Kërko

Kolë Bojaxhiu, babai i Shёn Nënё Terezёs, nё përvjetorin e vdekjes

Mё 2 gusht kujtojmë pёrvjetorin e vdekjes sё Kolë Bojaxhiut, babait të Ganxhe Bojaxhiut – Nёnё Terezёs, atdhetar, bamirës, tregtar dhe ndërtimtar.

R. SH. - Vatikan

Kolë Bojaxhiu, personalitet i kohës, babai i nobelistes, Shёn Nënë Terezës, vdiq dhe u varros më 2 gusht të vitit 1919. 

Kolë Bojaxhiu, vdiq i ri, në moshën 45-vjeçare, më 1919 e dyshohet se vdekja e tij nuk ishte e natyrshme, sa ishte i gjallë, ai nuk u ndal asnjëherë në veprimtarinë e tij në të mirën e kombit nё fushёn shoqërore, kulturore e politike, edhe në kuadër të administratës së qytetit të Shkupit, këshilltar i së cilës ishte.

Kujtojmë se Nënë Tereza - Ganxhe Bojaxhiu kishte një vëlla dhe një motër. Vëllai, që quhej Lazër, studioi në Akademinë Ushtarake të Gracit në Austri, por për shkaqe politike emigroi qysh herët në Itali. Kurse motra quhej Age.

Më 26 shtator 1928 Ganxhja u largua nga familja për t’u nisur drejt Dublinit, për të hyrë në Institutin e së Lumes Zojë, që njihej ndryshe me emrin "Motrat e Loretos", në Irlandë. Atje mori emrin motër Mari Tereza, për nder të Shën Terezës së Krishtit Fëmijë. Në dhjetor u nis për në Indi. Në Kalkutë arriti më 6 Janar të vitit 1929. Pasi bëri kushtet e përkohshme, në maj të vitit 1931, Motër Tereza u dërgua në bashkësinë e Loretos, në Entali, ku dha mësim në shkollën St.Mary për vajza. Më 24 maj të 1937-ës, motër Tereza paraqiti  kushtet e përjetshme duke u bërë, siç tha ajo vetë: "Vashë e Jezusit" për "amshim". Që nga ajo ditë  e tutje u quajt Nënë Tereza.

Nga kjo datë 26 shtator 1928  anëtarët e familjes Bojaxhiu nuk do të mblidheshin kurrë më të gjithë së bashku. Siç pohuam, nga Dublini Rregulltarja shqiptare do të nisej për në Kalkutë të Indisë ku natyrisht e merrte malli për të vetët, për familjen që tashmë ishte shprishur. Lazri ishte në Itali, ndërsa Nënë Drandja e Agia- në Tiranë. Shqipëria ia kishte mbyllur derën, por në Shkup mund të shkonte, ndonëse atje e priste vetëm varri i t’et. Kur mundi të kthehej, nuk gjeti më as familje, as shtëpi e as varr. I pakujdesur nga të afërmit e larguar prej Shkupit, varri kishte humbur.

Ndërkaq në Tiranë i vdiqën njëra pas tjetrës nëna Drande(1971) dhe Motra Age (1973). Nënë Tereza do ta takonte Lazrin vetëm mbas 30 vjetësh. Ndërsa për nënën dhe motrën do të mund të thoshte një ‘Epjau Zot pushimin e pasosun’ e të derdhte dy pika lot, vetëm më 1990 .

Figura dhe veprimtaria e Kolё Bojaxhiut sipas dom Lush Gjergjit, botuar nё revistën e dioqezës Prizren-Prishtinë “Drita” mё 2 gusht 2019, me rastin e 100-vjetrit tё vdekjes sё babait tё Ganxhes sё madhe – Shёn Nёnё Terezёs.

Kolë Bojaxhiu (1873 – 1919), atdhetar, bamirës, tregtar dhe ndërtimtar

Në 100 – vjetorin e vdekjes,  nga Dom Lush Gjergji

Kolë apo Nikollë Bojaxhiu ka lindur në Prizren në vitin 1873, tre vjet pas hapjes kremtore dhe bekimit të katedrales “Zoja Ndihmëtare” dhe pesë vjet para Lidhjes së Prizrenit. Ishte pagëzuar në të njëjtën Katedrale. Prindërit e tij ishin Lazër Bojaxhiu, prizrenas, dhe Cecilia (Çilja) Bojaxhiu, me prejardhje shkodrane.

