Kërko

BENI-UNREST-BOMBING BENI-UNREST-BOMBING

Kinshasa, vandalizëm kundër rezidencës së kryeipeshkvit

Rezidenca e Kardinalit Ambongo nё shënjestër tё një grupi të rinjsh të paidentifikuar. Për Konferencën e Ipeshkvijve të Kongos (Cenco) ёshtё fjala pёr "një sulm tё rёndё ndaj lirisë së fesë dhe ndaj lirisë sё shprehjes, por edhe një shkelje e demokracisë. Një hap i madh prapa në rrugën drejt sundimit të ligjit për të cilin aspirojnë kongolezët".

R.SH. - Vatikan

Ipeshkvijtë e Republikës Demokratike të Kongos shprehin gjithë indinjatën e tyre ndaj sulmeve që Kisha në vend pësoi muajt e fundit. Të dielën e kaluar rezidenca e kardinalit Fridolin Ambongo, Kryeipeshkёv i Kinshasës, u sulmua nga një grup të rinjsh të paidentifikuar, të cilët kryen akte vandale me parulla fyese kundër kardinalit, i cili pësoi akuza fyese e e denigruese, një ditë më parë, nga sekretari i përgjithshëm i Unionit për demokraci e përparim social, Augustin Kabuya.

Ndër të tjera, udhëheqësi politik i partisë në pushtet Kabuya e akuzoi Kardinal Ambongo, së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm të Ipeshkvijtë të Kongos (Cenco), At Donatien Nshole, se duan të "politizojnë" Kishën. Sulmet lidhen me divergjencat në lidhje me riorganizimin e Komisionit të Pavarur Zgjedhor Kombëtar (Ceni) në kuadrin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2023, që Kisha do të donte të ishte i pavarur nga politika dhe shprehje e shoqërisë civile.

Në një deklaratë, të njoftuar nga Radio Okapi, Konferenca e Ipeshkvijve të Kongos Cenco) flet për "sjellje të papërgjegjshme" duke i ftuar besimtarët të jenë "jashtëzakonisht vigjilentë" dhe të mos "ndikohen nga askush".

Konferenca e Ipeshkvijve të Kongos pohon gjithashtu se është "e trishtuar" nga aktet e përsëritura të vandalizmit, profanimit, përdhosjes dhe vjedhjes së objekteve të shenjta që kanë ndodhur në katër muajt e fundit kundër Kishave dhe vendeve të ndryshme të kultit (gjithsej 12) në Dioqezën Mbuji-Mayi, në Kasain Lindor. Sulmet u denoncuan nga ipeshkvi lokal, Imzot Bernard-Emmanuel Kasanda i cili në një letër baritore të 26 korrikut flet për "akte të dënueshme" e "krime të urryera" që meritojnë një dënim të shpejtë e "shembullor".

Sipas Konferencës sё Ipeshkvijve të Kongos, kjo dhunë "e papranueshme" përbën "një sulm tё rёndё ndaj lirisë së fesë dhe ndaj lirisё sё shprehjes, por edhe një shkelje të demokracisë. Është -  thonë Ipeshkvijtë e Kongos - një hap i madh prapa në rrugën drejt sundimit të ligjit drejt së cilit aspirojnë kongolezët ". Nga kёtu kërkesa drejtuar qeverisë sё vendit për të "marrë kontrollin në dorë", duke identifikuar e ndëshkuar rëndë përgjegjësit "në mënyrë që sulme të tilla të mos ndodhin kurrë më".

Po kujtojmë se kanë mbetur dy vjet e gjysmë deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare e presidenciale dhe vëmendja e partive politike të Kongos dhe ajo e shoqërisë civile tashmë është e orientuar ndaj këtij afati. Shqetësimi i shumë njerëzve është qё votimet e ardhshme të trajtohet nga një arbitër i cili duhet tё jetё sa më i pavarur dhe i paanshëm. Për të shmangur përsëritjen e asaj që ndodhi me zgjedhjet e fundit më 2018, kur Komisioni i Pavarur Zgjedhor Kombëtar (Ceni) përmbysi çdo sondazh,  si edhe të dhënat e 40 mijë vëzhguesve elektoralë (të paraqitur nga Konferenca Kombëtare e Ipeshkvijve tё Kongos - Cenco), sipas të cilëve zgjedhjet u fituan nga kandidati i koalicionit Lamuka, Martin Fayulu, duke ia atribuuar fitoren presidenciale Félix Tshisekedi.

03 gusht 2021, 12:45