Kërko

La bussola, lo strumento per l'individuazione dei punti cardinali (nord, sud, est e ovest) sulla superficie terrestre e in atmosfera La bussola, lo strumento per l'individuazione dei punti cardinali (nord, sud, est e ovest) sulla superficie terrestre e in atmosfera

Katër fjalë që mund ta shoqërojnë Vitin e Ri

Vëllazërimi, familja, solidariteti e dhurata. Janë fjalët kryesore të cilave, duke u nisur nga mësimet e Papës Françesku, u kushtohet takimi “Doppio Click”, me urimin që 2022-shi t’i ketë këto tipare dalluese

R. SH. - Vatikan

Vëllazërimi, familja, solidariteti e dhurata. Janë fjalët kryesore të cilave, duke u nisur nga mësimet e Papës Françesku, u kushtohet takimi “Doppio Click”, me urimin që 2022-shi t’i ketë këto tipare dalluese.

Janë fjalë drejtuese, që mund të të tregojnë cakun, edhe kur mbi udhën tonë, si në këtë kohë të trazuar keqas nga pandemia, plagët, varfëria e lufta dynden ngarkuar me re e stuhi. “Busola jonë” për vitin 2022 na tregon katër fjalë kryesore, që mund ta shoqërojnë vitin e ri, duke i dhënë ardhmërisë fytyrën e rilindjes, të shpresës.

Janë fjalë, që Papa i ka kujtuar  shpesh herë gjatë Papnisë. Vëllazërimi, duke ndjekur fjalët e Françeskut, është vija e re e kufirit të njerëzimit për të ndërtuar një botë pa përçarje, në të cilën nuk duhet të ketë vend për indiferencë. Familja është “qeliza kryesore” e shoqërisë, një bashkësi ku dialogu e mirëkuptitmti krijojnë dashuri e jetë. Solidariteti është udha që në hullinë e afërsisë e të dhurimit, e bën shoqërinë vërtet mikpritëse. E dhurata – siç na e kujton Papa,  duhet shndërruar në veprim, që i ka rrënjët në Ungjill.

Vëllazërimi  

Udha kryesore, në të cilën duhet ecur, është ajo e vëllazërimit e cila - siç shkruan Papa Françesku në Enciklikën “Fratelli tutti”, lind nga ëndrra e re   e miqësisë shoqërore, që nuk kufizohet me fjalë”. Është udha që hapi Shën Françesku, ku pati ecur edhe Samaritani i Mirë. Udha, në të cilën jehon thirrja për paqe, drejtësi e vëllazërim, me të cilën hapet Dokumenti mbi Vëllazërimin njerëzor për paqe botërore e bashkëjetesë njerëzore, nënshkruar më 4 shkurt 2019 në Abu Dabi, nga Papa Françesku e Ahmad al-Tayib, Imam i madh i Al-Azhar.

Vëllazërimi është e kundërta e kulturës së hedhurinës. Për të kaluar nga mbyllja - në hapje - duhet të “kuptosh sa vlen njeriu, gjithnjë, në çdo rrethanë”. Duhen kapërcyer format  që e pengojnë ecjen drejt një bote me të vërtetë të bashkuar. “Për ta bërë të mundshëm zhvillimin e një bashkësie botërore të aftë ta realizojë  vëllazërimin duke nisur nga popujt e kombet, që jetojnë në miqësi shoqërore - shkruan Papa në enciklikë - është e nevojshme një politikë e mirë, e vënë në shërbim të së mirës së përbashkët. E  edhe fetë - nënvizon Ati i Shenjtë - duhet të vihen në shërbim të vëllazërimit: “Kërkimi i Zotit me zemër të sinqertë, pa e errësuar me interesat tona ideologjike a të orkestruara, na ndihmon ta shikojmë njëri-tjetrin si shokë udhe, si vëllezër të vërtetë”.

Farët e vëllazërimit   

Vëllazërimi është korniza e pazëvendësueshme e projekteve të realizuara nga Kisha, e cila në botën mbarë dëshmon dashurinë për të varfërit e njerëzit që nuk kanë asnjë mbështetje. E promovon paqen përmes ndërtimit të bashkësive, që e jetojnë vëllazërinë me dialog e ndarje të përbashkët. Shpirti i vëllazërimit është ledhatim, si ai i Caritas Internationalis, lindur më 12 dhjetor të vitit 1951, sipas dëshirës së Papës Piu XII. E në  këtë kohë, të tronditur thellë nga pandemia, u vunë në jetë një mori projektesh, në mbarë botën. Sidomos në fushën shëndetësore. Po vëllazërimi është edhe simfoni. Është kor zërash, si ato që jehuan më 23 dhjetor më katedralen e Tunizit, shoqëruar nga orkestra e përbërë prej muzikantësh myslimanë, që luajtën muzikë kushtuar Krishtlindjes.

