Kërko

Vatican News

5-vjetori i atentatit në Nicë. Imzot Marceau: të paqtohen zemrat

Pesë vite pas atentatit terrorist në Promenade des Anglais në Nicë, banorët e qytetit dhe gjithë francezët nuk e kanë harruar traumën e asaj dite. Kisha po përpiqet të sjellë një mesazh paqeje dhe ngushëllimi. Imzot André Marceau, ipeshkëv i Nicës, dëshmon për këtë

R.SH. - Vatikan

         Që prej pesë vitesh, çdo 14 korrik, festë kombëtare në Francë, në vend përjetohen ngjarjet dramatike të asaj dite. Në mbrëmjen e 14 korrikut 2016, një kamion i drejtuar nga një terrorist islamik kaloi me shpejtësi në shëtitoren e famshme Promenade des Anglais në Nicë, duke vrarë 86 vetë dhe duke plagosur 458 të tjerë. Dita e sotme i kushtohet përkujtimit dhe nderimit të viktimave, me një ceremoni ndërfetare sot paradite e me kremtime të tjera. Kujtojmë se në një sulm tjetër, më 29 tetor 2020, po në Nicë, u godit bazilika e Zojës së Madhe, duke shkaktuar vdekjen e tre besimtarëve, vrarë me thikë. Episode dramatike, që kanë lënë gjurmë të dhimbshme në popullsinë e Nicës, siç shpjegon imzot André Marceau, ipeshkëv i qytetit që nga viti 2014:

Popullsisë, këto ngjarje i kanë shkaktuar tronditje të thella. Dëshmitë e njerëzve janë të tmerrshme. Edhe ne jemi dëshmitarë të vështirësisë për t’u paqtuar, shprehur nga shoqatat e viktimave. Kjo përvojë i ka tronditur thellë njerëzit. Sidomos, ngjarja në bazilikën e Zojës së Madhe e preku thellë bashkësinë e krishterë. Kisha është akoma objekt, në të cilën besimtarët kanë frikë të vijnë, pavarësisht se dëshirojnë të kthehen e megjithë kremtimet e bukura, që kemi organizuar që nga ajo kohë. Këto ngjarje janë si shpata e Damokleut, që vijon ta kërcënojë qetësinë e banorëve të Nicës. Krah frikës, lind pasiguria dhe mosbesimi. E kjo çon në mënjanim. Duhet të luftojmë - por është e vështirë – kundër mbylljes, ngurtësisë së zemrës dhe egoizmit në shoqërinë tonë.

Cili është kontributi i Kishës, pas këtyre ngjarjeve traumatizuese?

Kemi propozuar gjithnjë atë, që është zemra e fesë sonë, Ungjillin: fytyrën e Zotit, që është Hyj i dashurisë, Hyj i paqes, Hyj, që u kërkon të gjithëve të kontribuojnë konkretisht. Tjetër çast i rëndësishëm ishte udhëtimi në Romë, me disa nga familjet e viktimave. U takuam me Papën Françesku, që di të bëjë bariun e mrekullueshëm, të shndritur. Një mysliman më tha: “Kur e pashë Papën, drita hyri brenda meje”. Ajo ngjarje ua ndryshoi zemrat dhe jetën të gjithëve. Kur u kthyem ishim ndryshe, më të bashkuar. Jam dëshmitar edhe vetë, sepse njerëzit vinin të më flisnin e të më tregonin për çastin e bukur të paqes, që u dhuroi Ati i Shenjtë këtyre burrave e grave. Prekte fotografitë, bekonte, fliste… për mua, ishte vërtet figura e mrekulleshme e Krishtit, që kalonte në mes të njerëzve për t’u treguar Mëshirën e Atit Qiellor, dashurinë e Zotit. Kjo ishte e rëndësishme e, në këtë drejtim, po përpiqemi të jemi të pranishëm edhe ne, gjithnjë me vëmendje për të tjerët.

14 korrik 2021, 13:58