Kërko

Vatican News

Shpresa për marrëveshjen mbi programin bërthamor iranian

Në raundin e gjashtë të bisedimeve në Vjenë u përvijuan perspektiva për t’i rikthyer SHBA-të në marrëveshjen bërthamore iraniane, pas largimit nga ana e administratës Trump. Ishte takimi i parë i grupit 5 + 1 (anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së plus Gjermania) dhe BE-së, pas fitores së gjyqtarit Ebrahim Raisi në zgjedhjet presidenciale të Teheranit

R.SH. - Vatikan

Quhet saktësisht Plani i veprimit të përbashkët global, PACG, marrëveshja ndërkombëtare për energjinë bërthamore në Iran, arritur në Vjenë më 14 korrik 2015, ndërmjet vetë Iranit, grupit 5+1 (pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së - Kina, Franca, Rusia, Mbretëria e Bashkuar, SHBA-të - plus Gjermania) dhe Bashkimit Evropian. Pas tërheqjes së njëanshme të Uashingtonit në maj 2018, rifilluan bisedimet me presidencën e Joe Biden, në përpjekje për t’i aktivizuar sërish SHBA-të.

Vijon dialogu

         Dje në Vjenë, u mbajt raundi i gjashtë i bisedimeve, i pari pas fitores së gjyqtarit Ebrahim Raisi në zgjedhjet presidenciale të Teheranit. “Janë bërë hapa përpara”, pohoi delegati i Bashkimit Evropian, Enrique Mora, duke folur për “më shumë transparencë në problemet me karakter politik”. “Jemi afër marrëveshjes, por nuk është e lehtë të realizohet ç’ka mbetur për t’u bërë”, komentoi zv.ministri i jashtëm Abbas Araghchi, kryenegociatori i Teheranit.

Komentet e SHBA-së, pas zgjedhjes së Raisit

         Sipas gazetës “New York Times”, që citon në mënyrë anonime këshilltarët e lartë të presidentit amerikan Joe Biden, kjo periudhë që i paraprin marrjes së detyrës nga ana e presidentit të ri iranian, jashtëzakonisht konservator, është “dritarja e vetme” për nënshkrimin e marrëveshjes, e cila do të çonte në heqjen e sanksioneve ekonomike të vendosura nga Uashingtoni. Pas zgjedhjes së Raisit, ndërsa presidenti rus Vladimir Putin uronte bashkëpunim të mëtejshëm ndërmjet Moskës e Teheranit, SHBA-të distancoheshin nga i sapozgjedhuri, për shkak të kontributit të tij në shtypjen e protestave të së ashtuquajturës “Lëvizje e Gjelbër” në Iran, për pjesëmarrësit e rinj të së cilës nuk dihet më asgjë.

Alarm në centralin bërthamor të Bushehrit

         Ndërkaq, natën ndërmjet së dielës, 20 qershor dhe së hënës, 21 qershor, centrali bërthamor i Bushehrit, në Iranin jugor, u mbyll përkohësisht pas një “problemi teknik”, siç njoftoi Organizata Iraniane e Energjisë Atomike, pa e sqaruar natyrën e tij.

21 qershor 2021, 11:49