Kërko

Vatican News
Protestat në Kubë Protestat në Kubë  (AFP or licensors)

Kuba: Signis kërkon pajtim e liri fjale

Dialogu, si udhë për të vendosur qetësinë në vend. Paqja duhet të jetë vepër e drejtësisë! Kjo, thirrja urgjente, që bën Signis (Shoqata botërore katolike për komunikimin) në favor të Kubës.

R. SH. - Vatikan

Pajtim, dialog, respektim i lirisë së fjalës: kjo, zemra e thirrjes urgjente, që bën Signis (Shoqata botërore katolike për komunikimin) në favor të Kubës. Prej disa ditësh ishulli ka ngritur krye. Vijojnë manifestimet në sheshe kundër krizës ekonomike dhe urisë, rënduar edhe nga përhapja e virusit. Protestat ndalohen nga autoritetet, që arrestojnë protestuesit, për të cilët Signis kërkon “lirimin e menjëhershëm”. Ndërmjet tyre, edhe disa anëtarë të Signis kuban përfunduan pas hekurave të kryqëzuar,“të akuzuar për pjesëmarrje paqësore në kërkim të të drejtave qytetare, si dhe për zgjidhjen e problemeve të mprehta të mungsës së ushqimit e të shërbimit shëndetësor, në një kohë kur pandemia vijon të shkaktojë vdekje të panumërta. “Lutjet tona  e veprimtaritë tona prej komunikuesish - lexohet në një notë - janë e do të jenë solidare me ata, me familjarët e tyre  e me miqtë, që jetojnë plot ankth për kushtet në të cilat gjenden të dashurit, në pranga”.

Jo, dhunës!

Njëkohësisht Shoqata ngulmon tek “forca e dialogut”. Në vijim bën thirrje  për paqe e harmoni ndërmjet kubanëve si dhe për respektimin e të drejtave të njeriut e të lirisë së fjalës nga ana e qeverisë kubane: “Bëjmë thirrje për arsye e për t’i thënë ‘jo’ dhunës - vijon  nota. - Duart tona e zemra jonë janë gati t’i kushtohen përpjekjeve për një vend më të mirë, më të drejtë, më fisnik. Kërkojmë lirimin e atyre, që nuk bënë krim tjetër, veç atij të shprehjes paqësore të mendimeve e ndjenjave sipas ndërgjegjes së tyre”. Signis i drejton, më pas, ftesën Konferencës ipeshkvnore të Kubës për një “rrugëzgjidhe të favorshme”, “që nuk mund të imponohet me forcë, as me ndeshje”. Vetëm kur të dëgjohen të dyja palët në konflikt - kujtohet – “do të mund të arrihet marrëveshja e të bëhen hapa të vërteta, konkrete me kubanët, pa përjashtim, për të ndërtuar një atme me të gjithë e për të mirën e të gjithëve”. Nota e Shoqatës botërore të komunikatorëve katolikë përfundon me një citim  të Pajtorit të saj shenjt, Oscar Arnulfo Romero: “Paqja duhet të jetë vepër e drejtësisë!”.

 

16 korrik 2021, 16:01