturgjia e ditës na kujton se vërtetë i lum është vetëm njeriu që i qëndron besnik ligjit të Zotit.

Të premten më 4 mars, kalendari kishtar përkujton shën Kazimirin, pajtor i Lituanisë. Liturgjia e ditës na fton të meditojmë mbi rolin e fesë e të lutjes, si mjetet më të sigurta për të ngadhënjyer mbi Djallin dhe mbi pasojat e mbrapshta të tundimeve që vijnë prej tij.

Të shtunën më 5 mars, kalendari përkujton shën Luçion I Papë, shën Adrianin martir dhe shën Gjonin e kryqit, meshtar françeskan. Liturgjia e ditës kujton se dashuria e mëshira shkojnë krah për krah. Në se nuk e kuptojmë këtë, jo vetëm që nuk mund ta quajmë veten bij të Hyjit, por rrezikohemi të meritojmë dënimin e përjetshëm. Prej këndej, të lutemi me Psalmistin: “Na fal, o Zot, në mëshirën tënde!”.

Të dielën e ardhshme më 6 mars, Kisha katolike do të kremtojë të dielën e 1-të të kohës së Krezhmëve, e po këtë ditë, kalendari kishtar përkujton shën Rozën nga Viterbo, virgjër françeskane dhe shën Koletën Bolič, themeluese e klariseve të varfra. 

27 shkurt 2022, 09:10