Kërko

Dialogu ndërmjet hebrenjve e të krishterëve Dialogu ndërmjet hebrenjve e të krishterëve

Romë: hebrenj e katolikë reflektojnë mbi pandeminë në Ditën e dialogut

Në Muzeun Hebraik të Romës, Takimi vjetor i dialogut ndërmjet hebrenjve e katolikëve, në Ditën që, çdo 17 janar, që nga viti 1989, i bashkon ata për të rrahur çështje të përbashkëta. Kësaj radhe, në qendër të vëmendjes, trashëgimia shpirtërore dhe njerëzore e secilës prej bashkësive para pandemisë

R.SH. - Vatikan

“Hebraizmi dhe krishterimi në sprovën e pandemisë”: kjo është tema e takimit të organizuar nga vikariati i Romës, me rastin e Ditës për thellimin dhe zhvillimin e dialogut ndërmjet katolikëve dhe hebrenjve, që kremtohet çdo 17 janar. Takimi, që ka arritur në edicionin e tij të 33-të, mbahet në orën 18.00, në Muzeun Hebraik, brenda Tempullit të Madh të Romës. Asambleja përshëndetet fillimisht nga kardinali vikar Angelo De Donatis, për të vijuar me reflektimet e kryerabinit të Romës Riccardo Di Segni dhe të arkivistit e bibliotekarit të Kishës Romake, kardinalit José Tolentino de Mendonça. Në qendër të dialogut, “Trashëgimia shpirtërore dhe njerëzore e hebraizmit dhe e katolicizmit, në sprovën e pandemisë”. “Sprovat e historisë – shpjegon i ngarkuari i Zyrës për ekumenizmin, imzot Marco Gnavi - duhet t’i shtyjnë besimtarët të maten me to, duke u nisur nga forca e Shkrimeve hebraike dhe kristiane, si edhe nga urtia e dija, që përmbajnë”.

Rrënjët e Ditës së Dialogut

 Dita për thellimin dhe zhvillimin e Dialogut ndërmjet katolikëve dhe hebrenjve frymëzohet nga Koncili II i Vatikanit dhe nga Dekreti “Nostra Aetate”. Konferenca Ipeshkvnore Italiane e themeloi në shtator 1989, duke e caktuar më 17 janar, në prag të “Javës së Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve” për të nënvizuar rrënjët e identitetit të tyre. Qëllimi i kësaj Dite është sensibilizimi i të krishterëve për respektimin, dialogun dhe njohjen e traditës hebraike, si edhe përfshirja e hebrenjve në njohjen e katolikëve e të jetës së tyre. Me kalimin e kohës, kjo ditë është përqendruar në reflektimin gjithnjë e më të thellë mbi Shkrimet e Shenjta dhe në gjetjen e udhëve të përbashkëta për përballimin e sfidave të kohës.

17 janar 2022, 13:14