Kërko

Manifestim i Bashkësisë së Shën Egjidit për paqen në Ukrainë Manifestim i Bashkësisë së Shën Egjidit për paqen në Ukrainë

Nuk jemi të krishterë, nëse bëjmë luftë me njëri-tjetrin

Dje, gjatë Engjëllit të Tënzot, Papa Françesku komentoi Ungjillin në të cilin Jezu Krishti u thotë dishepujve t’i duan armiqtë, duke nënvizuar: “Sa e trishtuar është kur njerëz e popuj, krenarë se janë të krishterë, i shohin të tjerët si armiq dhe mendojnë t’u shpallin luftë!”

R.SH. – Vatikan

Ndoshta, do të jemi kaq të çmendur sa t’i shpallim luftë njëri-tjetrit. Një luftë në Evropë, me pasoja të paimagjinueshme. Por, së paku, të mos i themi vetes të krishterë!

Po luajmë me zjarrin. Ndoshta, nuk na mjaftojnë luftërat e padukshme, ato luftëra botërore, që çdo vit shkaktojnë miliona të vdekur nga uria e nga varfëria, nga sëmundje që mund të kurohen, nga dhuna e sa e sa konflikteve të harruara, nga kriminaliteti i përditshëm, nga aksidentet në punë, ose nga ajo luftë e fshehtë, që e ka emrin vetmi, përjashtim, shfrytëzim, indiferencë.

Pastaj, kemi luftën për të cilën nuk jemi më të vetëdijshëm: atë kundër fëmijëve të vrarë në bark të nënës. Ndoshta, është lufta më e padukshme. Kushedi, nëse një ditë, pasardhësit do të na dënojnë për këtë masakër të heshtur. Kush nuk i sheh këto luftëra të mëdha, i duket e mirëqenë paqja e tij e vogël. Të mos e dënojmë veten me përsëritjen e gabimeve të së kaluarës.

Ndoshta, nuk na mjafton pandemia, e cila ka tronditur tashmë mbarë njerëzimin, duke vrarë pa dallim, duke varfëruar më të varfrit e duke pasuruar në tepri më të pasurit. E sot, vetëm kërcënimi për luftë e shton sërish vrafërinë e të shumtëve e pasurinë e të paktëve.

 Shqetësojnë inatet e urrejtjet, që qarkullojnë nëpër botë: çastet e dhunës, fjalët e përbuzjes, shpërthimet e egërsisë. Shqetësojnë fyerjet dhe sharjet ndërmjet vetë të krishterëve. Jezu Krishti pati thënë se do të na njohin nga dashuria për njëri-tjetrin. Por, mjafton të shikojmë rrjetet shoqërore e blogjet: shpesh, gjejmë në to konflikte e sulme pa frena, madje, në emër të së vërtetës a të drejtësisë. Shën Pali u thotë galatasve: “Nëse njëri-tjetrin nuk e lini në paqe me fjalë dhe ia breni shoqishoqit jetën me ngatërresa, hapni sytë: po e qitni fare njëri-tjetrin!” (Gal 5,15). E, nëse bëjmë luftë ndërmjet nesh, ne që i besojmë Ungjillit, si mund t’u kërkojmë të tjerëve të mos e bëjnë?

Ungjilli na kërkon t’i duam armiqtë, ta mundim të keqen me të mirë. Duket utopi. Ndoshta, do të jemi kaq të çmendur sa t’i shpallim luftë njëri-tjetrit. Por, së paku, të mos i themi vetes të krishterë!

21 shkurt 2022, 10:47