Kërko

Vatican News

Shenjtorët e javës 18 - 25 korrik

E diel më 18 korrik, Kisha kremton të Dielën 16-të gjatë kishtar, e po më 18 korrik, kalendari kujton shën Emilianin martir; shën Brunon e Senjit, ipeshkëv dhe shën Federikun. Fjala e Zotit e kёsaj sё diele na kujton se përballë tragjedisë së popullit të lënë pas dore nga barinjtë e tij, Jeremia profet njofton ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të Zotit për t’u kujdesur për kopenë e tij. Do t’i dhurojë popullit një bari të vërtetë, Jezusin, birin e Davidit, i cili ka dhembshuri pёr popullin e Zotit.

R. SH. - Vatikan

E diel më 18 korrik, Kisha katolike kremton të Dielën 16-të gjatë kishtar, e gjithnjë më 18 korrik, kalendari kishtar përkujton shën Emilianin martir; shën Brunon e Senjit, ipeshkëv dhe shën Federikun. Fjala e Zotit e kёsaj sё diele na kujton se përballë tragjedisë së popullit të lënë pas dore nga barinjtë dhe udhëheqësit e tij, Jeremia profet njofton një ndërhyrje të drejtpërdrejtë të Zotit për t’u kujdesur nga afër për kopenë e tij. Do t’i dhurojë popullit tё vet një bari të vërtetë, Jezusin, birin e Davidit, i cili ka dhembshuri pёr popullin e Zotit.

Të hënën më 19 korrik, kalendari pёrkujton shën Simakun, papë. Liturgjia e ditës na kujton se Zoti nuk e then kurrë besën e dhënë. Ka premtuar ta shpëtojë njeriun e lodhur e të shtypur dhe e mban premtimin, duke i dërguar Birin e vet, Jezusin. Por paradoksalisht, në sa na shpëton nga barra e mundimeve tona, kërkon të marrim mbi shpinë zgjedhën e tij, kryqin e tij, e ta ndjekim pas, duke na siguruar se kjo barrë bëhet e lehtë në se mësojmë ta mbartim me zemër të butë e të përvujtë, si na mëson Ai.

Të martёn më 20 korrik, kalendari kishtar përkujton shën Apolinarin, ipeshkëv i Ravenës e martir, shën Elinë profet dhe të shën Aurelin e Kartagjenës. Liturgjia e ditës na kujton se nëse e kalojmë jetën duke besuar Zotin, në Të do të gjejmë lirinë e plotë të shpirtit. Shën Elia është pajtor i Berdicës e i Reçit, fshatra pranë Shkodrës, dhe në Krythë afër Ulqinit.

Të mёrkurёn më 21 korrik, kalendari kishtar përkujton shën Lorencin nga Brindizi, meshtar kaupuçin doktor i Kishës, shën Prasedian romake dhe shën Ezekielin profet. Liturgjia e ditës na kujton se Zoti e bekon njeriu që jep me gëzim, që di të dhurojë pa shpërblim, pa shikuar kurrfarë interesi, pa pritur që ndokush t’i shprehë mirënjohjen për veprat e mira. I mjafton besimi se Zoti sheh gjithçka

Të enjten mё 22 korrik, kalendar përkujton shën Marinё Madalenë. Liturgjia na kujton se Zoti Jezus në sa na shpëton nga barra e mundimeve tona, kërkon të marrim mbi shpinë tonë zgjedhën e tij, kryqin e tij, e ta ndjekim pas, duke na siguruar se kjo barrë bëhet e lehtë në se mësojmë ta mbartim me zemër të butë e të përvujtë, si na mëson Ai.

Të premten më 23 korrik, kalendari përkujton shën shën Brigjidën, rregulltare, Pajtore qiellore e Evropës. Liturgjia e ditës përmend se Jezusi u kujton gjithë të krishterëve se duhet t’i shërbejnë mbarë tokës, duke u bërë për të kripë e dritë.

Të shtunën më 24 korrik, kalendari  përkujton shën Sharbelin Makluf, meshtar dhe shën Kristinën, virgjër e martire. Liturgjia e ditës na kujton se detyra kryesore e njeriut është të bëjë vullnetin e Zotit. Detyrat e kërkesat e tjera të panumërta të jetës njerëzore, që nga ato të familjes, tek detyrat e punës, janë të gjitha të dorës së dytë e të gjitha të varura pikërisht nga vullneti i Zotit. 
 
Të dielën e ardhshme më 25 korrik, Kisha katolike do të kremtojë të dielën e 17-të gjatë vitit kishtar, e po më 25 korrik,  kalendari përkujton Shën Jakun e madh, apostull dhe Shën Kristoforin, martir. Liturgjia e ditës na kujton se kush mbjell me vaj, do të korrë me gëzim! E kjo do të thotë se ecja në gjurmët e Jezusit nuk të çon tek ngjitja e shkallëve të karrierës. Të ndjekësh Krishtin do të thotë të pish me fund kelkun e mundimeve të Tij

18 korrik 2021, 09:00