Kërko

Vatican News

Bangaladesh, salezianët: nga shkaku i Covid e i kohës së keqe, humbi i gjithë përparimi i bërë gjatë 50-vjetëve

Përpjekja për t’iu kundërvënë varfërisë në vendin aziatik, pësoi një goditje të fuqishme për shkak të fatkeqësive natyrore e të pandemisë. Shpresohet se të gjithë do të rikthehen në jetën e zakonshme. Për dëmet e shkaktuara e qindra të vdekurit e ditëve të fundit, flet misionari, atë Francis Alencherry.

R.SH. - Vatikan

Zona të tëra, në veri e në jug të Bangladeshit, u sulmuan nga shirat e rrëmbyera e nga përmbytjet, të cilat i detyruan qindra vetë t’i braktisnin shtëpitë e mbuluara krejtësisht nga vërshimet. Qeveria po bën çmos t’i ndihmojë të shpërngulurit, e po ashtu edhe organizmat ndërkombëtare, që veprojnë në territor. Edhe Kisha në zonat e dëmtuara po bën ç’është e mundur për të dhënë ndihmën e saj, e përkrahur nga Karitasi. Situatën në Bangladesh e përshkruan, në Vatican News, atë Fracis Alencherry, drejtues i misionarëve salezianë në vend, me telefon, nga Dacca:

“Ndërsa priten shira të reja, bilanci i përmbytjeve rëndohet dramatikisht  në jug-lindje të vendit, ku shkarjet e dheut dhe përmbytjet në Cox’Bazar, po shkaktojnë shpërnguljen e 13 mijë Rohingia. Të paktën tetë vetë  gjetën vdekjen gjatë shpërnguljes. Tre ishin fëmijë - 15 të vrarë e mbi 200 mijë të bllokuar nga përmbytjet. Dramatike, shifrat e dhëna nga Unhcr, Agjencia e OKB-së për refugjatët, që flet për 21 mijë Rohingya të dëmtuar nga shirat me rrëshekë, e 4 mijë ndërtesa të dëmtuara ose të shkatërruara, duke përfshirë  edhe klinikat e shërbimet higjienike.

Pandemia, masa të reja kufizuese për shkak të Covid-19

Emergjenca e kohës së keqe në Bangladesh i shtohet asaj shëndetësore, pasojë e Covid-19. Gjithë vendit iu imponua një ndalim i ri qarkullimi prej një muaji, për shkak të valës së re të infektimeve. Mbyllja e fabrikave,  vijon të tregojë atë Francis - la një mori punëtorësh pa punë. Pavarësisht  nga masat kufizuese, mijëra e mijëra të varfër dalin nga shtëpitë për të fituar ndonjë gjë. Misionari kujton edhe se deri dy javë më parë virusi qe përqendruar në fshatrat, ndërsa tani po bredh edhe nëpër kryeqytet. Kujton, më pas, se 230 vetë kanë vdekur e se mijëra preken nga sëmundja çdo ditë. Pasojat e pandemisë mbi ekonominë janë aspekti më shqetësues. “Numri i të varfërve shtohet çdo ditë. Gjithçka u fitua gjatë 50-vjetëve të fundit, humbi vetëm brenda një viti e gjysëm”- përfundon me trishtim të thellë rregulltari salezian.

02 gusht 2021, 16:32