“Sipas dokumenteve të gjetura në famullinë e Prizrenit e që kanë të bëjnë me organizimin dhe punën e kompanive kishtare, rezulton se Mark Bojaxhiu (Bojagia) i ka pasur dy djem. Njëri quhej Nrec (Nrekë), ndërsa tjetri quhej Lazër. Lazri pastaj ka pasur një djalë dhe ai ishte Kola (babai i Nënës Tereze) dhe një vajzë e cila quhej Marija Bojaxhiu, halla e Nënës Tereze, e që ishte gjyshja e monsinjor Nikollë Minit. Ndrekë Bojaxhiu e ka pasur po ashtu një djalë i cili quhej Tomë Bojaxhiu”[i].

Në arkivin e famullisë “Zoja Ndihmëtare” në Prizren është gjetur në vitin 2010 dokumenti dhe testamenti i Lazër Bojaxhiut, gjyshit të Nënës Terezë, birit të Mark Bojaxhiut, në të cilin ai në emër të familjes shkruante kështu: “Shtëpitë, tokën dhe fondet të vendosura në qytetin e Prizrenit si dhe jashtë, si të mirat e patundshme, po ashtu edhe ato të tundshme, të cilat në emër tim, si pronë e blerë apo pronë e imja, të shënuara në regjistër të zyrës publike, ashtu edhe në marrëveshjet private… nuk janë më pronë e ime, por i përkasin Arqipeshkvit katolik, Kishës Katolike të Prizrenit, të cilët janë pronarët e vërtetë dhe real i të mirave të lartpërmendura…”. [ii]

Kolë Bojaxhiu dallohej për shumë veprimtari kulturore, shoqërore, tregtare dhe politike, si p.sh. ndërtuesi i Teatrit të Shkupit, një ndër ndërtuesit dhe financuesit e hekurudhës që lidhte Shkupin me Kosovën, sidomos në grykën e Kaçanikut, i vetmi këshilltar komunal shqiptar dhe katolik i Shkupit, themeluesi dhe financuesi i orkestrës frymore “Zani i Maleve”, e cila defilonte nëpër rrugët e Shkupit me rastin e çlirimit nga perandoria turko-otomane duke kënduar, duke vallëzuar për fitoren e madhe dhe çmimin e lartë të lirisë.

Ai po ashtu ishte përkrahës i flaktë i luftës për liri dhe pavarësi nga sundimi shekullor turko-otoman, njeri që përkrahte shkollimin, arsimimin dhe qytetërimit fëmijëve të vet dhe të tjerëve, bamirës i rrallë dhe shumë i dalluar për të varfër, sidomos për Kishën Katolike dhe veprimtaritë e saj bamirëse.

Këto veprimtari, veçmas mbrojtja e të drejtave dhe lirive të shqiptarëve në Mbretërinë Serbo-kroato-sllovene ose Jugosllavinë e parë apo të vjetër, i pagoi edhe me jetë.

Për ta falënderuar për ndihmën dhe përkrahjen e luftës për çlirim nga sundimi turko-otoman shekullor, ia edhe kujtimi i Lazrit për këtë ngjarje: “Më 28 Nëntor 1912, krerët e fiseve të Berishës, Logorecit, Palucajt dhe Naracajt, bashkë me të tjerët, u tubuan për të kremtuar pavarësinë e Shqipërisë. Aty ishte edhe Bajram Curri, patriot i njohur që luftonte kundër turkut, Hasan Prishtina, Sabri Qytezi dhe shumë të tjerë… Baba Kolë i ndihmonte patriotët materialisht, bisedonte me ta dhe u jepte këshilla dhe mendime. Ne kishim shumë fotografi të këtyre burrave. Im atë merrej shumë me politikë…[iii]

Këtë pjesëmarrje të Bajram Currit, Hasan Prishtinës, Sabri Qytezit dhe të tjerëve në festën e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë në familjen e Kolë Bojaxhiut, përpos Lazër Bojaxhiut, Lorenc Antonit, e dëshmojnë dhe vërtetojnë edhe shumë burime tjera, kryesisht gojore, kujtime personale dhe familjare nga Shkupi dhe Tirana.

