Kërko

Fitorja e Italisë në Kampionatin Evropian të Futbollit Fitorja e Italisë në Kampionatin Evropian të Futbollit

Vlerat e sportit në provën e fushës

Kupa e Amerikës, Kampionati Evropian i Futbollit, Lojërat Olimpike dhe Paraolimpike: kurrë më parë nuk ka ndodhur të përqendrohen brenda kaq pak javësh një sërë ngjarjesh sportive. Edhe ky, rezultat e pandemisë, që i shtyu disa gara. Në fushë, shembuj besnikërie, vëllazërimi e ndershmërie, që të kujtojnë fjalët e Papës mbi vlerat më të bukura të sportit

R.SH. - Vatikan

Nga Wembley në Maracanã, nga Londra në Rio de Janeiro e deri në Tokio. Dy ngjarjet kontinentale të sportit më të ndjekur në botë, futbollit, përfunduan, ndërsa pritet të fillojë ajo e nivelit global. Një verë tejet sportive, kjo e sivjetmja, edhe për shkak të pandemisë së koronavirusit, që i ka shtyrë kampionatet, duke i grumbulluar ngjarjet në një vit të vetëm. Por është edhe verë e jetuar në shenjën e rilindjes, pas fillimit të vaksinimit, pavarësisht se me maturinë e nevojshme. Orët e fundit, Italia dhe Argjentina kanë triumfuar, përkatësisht, në Kampionatin Evropian të Futbollit e në Kupën e Amerikës: dy skuadra veçanërisht pranë Papës – historikisht, ipeshkvi i parë argjentinas i Romës – ndërsa tani, ndizen reflektorët mbi Lojërat Olimpike dhe Paraolimpike, që do të mbahen në Japoni.

Kampionati Evropian i Futbollit

Në fushën e sportit, nuk ka armiq, por kundërshtarë. Papa Françesku e ka përsëritur këtë në disa raste, si për shembull, në fjalimin drejtuar anëtarëve të Qendrës Sportive Italiane, në audiencë më 11 maj 2019:

“Beteja me kundërshtarët, në garat sportive, quhet gjithnjë ‘takim’ e kurrë ‘luftë’, sepse, në fund të fundit, edhe pse është më mirë të fitosh, në një farë kuptimi, fitojnë të dyja palët. Ja, bota që ëndërrojmë e që duam ta ndërtojmë me vendosmëri, mbi bazën e agonizmit të shëndetshëm, i cili gjithmonë sheh te kundërshtari edhe mikun e vëllain. Ky është thelbi i vizionit të krishterë për njeriun, bazë e veprimtarisë sportive”.

Kampionati Evropian i Futbollit përfundoi dje me fitoren e Italisë, por përtej fitores, - për të cilën u gëzuan edhe në trojet shqiptare, ku janë të shumtë tifozët e skuadrës fqinje italiane – pati dy episode për t’u shënuar. I pari ka të bëjë me lojtarin e Danimarkës, Christian Eriksen, që pësoi infarkt në ndeshjen me Finlandën. Në fushë, të gjithë lojtarët, pavarësish nga flamuri që përfaqësonin, i jetuan ato çaste me një përqafim të vetëm. Edhe në shkallët e stadiumit, tifozët, të bashkuar në një kor të vetëm, u lutën për Eriksen e pastaj, ngazëllyen së bashku, sapo ai u deklarua jashtë rreziku.

Trajneri i Spanjës, Luis Enrique përgëzon Jorginho të Italisë, autor i golit vendimtar (Facundo Arrizabalaga)
Trajneri i Spanjës, Luis Enrique përgëzon Jorginho të Italisë, autor i golit vendimtar (Facundo Arrizabalaga)

Episodi i dytë, në semifinalen ndërmjet Italisë e Spanjës, pati për protagonist trajnerin e kombëtares iberike, Luis Enrique. Pasi Italia fitoi me penallti, trajneri spanjoll përdori fjalë, që bënë xhiron e globit, duke u dhënë kudo si shembull sportiviteti. Jo vetëm që i bëri urimet skuadrës italiane, por pastaj, iu drejtua të rinjve, duke u thënë: “Nuk i duroj më lotët në garat e të rinjve apo të fëmijëve, nuk e di pse qajnë. Duhet të filloni nga pranimi i humbjes e ta përgëzoni kundërshtarin. Ne duhet t’i mësojmë fëmijët të mos qajnë. Duhet të ngrihen e ta përgëzojnë fitimtarin”.

Fitoi “fair play”

 “U çuditëm me lojën e ndershme, parë në këtë Kampionat Evropian, por në të vërtetë, ajo duhet konsideruar normale. Fitoi fair-play dhe loja e skuadrës, në shumë ekipe kombëtare, që e kanë kthyer grupin në forcën e tyre”. Kështu thotë në intervistën për Radio Vatikanin - Vatikan News, zv.sekretari i Këshillit Papnor për Kulturën, imzot Melchor Sánchez de Toca, përgjegjës për sektorin e sporteve.

“Në fushë, disfata u pranua me sportivitet të madh, ky është thelbi i sportit”, nënvizon De Toca. “Fakti që finalja u luajt në ditën e Shën Benediktit, shenjtit Pajtor të Evropës, është koincidencë e rëndësishme dhe - shton ai - duke qenë italian, mund të them se aty ishte dora e tij”. Përsa u përket Lojrave Olimpike, që do të fillojnë në Tokio, prelati uron që atletët ta jetojnë këtë përvojë të shumëpritur “së bashku”, në kuptimin më të thellë të fjalës, ashtu siç përsërit shpesh Papa Françesku, “me lojë skuadre, pa e ngrënë topin”, sikur lojtarët të ishin ujqër e jo njerëz.