Familja

Fjala e dytë është familja. Me rastin e Vitit “Famiglia Amoris laetitia” Papa shkroi një letër drejtuar bashkëshortëve, si shenjë afërsie e inkurajimi: “Thirrja për martesë - nënvizon në të - është thirrje për të drejtuar një barkë të paqëndrueshme - por të sigurt përmes realitetit të Sakramentit - në një det të trazuar”.       

“Po u drejtohem tani bashkëshortëve të mbarë botës”- theksoi Papa Françesku në përfundim të lutjes së Engjëllit të Tënzot, në festën e Familjes Shenjte. Botohet sot një Letër, që e shkrova duke menduar për ju. E dëshiroj të jetë dhurata ime e Krishtlindjes bashkëshortët. E edhe inkurajim, shenjë afërsie e rast meditimi. Nis me fjalë plot optimizëm, në një situatë që duket pesimiste: “E jetuam më shumë se kurrë pasigurinë, vetminë,  humbjen e njerëzve të dashur e u detyruam të dalim jashta sigurive tona, për t’u interesuar jo vetëm për  të mirën e familjes sonë, por edhe të familjes së madhe, që quhet shoqëri, e cila gjithashtu varet nga sjelljet tona personale”.

E akoma: “Marrëdhënia me Zotin na jep formë, na shoqëron e na vë në lëvizje si njerëz e, në çastin e  fundit, na ndihmon të dalim nga toka jonë, në shumë raste me një farë ndrojtjeje, a më mirë të themi me frikën nga e panjohura. Do të frikësoheshim edhe më shumë, nëse falë fesë sonë të krishterë, nuk  do ta dinim se nuk jemi vetëm. Zoti është në ne, me ne, mes nesh! Në familje, në lagje, në vendin e punës a të studimit, në qytet ku banojmë”. Kështu shkruan Papa në Letrën drejtuar çifteve të martuara, botuar me rastin  e Festës së Familjes Shenjte: “Zoti - kujton Papa - ju shoqëron, ju do pa asnjë kusht. Muk jeni, pra, vetëm!”.

Historia e një familjeje

Loreto Valente, 43 vjeç, është burrë e baba fëmijësh, që punon  e jeton në Romë së bashku me familjen. Kujton fillimin e pandemisë “atë përhumbje, që të shtyn të pyesësh nëse është ëndërr a zhgjëndërr gjithë ajo që ndodh para syve të tu e të kujton se jeta mund të shuhet në një çast të vetëm. Muajt e parë, shpjegon, “mendimi i familjes sime, si i çdo bërthame familjare, shkoi tek më të ligshtit, që në rastin tim janë dy fëmijët e mi. Mësimi në distancë, në pranverën e vitit 2020, e më pas, në pjesën më të madhe të vitit shkollor pasues, qe një sfidë pa krye e pa fund. Sidomos për tim bir, 8 vjeçar. Duhej ndihmuar…Gjë që nuk mund as të mendohet  kur prindërit janë në punë. Për fat, ndihmat e shtetit më krijuan kushtet të jem pranë fëmijëve të mi ato ditë të trazuara.

Në pranverën e vitit 2021 arriti drita e vaksinave, po për familjen Valente  qe çasti më i trishtë. Loreto u sëmur nga Covid -19 e u detyrua të shtrohet në spital. Në çastet më të vështira - kujton - ato kur mendoja vetëm për vdekjen, familja ime qe shkëmbi pas të cilit u kapa fort, për të mos u dorëzuar! Vetëm mendimi për gruan e fëmijët, nxiste në shpirtin tim të ligështuar shpërthimin e një force të pabesueshme, që e mundi vdekjen”.

Solidariteti

Të shumta janë reflektimet e Papës për solidaritetin. Për Françeskun  solidariteti është tipar i jetës së krishterë, sepse feja pa solidaritetin është fe e vdekur, fe pa Krisht, pa Zot e pa vëllezër (Vizita në Kapelën e Shën Gjon Pagëzuesit, Asuncion, 12 korrik 2015). Çdo njeri është i thirrur të ecë në rrugën e solidaritetit! “Duhet të angazhohen të gjithë, për të ndërtuar një shoqëri të drejtë e solidare”.

Bukuria e dhuratës

Të dhurosh e të dhurohesh, t’i shkëmbesh dhuratat. Kështu e koncepton dhuratën Papa, i cili në letrën drejtuar bashkëshortëve u kujton “dhuratën e Zotit”. Ungjilli - vijon Papa - na kujton diçka tejet të rëndësishme: jeta na ngarkon një detyrë. Nuk është pa kuptim. Nuk u lindëm kot së koti! Jo: Jeta është dhurata më e madhe: “Jeta  është dhuratë,  që Zoti na e dorëzon, duke na thënë: zbuloje kush je, e luaj vendit për të realizuar ëndrrën, që është jeta jote! Sepse secili nga ne e ka një mision për ta realizuar!”.

04 janar 2022, 05:55