Pyetja kryesore që shtrohet nuk është më vërtetësia e kësaj ngjarjeje, por lidhjet dhe ndërlidhjet mes personaliteteve të spikatura patriotike dhe luftarake dhe familjes së Kolë Bojaxhiut.

Ja, pra, disa shqyrtime dhe sqarime që na ndihmojnë për ta kuptuar më mirë dhe më saktë këtë lidhje dhe bashkëpunim. Pika e parë pa dyshim është kjo: Kolë Bojaxhiu ishte një atdhetar i madh dhe i devotshëm shqiptar dhe katolik, kishte dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për kultivimin, mbrojtjen dhe zhvillimin e gjuhës shqipe, të shkollës shqipe, që ai e kishte përkrahur me mish e shpirt dhe e kishte financuar, sidomos atë pranë famullisë së “Zemrës së Krishtit” në Shkup.

Sipas rrëfimit të mësueses tiranase Myzajen Mero, fqinje dhe mike e Drane dhe Age Bojaxhiut, e cila e kujton mirë tregimin e Dranes për helmimin e burrit të saj, Kolë Bojaxhiut për shkaqe të angazhimit të tij patriotik për çështje të lirisë së popullit shqiptar, për shkollën shqipe pranë kishës së “Zemrës së Krishtit”, të cilën e kishte themeluar dhe financuar në bashkëpunim me etërit jezuitë, me mësuesin e parë Ndue Vorfin.

Bashkim Zajmi, mik i familjes Bojaxhiu në Tiranë, sidomos Avni Zajmi, tregon se Drane dhe Age Bojaxhiu kishin dy dhoma dhe një kuzhinë dhe jetonin mjaft thjesht, por ishin shumë të përshpirtshme, sidomos “Nëna Loke” – Dranja. Avni Zajmi me shumë nderim ende ruan disa kujtime, ndër të cilat dallohet vepra e përshpirtshme “Katër Ungjijë” në përkthim të Kostantin Kristoforidhit, të botuar në vitin 1872, që nëna Drane shpesh e kishte në dorë, e lexonte, edhe më shumë në zemër.

Po ashtu me kujdes ruhen edhe orenditë shtëpiake të asaj kohe dhe që ishin përdorur nga Drane dhe Age Bojaxhiu dhe të cilat i kishte vizituar me shumë ndjenja dhe përjetime të thella emocionale Nëna Tereze gjatë vizitës së saj të parë në Shqipëri në gusht të vitit 1989. [iv]

Kolë Bojaxhiu, siç dihet, ishte mik i madh dhe bamirës i dalluar i Kishës Katolike në Shkup dhe më gjerë, sidomos i arqipeshkvit Lazër Mjedës dhe i jezuitëve në kishën “Zemra e Krishtit” në Shkup dhe rrethinë. Mu për këtë, shpeshherë ai ishte mysafir në shtëpinë e Kolë Bojaxhiut, në shenjë të nderimit dhe të falënderimit.

Lazër Bojaxhiu tregonte kështu: “Arqipeshkvi, bashkë me priftin e famullisë, i thoshte shpesh: ‘Zoti ta shpërbleftë!’… Kur ishte në shtëpi ai shkonte shpesh në kishë, sidomos të dielave dhe ditëve të kremteve ai rregullisht shkonte në meshë. Në familje të gjithë luteshim bashkë përnatë… Imzot Lazër Mjeda shpesh thoshte: “Kolë Zoti të shpërbleftë ty dhe familjen tënde, në këtë dhe në atë jetë, për të gjitha që ke bërë për mua, për Kishën dhe popullin shqiptar”[v]

Po ashtu kishte punuar dhe bashkëpunuar vazhdimisht me shumë patriotë shqiptarë në luftë për liri dhe pavarësi të popullit shqiptar, sidomos të Shqipërisë, gjë kjo që i kushtoi edhe me jetë, sepse qe helmuar nga shovinistët serbë (sllavë) në Beograd.

