Kërko

Më 14 shkurt kalendari kishtar kujton Shën Valentinin, ipeshkëv e martir

Shën Valentini është një shenjtor që mbron ata njerëz që lejojnë zemrën e tyre të drejtohet e të udhëhiqet nga dashuria e vërtetë për Zotin dhe për të afërmin. Në shumë vende të botës, kjo festë e Shën Valentinit është Ditë kushtuar Dashurisë.

R.SH. - Vatikan

Kalendari kishtar, sot më 14 shkurt, përkujton Shën Valentinin, ipeshkëv i Ternit të Italisë, pajtori Qiellor i të fejuarëve dhe i njerëzve të dashuruar. 

Pra, Shën Valentini është një shenjtor që mbron ata njerëz që lejojnë zemrën e tyre të drejtohet e të udhëhiqet nga dashuria e vërtetë për Zotin dhe për të afërmin. Në shumë vende të botës, kjo festë e Shën Valentinit është Ditë kushtuar Dashurisë. Kjo festë orvatet t’i japë një kuptim dhe shije të vërtetë dashurisë ndërnjerëzore duke i thirrur të gjithë të rinjtë të jenë të kujdesshëm sidomos në periudhën shumë të rëndësishme të jetës së tyre, sikur është periudha e njohjes dhe e përgatitjes së thellë e të sinqertë të tyre për dashurinë e kurorëzuar me sakramentin e martesës.

Festa e Shën Valentinit u bën thirrje të rinjve e të gjithë njerëzve ta përgatisin zemrën për një akt kaq fisnik e të rëndësishëm të jetës, siç është dhurimi i plotë i vetes tjetrit për dashuri dhe me dashuri të përkushtuar e të pakushtëzuar.

Emri i Shën Valentinit përmendet për herë të parë në një dokument zyrtar të Kishës së shekujve V-VI; në një dokument tjetër të shekullit VIII, shënohet data e vdekjes së Shenjtit, përshkruhen torturat që pësoi, prerja e kokës në orët e vona të natës dhe varrosja.

Tekste të tjera e përmendin Shën Valentinin që në vitin 197, si qytetar e ipeshkëv i Ternit e, sidomos, si njeri i famshëm për shenjtërinë e jetës, për bamirësinë e përvujtërinë, për apostullimin e zellshëm e për mrekullitë. U burgos nën Aurelianin Perandor dhe iu pre koka në Romë. Ishte data 14 shkurt 273. Trupi iu mbart në Terni, ku ndodhen edhe sot e kësaj dite reliket e tij.

Shën Valentini pajtor qiellor i të dashuruarve

Shenjti nderohet si pajtor i të dashuruarve. Pse? Festa e ipeshkvit e martirit Valentin lidhet me festimet e lashta greke, italike e romake, që organizoheshin për nder të zotave paganë Panit, Faunit e Luperkut. Këto festime lidheshin me pastrimin e arave dhe ritet e pjellorisë. Me që nisen të bëheshin tepër të çthurura, qenë ndaluar nga Augusti dhe Gelasi.

Kisha i kristianizoi këto rite pagane dhe e njohu Shenjtin si mbrojtës i të fejuarve e të dashuruarve, në prag të bashkimit me kurorën e martesës e të lindjes së fëmijëve. Sipas legjendës, Shenjti martir, dashuronjës i trëndafilave, ua dhuronte këto lule erëmira çifteve të fejuara për t'u uruar bashkim të lumtur. Prej këndej festa e Shën Valentinit është përplot me aromën e trëndafilave, simbol i dashurisë ndërmjet burrit e gruas. Vetë Zoti është dashuri. Në dashuri gjinden paqja, bashkimi i familjes dhe i mbarë njerëzimit.

14 shkurt 2022, 11:05