Kërko

Nata e kristaleve e vitit 1938, paradhoma e Shoah

Ndërmjet 9 e 10 nëntorit të 83 viteve më parë, mijëra vitrina dyqanesh dhe mijëra shtëpi të hebrenjve gjermanë u shkatërruan gjatë pogromit nazist, organizuar nga ministri i Propagandës, Goebbels. Vende kulti e varreza të profanuara, përdhunime, arrestime, dhjetëra viktima. Ishte nata, që shërbeu si paradhomë për shfarosjen naziste të hebrenjve.

R.SH. - Vatikan

83 viteve më parë tërbimi nazist kundër hebrenjve arriti kulmin gjatë një nate, që mbeti në histori me emrin ‘Nata e kristaleve’ (gjermanisht Kristallnacht). Natën midis 9 dhe 10 nëntorit 1938, me pretekstin e vrasjes së këshilltarit të ambasadës gjermane në Paris E. von Rath nga një i ri hebre, militantët hitlerianë kryen akte dhune dhe vandalizmi antisemite, qё vazhduan në ditët në vijim, duke sulmuar e djegur sinagoga, dyqane, shtëpi e duke shkaktuar viktima të shumta. Episodi shënoi fillimin e shfarosjes sё Hebrenjve nga nazistët.

Shprehja ‘Nata e kristaleve’ u përdor me tallje nga nazistët për shkak të vitrinave të thyera në 7500 dyqane hebrenjsh. Kjo ngjarje përkujtohet çdo vit, për të mos u përsëritur kurrë më tmerre të tilla. Kurrë më tmerre naziste, kurrë më tmerre kundër hebrenjve! Është thirrja, që dëgjohet sa herë kujtohet kjo faqe tejet e trishtuar e historisë, shkruar me gjak natën ndërmjet 9 e 10 nëntorit të vitit 1938, kur shpërtheu tërbimi nazist kundër hebrenjve. Atë natë të llahtarshme u vranë 91 vetë, u bënë rrafsh me tokë 267 sinagoga, u internuan në kampet e vdekjes 30 mijë hebrenj. Nisi, kështu, persekutimi sistematik, i egër, i hebrenjve gjermanë, që përfundoi në Shoah, apo në shfarosjen e tyre masive, ndër kampet e vdekjes.

Pra, sot kujtohet ajo natë, që ka marrë një emër në dukje romantik, por që s’pati asgjë poetike, pavarësisht se u quajt “Nata e kristaleve”. Përkundrazi, ishte shkatërrimi vetë. Si sot, 83 vite më parë, ndërmjet 9 e 10 nëntorit 1938, në Gjermani e Austri u shkatërruan 267 sinagoga, 1400 të tjera u dëmtuan rëndë, 7.500 dyqane hebrenjsh dhe rreth 200 shtëpi u vunë në shënjestër të Skuadrave të Sulmit dhe të Rinisë Hitleriane. Ata dhunuan varrezat hebraike, arrestuan, rrahën egërsisht dhe internuan mijëra njerëz. Ishte pogrom i paparë deri atëherë, megjithëse ligjet racore të Nurembergut ishin në fuqi që nga viti 1935.

Pak histori

Shërbeu si pretekst, vrasja një diplomati gjerman në Paris, nga një hebre i ri polak, pjesë e një familjeje, së cilës i ishte mohuar shtetësia gjermane dhe ishte përjashtuar si nga Gjermania, ku banonte, ashtu edhe nga Polonia. Goebbels shfrytëzoi situatën për të fituar pikë në sytë e Hitlerit, duke u lënë dorë të lirë Skuadrave të Sulmit. Regjimi do ta justifikonte më vonë këtë masakër, duke e paraqitur si shpërthim të zemërimit popullor. Megjithëse rast unik, Nata e Kristaleve, që e mori emrin nga xhamat e thyer, shënoi përshpejtimin e persekutimit të hebrenjve, aq sa konsiderohet si paradhoma e shfarosjes së qëllimshme të pakicës izraelite, zbatuar nga Himmler dhe Deydrich. Po atë vjeshtë të vitit 1938, mijëra hebrenj të parë mbushën kampin e përqendrimit të Buhenvaldit, duke e çuar Gjermaninë hitleriane drejt Shoah-ut.

Papa Françesku dhe dënimi i antisemitizmit

Ka mbetur në kujtesën e botës, lutja e heshtur e Papës Françesku në kampin e përqendrimit të Aushvicit, gjatë vizitës së tij në Poloni. E, në korrikun e dy viteve më parë, vetëm disa muaj pas 80-vjetorit të Kristallnacht, Papa Françesku kujtoi tmerrin e kryer kundër hebrenjve. Duke folur para rabinëve të  “Kongresit Botëror të Hebrenjve të Malit”, nga Kaukazi, Ati i Shenjtë nënvizoi: “Kur donin ta zëvendësonin Zotin me idhujtarinë e pushtetit dhe me ideologjinë e urrejtjes, u arrit në çmendurinë e shfarosjes së krijesave të Tij”.

Ndërsa, janarin e 2018 - duke pritur në audiencë një delegacion nga Qendra “Simon Wiesenthal”, e impenjuar në luftën kundër racizmit dhe urrejtjes ndaj pakicave – Ati i Shenjtë theksoi sërish: “Nuk lodhem së dënuari me forcë çdo formë antisemitizmi”. Papa ftoi e fton ta kultivojmë së bashku terrenin e vëllazërimit, sidomos para “ringjalljes barbare të antisemitizmit”.

09 nëntor 2021, 10:22