Kërko

Roberta Metsola, kryetarja e re e Parlamentit Evropian Roberta Metsola, kryetarja e re e Parlamentit Evropian

Roberta Metsola zgjidhet kryetare e Parlamentit Evropian

Eurodeputetja malteze, anëtare e PPE-së, do të udhëheqë institucionin ndërkombëtar për dy vjet e gjysmë, duke përfunduar kështu legjislaturën që filloi në verën e 2019-ës. “Jo izolacionizmit dhe nacionalizmit – deklaroi ajo – Evropa është e kundërta e kësaj”. Në fjalimin e parë të të sapozgjedhurës, edhe kujtimi i paraardhësit, David Sassoli

R.SH. - Vatikan

“Do ta nderoj kujtimin e David Sassoli-t si kryetare, duke luftuar gjithmonë për Evropën. Dua që njerëzit të rigjejnë ndjenjën e besimit dhe të entuziazmit për projektin tonë. Besoj në një hapësirë ​​të përbashkët, më të drejtë, më të barabartë dhe më solidare”. Kështu deklaroi kryetarja e re e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, në asamblenë e sotme, menjëherë pas rezultatit të votimit.

“Dezinformimi në periudhën e pandemisë ka nxitur izolacionizmin dhe nacionalizmin. Këto janë iluzione të rreme, Evropa është pikërisht e kundërta e kësaj”, shtoi politikania malteze. Paraditen e sotme, Parlamenti Evropian zgjodhi kreun e tij të ri, në vend të David Sassoli-t, i cili vdiq të martën e kaluar kur ishte ende në detyrë, në fund të mandatit. Sipas një marrëveshjeje në fillim të legjislaturës, ajo duhej të kishte zgjatur dy vjet e gjysmë. Prej javësh, kandidatja që flitej se do ta zëvendësonte ishte Metsola. Parashikimi u konfirmua nga shifrat: 458 vota pro ndwr 690 votues, praktikisht dy ndër tre deputetë votuan për të.

Gruaja e tretë, presidente në Strasburg

Deri tani, Metsola ishte zv.kryetarja e parë e Parlamentit Evropian, pra, ajo me gradën më të lartë ndër 15 nënkryetarët. Hyri në Parlament në vitin 2013, si eurodeputetja e parë e zgjedhur në Maltë. Avokate, eksperte në të drejtën evropiane, nga viti 2012 deri në vitin 2013, ka qenë këshilltare e Përfaqësueses së Lartë për Punët e jashtme evropiane, Catherine Ashton.

Metsola është anëtare e Partisë Popullore Evropiane, e cila sipas marrëveshjeve në fillim të legjislaturës, duhej të emëronte pasardhësin e Sassoli-t. Metsola është edhe gruaja e parë e zgjedhur në krye të Parlamentit në njëzet vitet e fundit, e treta pas Simone Veil dhe Nicole Fontaine. Kontinenti i vjetër, që sot, ka dy ndër tre presidentë, femra, me Ursula von der Leyen në krye të Komisionit dhe Charles Michel në krye të Këshillit.

18 janar 2022, 16:08