Kërko

Në rrugët e Afrikës së Jugut, nderohet Desmond Tutu Në rrugët e Afrikës së Jugut, nderohet Desmond Tutu

Bashkësia ndërkombëtare kujton kryeipeshkvin Tutu, ikonë e luftës kundër aparteidit

Bota shpreh ngushëllimet për vdekjen e kryeipeshkvit anglikan të Afrikës së Jugut, Desmond Tutu, dhe kujton impenjimin e tij kundër aparteidit. Në një telegram, Papa Françesku thekson shërbimin e tij për promovimin e Ungjillit dhe të pajtimit. Varrimi do të kremtohet më 1 janar në Capetown

R.SH. - Vatikan

Krerë shtetesh dhe qeverish, udhëheqës fetarë dhe personalitete nga bota e kulturës: i njëzëshëm, nderimi i bashkësisë ndërkombëtare për kryeipeshkvin anglikan Desmond Tutu, i cili u nda nga jeta dje (26 dhjetor), në moshën 90-vjeçare. Simbol i rezistencës kundër aparteidit, promovues i pajtimit, ai konsiderohet një nga etërit themelues të Afrikës së Jugut. Për luftën e tij jo të dhunshme kundër regjimit segregacionist, u nderua me Çmimin Nobel për Paqen në vitin 1984. Së bashku me Nelson Mandelën, presidentin e Afrikës së Jugut, formoi Komisionin për të Vërtetën dhe Pajtimin me synimin për të nxitur paqen në vend, duke ia ndryshuar atij përgjithmonë fytyrën e urrejtjes racore, pa i fshehur mizoritë, por duke u përpjekur të favorizojë faljen.

Kujtimi i Papës Françesku

Desmond Tutu ishte "në shërbim të Ungjillit, përmes promovimit të barazisë racore dhe pajtimit në Afrikën e tij të Jugut": kështu shkruan Papa Françesku në një telegram drejtuar nuncit apostolik në vend. Françesku e pati kujtuar edhe në enciklikën e tij “Fratelli tutti”, si një ndër “vëllezërit jokatolikë”, që e patën motivuar "të reflektonte mbi vëllazërimin universal".

Ngushëllimet e Bashkësisë anglikane

Kreu i Bashkësisë Anglikane, Justin Welby, kryeipeshkëv i Canterbury-t, e quan Desmond Tutun, “luftëtar të madh për drejtësinë, që nuk reshti kurrë së luftuari”. Ai, nënvizon Welby, “ishte profet dhe meshtar, njeri i fjalës dhe i veprimit, person që mishëronte shpresën dhe gëzimin, të cilat ishin themelet e jetës së tij. Ishte njeri me forcë dhe guxim të jashtëzakonshëm personal: kur policia hyri në katedralen e Capetown, e sfidoi, duke vallëzuar përgjatë korridorit”.

Bashkësia ndërkombëtare

 Për presidentin amerikan Joe Biden, "trashëgimia e tij i kapërcen kufijtë dhe do të ketë jehonë gjatë dekadave të ardhshme”. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, flet për "një zë të fuqishëm në favor të atyre, që s’kanë zë”, ndërsa kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson, kujton se Desmond Tutu ishte “figurë vendimtare në luftën kundër aparteidit dhe në krijimin e një Afrike të re të Jugut". Johnson i bën homazhe edhe "udhëheqjes së tij shpirtërore" dhe "humorit të mirë, që s’shuhej kurrë". Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, thekson se kryeipeshkvi anglikan “ia kushtoi jetën të drejtave të njeriut dhe barazisë ndërmjet popujve".

27 dhjetor 2021, 11:38