Kupa e Amerikës

 Bukuria e lojës në ekip, ku ka rëndësi gjithë grupi e jo një njeri i vetëm. Brazili dhe Argjentina u takuan në një nga finalet më të pritura të viteve të fundit. Fituan bardheblutë argjentinas, 1-0 me një gol të Di Maria. Kupa kthehet në Buenos Aires pas 28 vitesh.

Kapiteni i Argjentinës Lionel Messi puth Kupën e Amerikës të fituar nga ekipi i tij kombëtar kundër Brazilit (Carl De Souza / Afp)
Kapiteni i Argjentinës Lionel Messi puth Kupën e Amerikës të fituar nga ekipi i tij kombëtar kundër Brazilit (Carl De Souza / Afp)

Janë dy vende, ku futbolli është shumë më tepër sesa sport. Siç thoshte futbollisti i njohur brazilian Pele, Brazili “ha, fle dhe pi futboll. Jeton me futbollin”. Kolegu i tij argjentinas, Valdano, në një intervistë pati deklaruar se në shumë vende amerikane duhet të vendosin porta futbolli në kufij, kështu, çdo turist do ta kuptonte menjëherë se ato vende janë veçse “fusha të mëdha futbolli, me ca gjëra të rastësishme në to, si pemët dhe ndërtesat”. Në çdo fushë të periferisë, sado e vogël, u mësohet fëmijëve se rregullat dhe grupi janë baza e lojës. Vlera, që Papa Françesku i ka theksuar shumë herë. Për shembull, kur takoi pjesëmarrësit e Takimit të organizuar më 24 maj 2019 nga “La Gazetta dello Sport” dhe nga Federata Italiane e Lojës së Futbollit.  

“Dëgjojeni mirë këtë: sportin, jo të vetëm. Jetojmë në një kohë kur, edhe në sajë të pranisë masive të teknologjive të reja, është e lehtë ta izolosh veten, të krijosh lidhje virtuale me shumë të tjerë, por në distancë. Lidhje, por të vetmuar. Bukuria e lojës me top është në mundësinë për ta bërë së bashku me të tjerët, për ta kaluar topin në mes të fushës, ku mëson taktika loje e krijon ekip... Topi bëhet mjet për të ftuar njerëz të vërtetë të bëhen miq me ty, të takohen me ty, të të shohin në sy, të të sfidojnë për të vënë në provë aftësitë. Të dashur miq: futbolli është lojë skuadre, nuk mund të argëtoheni vetëm! E, nëse përjetohet kështu, mund t’i bëjë vërtet mirë edhe mendjes e zemrës së një shoqërie, që e tepron me subjektivizmin, pra, me vënien e vetvetes në qendër, si të ishte parim absolut”.

Lojrat Olimpike

Tokyo 2020: Lojrat Olimpike të këtij viti mbajnë emrin e vitit të kaluar, kur duhej të zhvilloheshin, por kur edhe u shtynë, për shkak të pandemisë së Covid-19. Fatkeqësisht, edhe sivjet, nuk do të ketë spektatorë, madje as ata vendas, planifikuar fillimisht. Gjithsesi, ato do të mbahen: 33, sportet protagoniste, ndarë në 50 disiplina (rekord absolut) e në më se 300 evenimente, që shkojnë nga 23 korriku në 8 gusht. Fryma olimpike është kujtuar edhe nga Papa Françesku, në takimin e 19 dhjetorit 2014 me drejtuesit dhe atletët e Komitetit Olimpik Kombëtar Italian:

“Motoja olimpike – ‘Citius, altius, fortius’ - nuk është nxitje për epërsinë e një kombi mbi një tjetër, të një populli mbi një popull tjetër, as për përjashtimin e më të brishtëve dhe të pambrojturve, por përfaqëson sfidën e të gjithëve, jo vetëm të atletëve: atë të lodhjes e të sakrificës për të arritur horizonte të rëndësishme në jetë, për t’i pranuar kufizimet personale pa u bllokuar prej tyre, por duke i kapërcyer”.

Në Tokio, vlojnë përgatitjet për Lojërat Olimpike dhe Paraolimpike  (Edgar Su / Reuters)
Në Tokio, vlojnë përgatitjet për Lojërat Olimpike dhe Paraolimpike (Edgar Su / Reuters)

Lojrat Paraolimpike

Lojërat Paraolimpike do të mbahen po në Tokio, nga 24 gushti deri më 5 shtator. Në audiencën e 5 tetorit 2016 me pjesëmarrësit në takimin mbi sportin dhe fenë, promovuar nga Këshilli Papnor për Kulturën, Papa Françesku vë në pah vlerat e përfshirjes dhe të respektit për dinjitetin e çdo qenieje njerëzore:

“Traditat tona fetare vënë në qendër impenjimin për të siguruar respektimin e dinjitetit të çdo njeriu. Prandaj, është mirë kur mësojmë se institucionet sportive botërore, me guxim, e kanë marrë për zemër vlerën e përfshirjes. Lëvizja Paraolimpike dhe shoqatat e tjera sportive në mbështetje të personave me aftësi të kufizuara, si Special Olympics, kanë luajtur rol vendimtar për ta ndihmuar publikun  të njohë dhe admirojë rezultatet e jashtëzakonshme të atletëve me aftësi ndryshe. Këto ngjarje na dhurojnë përvoja, në të cilat spikat admirueshëm madhështia dhe pastërtia e gjestit sportiv”.

12 korrik 2021, 15:32