Kërko

Presidentja e Kosovës pret Legatin e Selisë së Shenjtë, imzot Jean Marie Speich

Presidentja Vjosa Osmani e falënderoi imzot Speich për vëmendjen e Vatikanit ndaj popullit të Kosovës, shprehu bindjen se marrëdhëniet mund të zgjerohen më tej dhe nënvizoi gatishmërinë e institucioneve vendore për të bashkëpunuar ngushtë me Selinë e Shenjtë. Legati Apostolik në Kosovë, Imzot Jean Marie Speich viziton edhe Kishën katolike vendase.

R.SH. - Vatikan

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti dje në  Prishtinë  Nuncin Apostolik të Selisë së Shenjtë në Slloveni, imzot Jean Marie Speich, i cili është njëkohësisht edhe Legat Apostolik për Kosovën, shoqëruar nga ipeshkvi i dioqezës Prizren-Prishtinë Imzot Dodë Gjergji.

Gjatë takimit u diskutua për marrëdhëniet dypalëshe. Presidentja Osmani e falënderoi Nuncin Apostolik imzot Speich për vëmendjen e Vatikanit ndaj popullit të Kosovës, shprehu bindjen se marrëdhëniet mund të zgjerohen më tej dhe nënvizoi gatishmërinë e institucioneve vendore për të bashkëpunuar ngushtë me Selinë e Shenjtë.

Më pas, Legati apostolik u takua edhe me kryetarin e parlamentit të Prishtinës, Glauk Konjufca, i cili kërkoi mbështetjen e Vatikanit, duke vënë në dukje se Selia e Shenjtë e, veçanërisht, Papa Gjon Pali II, i kanë përkrahur gjithnjë aspiratat e Kosovës për liri dhe pavarësi.

Ndërkohë vazhdon vizita e Legatit Apostolik në Kosovë, gjatë së cilës, përveç takimeve me krerët e vendit, Imzot Jean Marie Speich viziton edhe Kishën katolike.

23 shkurt 2022, 11:39