Kërko

Vatican News

Herzog, president i ri i Izraelit

Dje, e mërkurë 1 qershor, ishte ditë e rëndësishme për Izraelin: Knesset zgjodhi kreun e ri të shtetit, Isaac Herzog, ndërsa në mbrëmje u formua qeveria e re, e cila tani duhet të miratohet nga parlamenti.

R.SH. - Vatikan

Gjatë paradites, doli në pah emri i presidentit të ri, Isaac Herzog, pastaj, në mbrëmje vonë, më pak se një orë para skadimit të mandatit, kreu i qendrës, Yair Lapid, njoftoi formimin e ekzekutivit të ri, i pari pa kryeministrin Netanyahu, pas më se 12 vitesh.

Kreu i ri i shtetit

Isaac Herzog është pra, presidenti i ri i Izraelit. Ish-kreu i Partisë së Punës fitoi 87 nga 120 votat e Knesset. Kandidati tjetër, Miriam Peretz, mori 26 vota. Herzog – që aktualisht ishte në krye të Agjencisë Hebraike – e mori detyrën si president i njëmbëdhjetë i Izraelit nga Reuven Rivlin, i cili do të vijojë të kryejë funksionet më të domosdoshme deri më 9 korrik. Herzog është edhe presidenti i parë izraelit, djalë i një ish-kreu të shtetit: babai i tij Chaim ka qenë presidenti i gjashtë i Izraelit për dhjetë vjet, duke filluar nga viti 1983. “Do të jem president i të gjithëve - deklaroi Herzog. Do të dëgjoj çdo qëndrim dhe çdo person”, duke u përpjekur për ndërtimin e “urave dhe për arritjen e marrëveshjeve”, si brenda shoqërisë izraelite, ashtu edhe “me vëllezërit dhe motrat e diasporës”.

Qeveria e re

Tani nevojiten votat e parlamentit, së paku 61 nga 120 të mundshmet. “Qeveria e re do të bëjë gjithçka është e mundur për ta bashkuar shoqërinë izraelite”, siguroi kreu i qendrës, Yair Lapid. “Impenjimi ynë – shtoi ai - është të vihemi në shërbim të qytetarëve të Izraelit, përfshirë ata, që nuk na mbështesin”. Në koalicionin qeveritar, për herë të parë, edhe partia arabe Raam. Sipas marrëveshjes, Naftali Bennett i partisë “Yamina”, do të jetë kryeministër për dy vitet e para, ndërsa më pas, do t’i vijë radha vetë Lapid-it. Marrëveshja e gjerë ndërmjet partive izraelite do të shmangë zgjedhjet e pesta në një hark kohor prej 2 vitesh, si edhe do të largojë nga pushteti kryeministrin Netanyahu, pas 12 vitesh në detyrë.

03 qershor 2021, 07:48