Kërko

Fan Noli, vescovo ortodosso albanese Fan Noli, vescovo ortodosso albanese

Pёrvjetori i daljes së numrit të parë të gazetës "Dielli" më 15 shkurt 1909

‘Dielli’, organ i Shoqërisë "Besa-Besë", doli më 15 shkurt 1909 në Boston. Ishte gazetë politike, shoqërore, kulturore, pedagogjike dhe ekonomike në gjuhën shqipe, me shkrime edhe në gjuhën angleze, e drejtuar nga Fan Noli.

R.SH. – Vatikan

Me 15 Shkurt 1909  nisi të botohej "Dielli" i shqiptarëve të Amerikës. Gazeta “Dielli” ishte gazetë e Shoqatës Kombëtare Besën-Besën, e themeluar me 6 Janar 1907, Shoqatë që drejtohej nga Fan S. Noli-Kryetar. Botimi i Programit të Dielli në numrin e parë të tij nuk ishte thjesht një program gazetë, por një program i një lëvizjeje programatike mbarëkombëtare. Dielli është cilësuar si një “Kandil kombëtar” që u ndez me 15 Shkurt 1909 dhe mbajtur  ndezur  deri më sot.

 ‘Dielli’, organ i Shoqërisë "Besa-Besë", që doli më 15 shkurt 1909 në Boston, ishte gazetë politike, shoqërore, kulturore, pedagogjike dhe ekonomike në gjuhën shqipe, me shkrime edhe në gjuhën angleze, e drejtuar nga Fan Noli. Mjafton emri i madh i drejtuesit të saj të parë për të kuptuar sesa me vlerë qe kjo gazetë, e cila luajti një rol jo të pakët në ngjarjet më të rëndësishme kombëtare duke dhënë një ndihmesë të jashtëzakonshme për mbështetjen e çështjes shqiptare në SHBA e në mbarë botën.

Ta shfletosh koleksionin e gazetës "Dielli", është njëlloj si të shfletosh historinë shqiptare të një shekulli, që luajti rol vendimtar për krijimin e Shqipërisë si shtet. Është histori plot vuajtje e dhimbje, por edhe plot përpjekje e ngjarje të mëdha, që fillon me një datë të lavdishme, siç është 28 Nëntori, dita e ngritjes së Flamurit në Vlorë; vijon me Luftën e parë Botërore, me krijimin e shtetit të parë shqiptar, me shpalljen e mbretërisë së Ahmet Zogut, me luftën e Dytë Botërore e vendosjen e diktaturës, gjatë së cilës gazeta "Dielli" ishte një nga zërat e pakta të lira, që denonconte para botës gjenocidin radikal që po kryente diktatura komuniste.

Në faqet e saj gjen krijime të shquara letrare në poezi e prozë të disa prej mjeshtrave të letërsisë shqipe, gjen analiza, komente, kujtime, faqe historie, dokumente, dëshmi. Është, prandaj, një datë që meriton të kujtohet, ashtu siç meriton që "Dielli" të lexohet edhe sot e kësaj dite, kur numri i pafundmë i gazetave, vijon ta largojë lexuesin, i cili nuk gjen aty përgjigjet për problemet që e shqetësojnë. Gazeta "Dielli" dalë nga një gjysmë shekulli diktature, vijon të jetë tribunë luftarake në mbrojte të lirisë e të demokracisë së vërtetë në Shqipëri dhe në trevat shqiptare.

15 shkurt 2022, 14:41