Kërko

Vatican News
Takim i G7 në Cornwall Takim i G7 në Cornwall   (AFP or licensors)

G7, Caritas internationalis: të shlyhet borxhi i vendeve të varfra

Ditë kryesore e djeshmja, për takimin e rangut të lartë G7, në vijim që dje, në kontenë britanike të Cornwall [ˈkɔːnwɔːl]. Të shumta, diskutimet mbi temat më të rëndësishme ndërkombëtare. Thirrja e Caritas Internationalis në favor të vendeve më të ligshta. Në pritje, e pranishme edhe Mbretëresha Elizabeta dhe familja mbretërore.

R. SH. - Vatikan

Në atmosferën e pas-pandemisë liderët e vendeve të industrializuara flasin, duke e shikuar njëri-tjetrin në sy, mbi problemet, që i kanë për zemër të gjithë, pas muajve të pafundmë të bllokimit të ekonomisë. E ardhmja, pas problemeve globale, shkaktuar nga coronavirusi, duhet të parashikojë patjetër shlyerjen e borxhit të vendeve të varfra. Kjo, thirrja e Caritas Internationalis drejtuar 7 vendeve më të përparuara ekonomikisht në botë. Rreziku - shpjegon në një notë Aloysius John, sekretar i përgjithshëm i organizmit, është se mund të thellohen padrejtësitë shoqërore të së sotmes, edhe kështu tejet të rënda.

Covidi, shkaktar për thellimin e varfërisë

Caritas Internationalis kujton pasojat dramatike të borxhit, mbi popullsitë e vendeve në rrugë zhvillimi: në Zambie, për shembull, borxhi peshon rreth 45% mbi buxhetin vjetor të qeverisë. Burimet e pakta nuk mjaftojnë për ta forcuar sistemin shëndetësor kombëtar, përballë emergjencës shkaktuar nga Coronavirus, që në kombin afrikan, la pas gjurmët e 106 mijë infektimeve  e hapi 1.300 varre.

Rifillim i drejtë e i qëndrueshëm

Edhe një herë - vijon John - Caritas Internationalis ngre zërin, “duke u bërë britmë e të varfërve”. Prej këndej, nxitja drejtuar G7, që  të vërë në plan të parë, përgjigjen që i duhet dhënë coronavirusit, si mbështetje për njerëzit  më të goditur nga pandemia, ashtu edhe për rimëkëmbjen e ndershme e  të qëndrueshme, hapi i parë i së cilës është  të garantohet se do  të gjitha pagesat e borxhit do të shlyhen, duke përfshirë edhe ato “të kreditorëve privatë” e duke pasur parasysh se “vetëm qeveritë afrikane do të paguajnë 23,4 miliardë dollarë për shlyerjen e borxhit, marrë nga kreditorë privatë gjatë vitit 2021, domethënë, trefishin e shumës, që nevojitet lidhur me blerjen e vaksinave për mbarë Kontinetin.

Katër, etapat për të dalë nga kriza

Në veçanti, organizmi bamirës ndërkombëtar i paraqet anëtarëve të G7, katër kërkesa: së pari të gjinden mundësi ligjore, që inkurajojnë kreditorët privatë të marrin pjesë në nisma, që reduktojnë borxhin; së dyti, thirrja drejtuar G7 për mobilizimin e financimeve për t’iu përgjigjur nevojave të menjëhershme, pasojë e Covid (fuqizimi i sistemeve shëndetësore,  amortizimet shoqërore, sigurimi i vaksinave). Së treti, dhënia e së Drejtës së posaçme për tërheqjen e shumave të depozituara, në mënyrë që vendet më pak të zhvilluara të kenë më shumë mbështetje, pa rënduar krizën e borxhit në Jug të botës, duke i mbështetur kështu, vendet e varfëra, që të mos u shtohet borxhi; së katërti, të dëshmohet se G7 “po e merr seriozisht  krizën klimatike, duke u angazhuar t’i japë fund ndihmave për lëndët djegëse fosile.

Zhvillim për të gjithë

“Ndjehet nevoja për politika, që fuqizojnë zhvillimin dhe mbrojnë punonjësit”. Këto, fjalët e presidentit italian, Mario Draghi, i cili ngulmoi  mbi detyrën morale, që askush të mos mbetet mbrapa.

“Mund të themi se ishte një ditë pozitive - nënvizoi presidenti amerikan Biden, në mbrojtje të ekonomisë më gjithëpërfshirëse e më të drejtë”.

12 qershor 2021, 15:14