Porosia e fundit e Kolë Bojaxhiut dhënë bashkëshortes Dranës ishte një dëshmi e madhe e fesë dhe një siguri për jetën e pasosur, si dhe lëshimi i plotë i tij dhe i familjes në dorën e Zotit: “Mos ke mërzi, çdo gjë do të jetë në rregull. Çdo gjë është në duart e Zotit… Drane, të lutem, përkujdesu për fëmijët… Që prej sotit ata janë në duart e tua … dhe të Zotit…”.[vi]

Kolë Bojaxhiu si ta kishte pasur një parandjenjën se së shpejti do të vdiste, do të vritej, dhe sipas dëshmisë së fqinjëve ku kishin jetuar në Tiranë “Nëna Loke” Drane Bojaxhiu dhe bija e saj Age Bojaxhiu, sidomos familjes së Avni Zajmit.

Mësuesja Myzajen Mero thotë se Drane Boajaxhiu i kishte treguar disa herë për helmimin e burrit, Kolë Bojaxhiut, i cili ishte tregtar, ndërtimtar, patriot i dalluar, njeri shumë i pasur dhe tejet bujar, bamirës për të gjithë. Shi për këtë shpesh i thoshte Dranës kështu: “Fëmijtë kurrsesi nuk do t’mi lashë pa shkollë… Djalin Lazrin do ta përcjellësh në liceun e Korçës, kështu jam marrë vesh me disa miq të mij… Sabri Qyrtezi, miku i familjes e përcolli Lazër Bojaxhiun në Korçë, ku e kreu shkollën e mesme, pastaj vijoi akademinë ushtarake në Grac të Austrisë dhe në Torino të Italisë… Më vonë erdhi në Tiranë për shërbim ushtarak” Edhe dy vajzat Agia dhe Gonxhja kishin vijuar shkollimin…”[vii]

Dëshmi të ngjashme gjejmë edhe tek autorët tjerë që kanë shkruar pёr Nënën Terezë dhe familjen e saj. Vlerë të posaçme ka dëshmia e jezuitit belg atë Celestin Van Exem-it, shpirtërorit dhe bashkëpunëtorit të ngushtë të Nënës Terezë në Kalkutë, sidomos gjatë viteve të formimit të bashkësisë së re rregulltare “Misionaret e Dashurisë”.

“I ati, Kolë Bojaxhiu, ishte sipërmarrës ndërtimi. Firma e tij ishte shumë e njohur dhe kishte ndërtuar teatrin e parë në Shkup. Ai ishte anëtar i këshillit bashkiak dhe fliste disa gjuhë… Atë Celestin Van Exemi, udhëheqësi shpirtëror i Nënë Terezës në ditët e para do të thoshte se ajo e përshkruante babain e vet si njeri zemërbardhë, i cili gjithmonë i ndihmonte të varfrit…”[viii]

Dy mësuesit e parë në shkollën fillore pranë famullisë së “Zemrës së Krishtit” ishin Engjëll Nocaj nga Shkodra dhe më vonë edhe Ndue Vorfi. Ata ishin po ashtu mësimdhënësit dhe edukatorët e Gonxhe Bojaxhiut, sidomos për atdhedashuri, për gjuhën shqipe, historinë, traditën dhe kulturën shekullore kombëtare shqiptare.

Këtë e vërteton dhe dëshmon edhe fotografia dhe mbishkrimi në dërrasën e zezë nga viti 1922, në të cilën shihet Gonxhe Bojaxhiu, e vetmja me libër në dorë, në të majtën e drejtorit të shkollës Ndue Vorfi, së bashku me atë Gaspër Zadrima, dhe shkrimi në dërrasën e zezë: “Shkolla fillore shqiptare katolike e Shkupit. Viti shkolluer 1922-1923” [ix]

NdueVorfit, që ishte mësues në shkollën katolike në Shkup, me prejardhje nga Gjakova, mësimdhënës edhe i Gonxhe Bojaxhiut, kishte banuar me tërë familjen e tij në një nga shtëpitë që ishin pronë e Kolë Bojaxhiut në Shkup, së bashku me tre fëmijët: Zefin, Kolën dhe Marinë.

Kjo edhe një herë dëshmon bujarinë dhe bamirësinë e familjes Kolë Bojaxhiu, si dhe pasurinë e madhe që kishte në Shkup, por edhe përkrahjen e tij që ia jepte shkollës, gjuhës dhe kulturës shqiptare.

