U hapën kandidaturat e Çmimit Zayed për Vëllazërimin Njerëzor
R.SH. - Vatikan
Të njihen dhe të shpërblehen përpjekjet e individëve dhe të institucioneve, që punojnë për ta çuar përpara njerëzimin dhe për të promovuar bashkëjetesën paqësore: ky është qëllimi i “Çmimit Zayed për Vëllazërimin Njerëzor”. Nga 1 korriku - njofton Komiteti i Lartë për Vëllazërimin Njerëzor – mund të propozohen kandidaturat për edicionin 2022 të këtij Çmimi, i cili arrin në 1 milion dollarë amerikanë. Ai u themelua në vitin 2019, në kujtim të takimit historik ndërmjet Papës Françesku dhe Imamit të Madh të Al-Azharit, Ahmed at-Tayyeb, mbajtur në Abu Dabi të Emirateve të Bashkuara Arabe, më 4 shkurt të atij viti. Me atë rast, u nënshkrua dokumenti mbi “Vëllazërimin Njerëzor për Paqen Botërore dhe Bashkëjetesën”, gur kilometrik në marrëdhëniet ndërmjet Krishterimit dhe Islamit. Papa dhe Imami i Madh i Al-Azharit qenë fituesit e nderit të edicionit të parë të Çmimit.
Shpresë në kohë pandemie
“Këtë vit - informon një notë – dhënia e Çmimit bëhet në një çast vendimtar për botën, e cila po rimëkëmbet nga pasojat e vuajtjeve në rritje dhe të pabarazive, shkaktuar nga pandemia e Covid-19”. Prandaj, kandidatët duhet të jenë vërtet “pishtar shprese për njerëzimin”. Emrat e tyre mund të sugjerohen nga përfaqësues të ndryshëm institucionalë në nivelin botëror, nga krerë të organizatave jo qeveritare, intelektualë etj..
Dhënia e Çmimit, më 4 shkurt 2022
Kandidaturat mund të paraqiten deri më 1 dhjetor, përmes faqes zyrtare të internetit https://zayedaward.org/. Ceremonia e dhënies së çmimeve do të mbahet më 4 shkurt 2022 në Abu Dhabi, datë, që tashmë OKB-ja e ka caktuar si “Ditën Ndërkombëtare të Vëllazërimit Njerëzor”, kremtuar, për herë të parë, këtë vit.
Anëtarët e jurisë
Për edicionin e vitit 2022 të Çmimit Al Zayed, juria do të përfaqësohet nga një Komision i pavarur Ndërkombëtar. Ndër anëtarët e tij, edhe kardinali Michael Czerny, zv.sekretar i sektorit të Migrantëve në Dikasterin për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor; José Ramos-Horta, ish-president i Timorit Lindor dhe fitues i Çmimit Nobel për Paqen në vitin 1996, si edhe Phumzile Mlambo-Ngcuka, zv.sekretare dhe drejtoreshë e përgjithshme e “UN Women”, organizmi i Kombeve të Bashkuara, që punon për pjesëmarrjen e grave në jetën publike.
Në vitin 2021, çmimi iu dha Antonio Guterres dhe Latifa Ibn Ziaten
Kujtojmë se Çmimi Zayed mban emrin e shehut Zayed bin Sultan al Nahyan, themelues i Emirateve të Bashkuara Arabe në vitin 1971, që jetoi sipas “vlerave të përvujtërisë, tolerancës, respektit dhe dashurisë për gjithë njerëzit”. Në vitin 2021, çmimi iu dha Sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres dhe themelueses së shoqatës “Imad për Rininë dhe Paqen”, Latifa Ibn Ziaten.