Kërko

Vatican News

Më 9 qershor kalendari kujton Shën Efremin, diakon e doktor i Kishës

Njeri tejet i thjeshtë, Efremi mbeti deri në vdekje diakon. E thelloi reflektimin teologjik përmes poezisë e mund të themi se tipari kryesor i veprës së tij është takimi i teologjisë me poezinë. Teologjia, reflektimi fetar, poezia, kënga, lavdërimi i Hyjit shkrihen së bashku e pikërisht në këtë karakter liturgjik të teologjisë së tij, duket qartë e vërteta hyjnore. Tradita kishtare e kujtoi se njeri të përshpirtshëm, teolog të shquar e murg shembullor e të prerë.

R.SH. - Vatikan

Më 9 qershor, kalendari kishtar përkujton Shën Efremin, diakon e doktor i Kishës. Efremi, lindi në vitin 306 dhe vdiq nga murtaja në vitin 373, që iu ngjit në sa u shërbente të sëmurëve, veprimtaria e tij u shqua në shërbim të të gjithëve aq, sa që bashkëkohasit e kujtojnë me epitetin ‘shërbyesi’. Efremi ia kushtojnë krejt jetën Jezu Krishtit Zot në shërbim të bashkësisë kishtare, duke i jetuar besnikërisht kushtet e varfërisë e të virgjërisë.

Si njeri tejet i thjeshtë qё ishte, Efremi mbeti deri në vdekje diakon. E thelloi reflektimin teologjik përmes poezisë, tipari kryesor i veprës së tij është pikёrisht takimi i teologjisë me poezinë.  Teologjia, reflektimi fetar, poezia, kënga, lavdërimi i Hyjit shkrihen së bashku e pikërisht në këtë karakter liturgjik të teologjisë së tij, duket qartë e vërteta hyjnore. Në veprën e tij përdori me sukses të madh sidomos simbolin, në sa këndonte teologjinë në një poezi tepër të pasur me figura letrare të marra nga natyra, nga jeta e përditshme e nga Bibla. 

Tradita kishtare e kujton Efremin si njeri të përshpirtshëm, teolog të shquar e murg shembullor e të vendosur. Përfaqësuesi më simbolik i krishterimit në gjuhën siriake, poeti më i përmendur në të gjithë epokën patristike, Efrem Siriaku pohonte: “Në krijim, asgjë nuk është e izoluar e bota, përkrah Shkrimit Shenjt, është Bibla e Hyjit”. 

Shën Efremi, Sirian, lindi në Nisibi, (Mesopotami) në vitin 306, ndërsa vdiq në qytetin Edesa ne vitin 373, Siri (sot Turqi) më 9 qershor të vitit 373. Ishte shumë i ri, vetëm 7 vjeçar kur Konstantini e shpalli ediktin e Milanos. Efremi nuk e pati mundësinë ta gëzonte lirinë e kultit fetar në familje, sepse babai i tij, prift pagan nuk ishte i mendimit e nuk i pëlqente formimi i krishterë, të cilin formim të birit ia mësonte nëna e përshpirtshme. Për këtë Efremi qe dëbuar nga i ati prej shtëpie. Nё moshёn 18 vjeçare u pagëzua dhe jetoi në Edesa, duke punuar si shërbëtor në një banjo publike.

Në vitin 338 qyteti Nisibi qe sulmuar prej Persianëve dhe Efremi luftoi në mbrojtje të tij. Kur Nisibi ra nën pushtimin persian, Efremi, tashmё i shuguruar diakon, në vitin 365 u vendos në Edesa, ku drejtoi një shkollë.

Ishte njohës i thellë i Shkrimeve biblike, përçues i mirëfilltë i doktrinës së Kishës. Njihet si përhapës i të vërtetave të krishtera, kryesisht përmes poezisë, për çka edhe u quajt “harpa e Shpirtit Shenjtë”. Vdiq më 9 qershor të vitit 373 në Edesa.

09 qershor 2021, 09:35