Kërko

Vatican News

OKB-ja: ngrohja globale, rrezik për njerëzimin

Përmbajta e projekt-raportit të Grupit ndërqeveritar të Kombeve të Bashkuara mbi Ndryshimet Klimatike është dramatike. Numri i njerëzve, që do t’u duhet të përballen me “valë të jashtëzakonshme nxehtësie”, do të shtohet me 420 milion vetë. Intervistë me presidentin e Komitetit Shkencor të Greenaccord, Masullo: “Duhet të mendojmë për një ardhmëri ndryshe”

R.SH. - Vatikan

Mungesë uji, eksode, ushqim i keq, sëmundje, zhdukje e llojeve të ndryshme të bimëve e kafshëve. Jeta në tokë po ndryshon, për shkak të klimës dhe të ngrohjes globale, e cila, nëse shtohet me 2 gradë celsius në vend të 1,5 gradëve parashikuar nga Marrëveshja e Parisit, do të kishte ndikime të pakthyeshme në sistemet njerëzore: 420 milion njerëz më shumë do të kërcënoheshin nga valë të jashtëzakonshme nxehtësie dhe më se 80 milion nga uria.

Duhen marrë shpejt vendimet e duhura

         Boca e raportit të Kombeve të Bashkuara është më alarmuesja e viteve të fundit dhe nuk lë shteg për interpretime: njerëzimi është në rrezik serioz dhe pasojat e ndryshimit të klimës do të duken qartë para vitit 2050, me valë nxehtësie gjithnjë e më të fuqishme, që do të prekin veçanërisht popullsitë e qendrave të mëdha tropikale në Azi e Afrikë. Politika duhet ta ketë parasysh se njerëzimi ka kohë vetëm 30 vite. “Jeta në Tokë mund ta marrë veten nga ndryshimet e mëdha klimatike, duke u zhvilluar me specie të reja dhe duke krijuar ekosisteme të tjera – lexohet në projekt-raport - por për njerëzimin kjo nuk është e mundur”. Raporti do të publikohet zyrtarisht në shkurt 2022, pas miratimit të tij nga 195 shtetet anëtare të OKB-së, por “boca - komenton për Vatican News, Andrea Masullo, president i Komitetit Shkencor të Greenaccord (Marrëveshja e Gjelbër) - nuk bën gjë tjetër, veçse vërteton keqësimin e gjendjes së parashikuar më se 30 vite më parë. Kjo tregon se masat e marra kanë qenë absolutisht të pamjaftueshme, pasi i kemi hyrë një udhe gjithnjë e më serioze dhe koha shkurtohet gjithnjë e më shumë”.

Të mendohet një ardhmëri ndryshe

         Për t’i dhënë përgjigje këtij alarmi, thekson profesor Masullo, duhet të mendojmë për një ardhmëri të ndryshme: “Nuk mund të kërkojmë më zgjidhje të pjesshme e t’ia përshtatim modelin e vjetër të zhvillimit një ardhmërie, në të cilën ai mund të shkaktojë veç dëme. Përpjekja për të vijuar përdorimin e karburanteve fosile dhe një sistem konsumist, që nuk bën asnjë ndryshim ndërmjet gjërave të dobishme dhe të padobishme, na çon drejt pasojave dramatike”. Presidenti i Greenaccord vëren se rruga e ndërmarrë do ta rrisë temperaturën shumë më tepër se me 2 gradë, brenda gjysmës së këtij shekulli, madje, ajo do të shkojë deri në 4, ose 5 gradë më shumë deri në fund të shekullit, nëse njerëzimi nuk ndryshon.

Rreziku për zonën tropikale

         Qytetet tropikale të Azisë dhe Afrikës do të jenë më të ekspozuara ndaj ngrohjes globale, por Masullo shton se kjo gjendje do të prekë edhe shumë zona të tjera të tokës, sidomos, aty ku popullsia është më e dendur. Sipas tij, qytetet i duhen përshtatur ndryshimit të klimës. “Ka shumë punë për të bërë - përfundon ai - veçanërisht në periferitë e qyteteve, për të krijuar zona me pemë, shtëpi me kritere bio-arkitektonike, në gjendje të ruajnë një temperaturë të pranueshme brenda tyre. Qytetet duhet të kenë aftësinë për t’u përshtatur me këto ndryshime ekstreme, të cilat fatkeqësisht nuk do të jemi në gjendje t’i shmangim, por vetëm t’i zbusim”.

23 qershor 2021, 14:48