Si është “drama” e jetës, mos të them tragjedia. Familja e mësuesit Ndue Vorfi, për shkak të përndjekjeve sllave ndaj shqiptarëve, veçmas ndaj shkollës, gjuhës dhe intelektualëve shqiptarë, qe detyruar të shpërngulej në Tiranë, ku rishtas ishin së bashku me Dranën dhe Agen, të cilat i kishin pranuar në banim dhe strehim tek ato. Ja si shpërblehet e mira me të mirë, apo si vepron Prvania e Zotit dhe bamirësia e krishterë.

Dhurata Preza – Zajmi, tregon se për 18 vjet, Drana dhe Agia kishin jetuar në familjen dhe shtëpinë e tyre dhe ishin shoqëruar dhe mishëruar aq sa, Agia e quante atë “qika apo bija ime”, dhe vërtet e donte dhe trajtonte si bijë të saj.

Dhurata Preza – Zajmi tregon po ashtu se Agia për një kohë kishte punuar në Ministrinë e Kulturës Popullore, pastaj në ambasadën jugosllave, sepse përpos shqipes dhe serbishtes, fliste edhe gjuhën italishte, dhe disa gjuhë tjera. Pas prishjes së marrëdhënieve mes Jugosllavisë dhe Rusisë, pra, edhe Shqipërisë e cila mbeti besnike me Rusinë, ajo ishte larguar nga kjo punë dhe ishte punësuar si spikere e Radio Tiranës. “Mirëpo e pezulluan nga puna për shkak të Nënës Tereze, diku në vitin 1957… Pastaj ka jetuar nga rrobaqepësia, mjaft thjeshtë, mos të them në varfëri, aty-këtu edhe nga ndonjë ndihmë që e merrte prej vëllaut Lazrit nga Italia. Pas vitit 1967, kur filloi përndjekja fetare, ishte shumë vështirë… Për festa të mëdhaja shtrohej sofra me 4 gota dhe pjata, për ‘Nënën Loke’, Agen, për mua dhe për Gonxhen… Kurrë ‘Nëna Loke’ nuk e hante tërë ushqimin, thoshte, duhet të lëmë diçka për engjëj dhe për të varfër… Ishte grua shumë e mirë dhe tejet e përshpirtshme.. Age Bojaxhiu ishte shumë inteligjente, jipte dhe merrte shumë dashuri…, nune e shumë fëmijëve, ndërmjetëse për shumë fejesa dhe martesa, organizatore e shumë takimeve dhe festimeve tona… Ishte rrobaqepëse e mirë dhe e njohur. Pas vdekjes së Nënës Loke ishte shumë e vetmuar dhe ditën e fejesës sime, pësoi infarkt dhe së shpejti vdiq” rrëfen Dhuara Preza – Zajmi . [x] ./drita.info

(Kumtesë e lexuar në Akademinë shkencore  në Shtëpinë memoriale të Nënë Terezës në Shkup, e organizuar nga Instituti i Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve dhe Ambasada e Kosovës në Shkup, Shkup, 1 gusht 2019)

– – – –

Referencat:

[i]PjetërPërgjoka, Nëna Terezë Frymëzimi për jetën dhe veprën, Shpresa, 2003, f.97).

[ii]Arkivi i famullisë “Zoja Ndihmëtare”, Prizren, 23 janar 1880.

[iii]Don Lush Gjergji, Nëna e Dashurisë, DRITA, 2010, f.41.

[iv]Krh. Historia e familjes së Nënë Terezës, Speciale abc news, 2012.

[v]Don Lush Gjergji, v. e cit.f. 43; 58.

[vi]Lexo: Don Lush Gjergji, v. e cit. f. 43

[vii]Krh. Historia e familjes së Nënë Terezës, Po aty.

[viii]NevinKaula, Nënë Tereza, Shtëpia botuese “OMISCA” – “Afërdita”, 1998, f. 21.

[ix]Don Lush Gjergji, Nëna Tereze, Shenjtëresha e Dashurisë, Drita, 2010, f. 38

[x]Krh. Historia e familjes së Nënë Terezës, Po aty.            

02 gusht 2021, 10:28